Kundërshtimi i Traktatit të Lisbonës mund të prekë procesin e zgjerimit në Evropën Juglindore

30/06/2008

Vota irlandeze 'jo" për Traktatin e Lisbonës vë pikpyetje të vështira rreth zgjerimit të BE që mund të kenë një ndikim në vendet e Evropës Juglindore. Megjithatë, nga Brukseli vijnë zëra optimistë.

Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup -- 30/06/08

photo

Irlanda kundërshtoi Traktatin e Lisbonës në një referendum në 12 qershor. [Getty Images]

Traktati i reformës, njohur më shumë si Traktati i Lisbonës, është bërë një piketë për BE dhe gjithashtu për rajonin e Evropës Juglindore për shkak të ndikimit të tij mbi politikën e zgjerimit të Bashkimit. Nëdrsa krerët e BE janë të preokupuar se si t'i japin frymë këtij traktati vendimtar, vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të plotë janë të merakosur rreth përfundimit të betejës. Në 12 qershor, anëtarja e BE, Irlanda votoi "jo" për traktatin, 53% me 47%, një diferencë më e madhe se ç'pritej. duke e zhytur BE në një krizë të re.

Traktati i Lisbonës që u nënshkrua në dhjetor 2007, do të zëvendësojë projekt-kushtetutën evropiane të cilën votuesit në Francë dhe Hollandë e kundërshtuan në 2005. Traktati duhet të hapte dyert për anëtarët e rinj sepse sipas rregullit të tanishëm përcaktuar në Marrëveshjen e Nisës, BE dhe institucionet e saj mund të përfshijnë 27 anëtarë më së shumti. Në qoftë se cilido nga 27 vendet anëtare nuk e ratifikon traktatin, ai nuk mund të hyjë në fuqi.

Pikpamje të ndryshme

Pas kundërshtimit të Irlandës, presidenca sllovene e BE bëri thirrje për qetësim dhe një periudhë konsiderimi. Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso tha se Traktati i Lisbonës ishte ende "gjallë" dhe u kërkoi vendeve të tjera të vazhdojnë ratifikimin e tij ashtu siç kanë bërë tashmë 18 nga anëtarët e BE. Presidenti frëng Nikolas Sarkozi vendi i të cilit merr kryesimin e BE në 1 korrik dhe kancerja gjermane Angela Merkel luftojnë të mbështesin qëndrimin e Barrosos.

Kur vjen puna te politika e zgjerimit qeverisur nga traktati, zëra të ndryshëm po vijnë nga Brukseli dhe kryeqytete të tjera të Evropës. Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Poetering tha se "jo"-ja irlandeze do të thoshte se zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit 27- vendesh ishte i pamundur për tani, me përjashtim të Kroacisë.

Anëtarët e Parlamentit Evropian, raportoi AP, pohuan se çdo zgjerim i mëtejshëm i BE ishte "me zorr i përfytyrueshëm" brenda Traktatit të Lisbonës.

photo

"Pavarësisht vështirësive të tanishme lidhur me Traktatin e Lisbonës, [BE] mbahet pas fjalës së saj lidhur perspektivën e Evropës Juglindore, që do të thotë, Ballkani Perëndimor dhe Turqia," tha komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn. [Getty Images]

Megjithatë, komisioneri i zgjerimit Olli Rehn tha se vota irlandeze nuk pakëson vendosmërinë e bllokut për pranimin e anëtarëve të rinj nga Ballkani dhe Turqia. Pavarësisht vështirësive të tanishme lidhur me Traktatin e Lisbonës, [BE] mbahet pas fjalës së saj lidhur perspektivën e Evropës Juglindore, që do të thotë, Ballkani Perëndimor dhe Turqia," i tha Rehn Reuters.

Në një pistë të ngjashme ishte ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel i cili gjithashtu përjashtoi çdo ndryshim në procesin e zgjerimit. "Përfundimi i referendumit irlandez nuk e ndryshon në asnjë mënyrë politikën e zgjerimit. BE vendosi njëzëri të ftojë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin anëtarësimin, kështu që nuk ka dyshim për këtë," tha Rupel.

BE mori detyrime ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Selanikut të 2003 ku krerët e shteteve e të qeverive t[ Bashkimit miratuan një politikë të dyerve të hapura.

Pavarësisht qëndrimeve të Rehn dhe Rupel, kundërshtimi irlandez mund ta vonojë politikën e zgjerimit. " 'Jo'-ja irlandeze për [traktatin] do të thotë se ky nuk mund të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit tjetër siç planifikohej më parë," tha kryeministri i Luksemburgut Zhan-Klod Junker.

Duke folur gjatë një vizite në Republikën Çeke, presidenti francez Nikolas Sarkozi theksoi gjithashtu: "Me qëllim që të hapemi ndaj Ballkanit, Kroacisë, ne na duhet Traktati i Lisbonës."

Efekti mbi Turqinë, Kroacinë dhe Maqedoninë

Tre vendet kandidate: Maqedonia, Turqia dhe Kroacia, janë më të interesuarat në atë se çdo të ndodhë pas vetos irlandeze. Kroacia dhe Turqia janë në proces të negociatave të pranimit për hyrjen në BE, ndërsa Maqedonia po pret të nisë bisedimet. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit me BE e cila shihet si hapi i parë drejt pranimit në Bashkim.

photo

Kryeministri kroat Ivo Sanader (në Londër në 18 qershor) tha se ishte optimist që BE hap udhën për pranimin e Kroacisë. [Getty Images]

Ndikimi kryesor i votës irlandeze në zgjerim mund të jetë të përforcojë ata që argumentojnë se Turqia është tepër e madhe dhe kulturalisht e e ndryshme për t'u bashkuar me bllokun. Sipas ministrit frëng të bujqësisë, Mishel Barnier, referendumi tregoi se shtetasit kanë frikë nga një BE "pa cak e kufij".

Megjithatë, në 18 qershor, negociatat e pranimit midis BE dhe Turqisë shkuan përpara për të përfshirë fushat e ligjit të korporatave dhe ligjit të pronës intelektuale.

Kroacia, e përparuar mirë në proces, me perspektiva të hapjes gjithnjë e më tepër kapituj negociues të ligjit të përgjithshëm evropian, pritet të përfundojë negociatat e veta vitin tjetër.

BE dhe Kroacia hapën gjithashtu dy kapituj të rinj në negociatat e pranimit, pas dështimit të traktatit në Irlandë. Bisedimet midis BE dhe Kroacisë shkuan përpara duke përfshirë lirinë e lëvizjes për punëtorët si dhe politikën sociale dhe punësimin.

Maqedonia po pret të hapë negociatat këtë vjeshtë. Masa do të varet nga zhvillimet e saj të brendëshme pas zgjedhjeve të 1 qershorit të organizuara dobët dhe vetë fatit të Traktatit të Lisbonës.

Reagimet në rajon janë në përputhje me idenë e mbajtjes së traktatit gjallë.

Kryeministri kroat Ivo Sanader tha javën e shkuar se pas bisedimeve të tij në Bruksel këtë javë dhe takimit me kryeministrin britanik Gordon Braun, ai ishte optimist se BE do të gjente një rrugë ta pranonte Kroacinë, pavarësisht nga kundërshtimi prej Irlandës i Traktatit të Lisbonës.

"Vlerat e Bashkimit, të cilat janë mishëruar në Planin e Veprimit të Maqedonisë, nuk janë në krizë dhe duhen përmbushur. Për ne, është e rëndësishme të bëhemi një shtet me standarde evropiane dhe pranimi është vetëm një formë," tha ish ministri i jashtëm maqedonas Slobodan Kasule.

Në pikpamje optimiste, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të bëhen merak shumë për ngjarje të ndodhura lidhur me Traktarin e Lisbonës, por duhet të vazhdojnë reformat e tyre. Prapë, është e sigurtë se do të ketë një vonesë derisa Brukseli të gjejë një zgjidhje.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading