Raporti i SHBA u kërkon aleatëve evropianë të veprojnë kundër PKK

26/05/2008

Shtetet e Bashkuara i ka kërkuar aleatëve evropianë të mbështesin luftën e Turqisë kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe kritikoi disa kryeqytete për lejimin që grupi të mbajë një rrjet të madh ngritje fondesh, propagande dhe përfitim të paligjshëm parash.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 26/05/08 Fotografitë: Departamenti i Shtetit i SHBA

photo

PKK vazhdon të përdorë Irakun e veriut si një tramplinë për sulme terroriste kundër objektivave brenda Turqisë.

Raporti i Vendit mbi Terrorizmin 2007 i departamentit të shtetit i SHBA botuar kohët e fundit thoshte se shumica e vendeve evropiane përmirësuan aftësitë e tyre për t'u përballur me kërcënimin terrorist por për shkak të mangësive të ndryshme, prania e rrjeteve mbështetëse të terrorizmit në Evropë, duke përfshirë ato të PKK, mbetet një burim shqetësimi.

"Përpjekjet për të luftuar kërcënimin [terrorist] në Evropë qenë ndonjëherë të ngadalësuara nga mbrojtjet ligjore që e bëjnë të vështirë të merret veprim i fortë gjyqësor kundër terroristëve të dyshuar, ligjeve të azilit që krijuan të çara, mungesës së legjislacionit të përshtatshëm apo standardeve të provave që kufizuan përdorimin e informacionit sekret në mbajtjen e terroristëve të dyshuar. "Terroristët gjithashtu përfituan nga lehtësia e udhëtimit midis vendeve të Shengenit."

Turqia ka kohë që kritikon disa nga aleatët e vet të NATO-s për dështimin për të luftuar veprimtaritë e PKK dhe i fajësoi ato për lejimin e anëtarëve të PKK të krijojnë shoqata, bile edhe kanale TV në territoret e tyre. PKK, e cila është gjithashtu e njohur si Kongra-Gel, është konsideruar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar si një organizatë terroriste.

Dhuna e grupit separatist kurd ka marrë më tepër se 37,000 jetë që nga viti 1984. PKK vazhdon të përdorë Irakun e veriut si një tramplinë për sulme terroriste kundër objektivave brenda Turqisë. Një nga burimet e mëdha financiare të PKK i ka rrënjët në Evropë, midis diasporës kurde; dhe grupi është i njohur të ketë një "strukturë oktapodhi", me veprimtari të paligjshme që përfshijnë ngritjen e fondeve, kontrabandën e drogës dhe të njerëzve.

Vitin e kaluar, presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush u angazhua t'i japë Turqisë "inteligjencë vepruese në kohë reale" për të përballuar praninë e PKK në Irakun e veriut dhe ai u kërkoi gjithashtu aleatëve evropianë të ndërpresin bazat logjistike dhe të propagandës të grupit terrorist.

Raporti i Vendit mbi Terrorizmin 2007 i departamentit të shtetit të SHBA, megjithatë tregoi se vetëm pak aleatë evropianë lëvizën për të marrë hapa më të fortë kundër PKK, ndërsa disa nga ta bile liruan militantë të rëndësishëm të kapur të PKK.

"Gjermania kryeson Evropën në mbajtjen e veprimit kundër grupit ushtarak separatist kurd Kongra Xhel / Partia e Punëtotërve të Kurdistanit (KGK/PKK), i cili ngriti fonde, shpesh nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme, për të financuar dhunën në Turqi, por problemet e bashkërendimit përtej kufijve në Evropë topitën disa arrestime të suksesshme," pohonte raporti.

Kritikohen Austria, Belgjika dhe Danimarka

Raporti kritikon anëtaren e NATO-s, Austrinë për mosbashkërendimin e plotë të veprimtarive të saj të zbatimit të ligjit me shtete të tjera që punojnë kundër PKK. Korrikun e kaluar, Austria ndali fillimisht dhe liroi shpejt operativin e KGK/PKK Riza Altun dhe e lejoi atë të hipte në një aeroplan për në Irakun e veriut, pavarësisht nga fakti se ai kishte dokumente fallco dhe ndeshej me akuza në Francë dhe një kërkesë eksradimi nga Turqia. Në nëntor, Austria gjithashtu nuk ndali Remzi Kartal, një tjetër udhëheqës i KGK/PKK që dihej që udhëtonte në Austri dhe që kërkohej gjithashtu nga Interpol.

Një tjetër vend evropian i kritikuar për trajtimin e vet të dobët të KGK/PKK është Belgjika.

"KGK/PKK është një prani e njohur, me studio prodhimi televizioni në Bruksel. KGK/PKK vazhdoi të shfrytëzojë Belgjikën për të ngritur fonde të paligjshme për dhunën në Turqi dhe kampet e saj në Irakun e veriut," pohonte raporti.

Një aleat i rëndësishëm i NATO-s, Danimarka, është vlerësuar për punën e saj të afërt me SHBA dhe OKB kundër kërcënimit terrorist anembanë botës, por raporti vinte në dukje se një degë e medias së PKK, Roj-TV, vazhdoi të veprojë në vend.

Sipas raportit, organizata degë të PKK kanë mbajtur praninë e tyre gjithashtu në Itali dhe është menduar të kenë lidhje me organizatat degë të bamirësisë që mbajnë degët italiane.

photo

Qindra vetë demonstrojnë në rrugët e Stambollit.

Veprimtaritë e PKK në Evropë vazhdojnë të jenë një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në një ndjenjë në rritje të tjetërsimit të Perëndimit në Turqi. Studimi i Transatlantic Trends 2007 nga German Marshall Fund (GMF) nxorri një rënie 14% në mbështetjen turke për anëtarësimin në BE, nga 54% në 40% dhe tregoi një skepticizëm në rritje ndaj BE.

Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) ka premtuar hapje politike e social-ekonomike ndaj kurdëve etnikë të vendit, por dhuna e e vazhduar e PKK krijon zëmërim të madh publik gjë që kufizon hapat e mundshëm. Ushtria turke vazhdon sulmet ajrore kundër bazave të PKK në Irakun e veriut dhe trupat turke kryen një inkursion të kufizuar tokësor përtej kufirit verior të Irakut në shkurt. Raporti i departamentit të shtetit shprehte shpresë se një punë më e afërt midis Turqisë, Irakut dhe qeverisë rajonale kurde në Iarkun e veriut, do të ishte e efektshme në eleminimin e kërcënimit të PKK.

Raporti vinte në dukje se administrata kurde irakene ka marrë masa të reja konkrete, kundër veprimtarive të PKK në rajon, duke përfshirë "mbylljen e rrugëve të rifurnizimit nëpërmjet pikave shtesë të kontrollit, rritjes së kontrollit në aeroporte për anëtarët e KGK/PKK dhe duke drejtuar mbylljen e zyrave të lidhura me KGK/PKK."

Kërcënimi i terrorizmit islamik ndaj Turqisë

Raporti i SHBA theksonte gjithashtu se përveç separatistëve, terrori islamik vazhdon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha të sigurisë në Turqi. Policia Kombëtare Turek (TNP) dhe Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT) kryen një fushatë agresive anti-terrorizmi dhe kapën terroristë të shumtë të dyshuar në një numër bastisjesh vitin e kaluar. Në janar, një goditje në shumë qytete kapi 47 terroristë të dyshuar të lidhur me Al-Kaedën. Në mars, 48 terroristë të dyshuar islamikë u arrestuan në Konia dhe në qershor, një përpjekje e përqëndruar në Bursa rezultoi në 23 arrestime. Në nëntor, në përgjigje të një kërkese gjermane, autoritetet arrestuan një shtetas gjerman-turk në Konia, që thuhet se qe përfshirë në një komplot të ndërprerë terrorist.

Me këto bastisje, grupet u ndërprenë përpara akteve terroriste që mund të kryenin, por procedimet jo kurdoherë pasojnë arrestimet.

Sipas raportit, përcaktimi i terrorizmit në ligjet turke e pengon Turqinë në moslejimin e grupeve që synojnë "jo-luftëtarët globalisht."

Sipas ligjit turk, veprimtaritë "terroriste"përbëhen së pari nga krime të përshkruara në kodin penal të kryera brenda kontekstit të veprimtarive të grupit terrorist, që synon strukturën e shtetit, duke ndryshuar apo shkatërruar parimet e shtetit dhe duke synuar të krijojë panik e terror në shoqëri. Ligji e përcaktojn terrorizmin si sulme kundër shtetasve turq dhe shtetit turk.

Një tjetër shqetësim shprehur në raportin e SHBA kanë qenë masat relativisht të dobëta kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Në 2006, një ligj i ri hyri në fuqi duke i dhënë MASAK, Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare të Turqisë, përgjegjësinë e vetme për hetimin financiar të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në shqyrtimin e vet të shkurtit të raportit, Forca e Veprimit Financiar (FATF) vlerësoi standardet turke në luftën kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Ky raport pohonte se "numri i të dënuarve për larje parash ishte relativisht i ulët; masat e konfiskimit nuk kishin dhënë ende rezultate thelbësore; dhe numri i raporteve të transaksioneve të dyshimta ishte gjithashtu i ulët."

Turqia ka vazhduar të qarkullojë emra të përcaktuar nga OKB të terroristëve ndaj të gjitha agjensive të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës si dhe në institucionet financiare. Ky mekanizëm ligjor për zbatimin e sanksioneve në kuadrin e UNSCR 1267 është sfiduar në gjykatat turke nga terroristi i përcaktuar nga OKB, Jasin al-Kadi . Një gjykatë më e ulët e përmbysi vendimin por gjykata e apelit mbajti autoritetin e Këshillit për ta ngrirë. Ndërkohë, pasuritë e al-Kadi mbeten të ngrira.

Mbështetja e Turqisë për operacionet e drejtuara nga SHBA

Raporti i Vendit mbi Terrorizmin 2007 vlerësonte mbështetjen e Turqisë për operacionet e kundërterrorizmit në Afganistan dhe Irak. "Turqia ka dhënë mbështetje të rëndësishme logjistike për operacionet e Koalicionit në Afganistan dhe Irak, duke autorizuar përdorimin e bazës ajrore Inçirlik si një shpërndarës rimbushjeje me karburant ," pohonte raporti. "Ngritja e këtij shpërndarësi lejon gjashtë aeroplanë C-17 të transportojnë sasinë e mallrave që merrnin nëntë apo dhjetë aeroplanë që lëviznin nga Gjermania dhe i kursen Shteteve të Bashkuara pothuajse 160 milion $ çdo vit."

Turqia ka qenë gjithashtu aktive në përpjekjet rindërtuese, duke përfshirë dhënien e elektricitetit Irakut. Turqia kontribuoi me personel shtabi në Misionin e Trainimit të NATO-s në Irak, duke ndihmuar trainimin e diplomatëve të Irakut dhe partive politike dhe duke kompletuar trainimin e udhëheqjes ushtarake në Turqi për 90 oficerë irakenë si një kontribut i mëtejshëm ndaj misionit të NATO-s.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading