15/09/2008
Serbët në komunën jugore të Strepce mund të mos jenë dakord me pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës por ata shpresojnë se një situatë e stabilizuar do të sjellë së paku punë dhe një infrastrukturë më të mirë.
Teksti dhe fotot nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë – 15/09/08
![]() Strpce apo Shtërpcë siç njihet në shqip, është rreth 61 km nga Prishtina. |
Merixhan Tomislav punoi për 45 në një kompani shtetërore. Tani ai shet cigare, gazeta e vogëlsira në një dyqan të vogël në qendër të qytetit, ndërsa varet nga paratë prej autoriteteve të Beogradit që t'ja dalë. Në rrugët përqark duket në postera të shumtë fytyra e politikanit nacionalist serb Tomislav Nikoliç.
Kjo është Strpce, një komunë me mbizotërim serb në kufirin me Maqedoninë. Rreth 70% e popullsisë janë serbë, ndërsa 27% janë shqiptarë dhe pjesa tjetër u përket pakicave të tjera. Presidenti Boris Tadiç erdhi këtu gjatë termit të tij të parë dhe premtoi që Kosova do të mbetej pjesë e Serbisë. Por në 17 shkurt, krerët në Prishtinë shpallën pavarësinë e krahinës. Që atëhere, 46 vende e kanë njohur atë si një shtet të pavarur.
Atmosfera në Strpce nuk është e ngrohtë. Megjithatë, nuk është aq e nderë si më parë. Sipas Tomislav, jeta është bërë më e lehtë që nga shpallja e pavarësisë ndonëse ai nuk jep hollësira.
"Ne duhet të jetojmë së bashku me shqiptarët," thotë një burrë serb. I pyetur në se shqiptarët e serbët mund t'ja dalin kësaj, ai përgjigjet: "Kush thotë se nuk munden?" ,
Miku i tij, që nuk do t'i dalë emri, është i bindur se bashkëekzistenca midis shqiptarëve dhe serbëve është e vetmja mënyrë për të arritur një Kosovë të qëndrueshme. "Ne po rrojmë së bashku," thotë ai. "Dhe nuk e di kush mund të thotë se shqiptarët e serbët nuk mund të rrojnë dot bashkë." Ai mbështetet gjithashtu në një pension nga Beogradi, sepse, siç thotë ai, qeveria e Kosovës nuk i jep një të tillë.
![]() Banori i Strpce Merixhan Tomislav (majtas) thotë se jeta është bërë më e lehtë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. |
Strpce ose Shtërpcë siç njihet nga shqiptarët, është rreth 61 km nga Prishtina. Komuna përbëhet nga 16 fshatra. Rrugët janë përgjithësisht në gjendje të keqe dhe ndërsa shumica e fshatrave kanë ujë, ai është prekur nga ndotja prej një sistemi të dëmtuar ujrash të zeza. Rrjeti elektrik është gjithashtu në pikë të hallit dhe ka nevojë për një përtëritje dhe ndërprerjet e energjisë janë bërë një pjesë e rregullt e jetës.
Gjendja politike është pezull. Zgjedhjet e fundit në 2007, u prishën nga një bojkot i serbëve të Kosovës kështu që përfaqësuesit e posaçëm të OKB-së thjesht emëruan funksionarët ekzistues. Kryetari i komunës, një serb kosovar, ka bërë betimin siç kanë bërë tetë anëtarët e asamblesë serbë kosovarë dhe dy shqiptarë, por shtatë të tjerë nuk e kanë bërë atë.
Detyrimet e policisë ndërkohë i janë ngarkuar një force lokale të Shërbimit Policor të Kosovës. Ajo përbëhet nga 45 serbë dhe 11 shqiptarë dhe vepron nën mbikqyrjen e dy oficerëve të policisë nga UNMIK. Sa për praninë ushtarake ndërkombëtare, në zonë janë me detyrë trupat ukrainase të KFOR, që kontrollojnë hyrjen në zonat e serbëve të Kosovës.
Gjendja e përgjithëshme në Strpce është ajo e pasigurisë. Pak janë optimistë, ndonëse disa kanë shpresë në mënyrë të matur se gjërat do të ndreqen. Lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës, banorët lokalë luhaten midis këmbënguljes se komuna e tyre është pjesë e Serbisë dhe kërkesës për autoritetet e Kosovës që të krijojnë më tepër punë për shtetasit.
"Ne nuk kemi një jetë këtu. Serbia nuk bën kurrgjë për ne. Ata përpiqen të fitojnë për veten e tyre," thotë Goran Milutinoviç. Mësues për 30 vjet, tani ai është i papunë. "I shpura fëmijët në Nish [Serbi], në familjen e sime shoqeje. Në tetor 2004, ata u kthyen se mendova se mund të gjenin një punë, por asgjë nuk ndodhi. Tani jam kaq pesimist."
![]() Detyrat policore në Strpce kryhen nga një forcë lokale e Shërbimit Policor të Kosovës. |
Gruaja e Milutinoviç, ndërkaq, thotë se njerëzit në Strpce duan të jetojnë lirisht. "Komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se ne nuk duhet të mbetemi një viktimë e regjimit të krerëve të mëparshëm," thotë ajo. "Ne kemi lindur këtu dhe duhet të qëndrojmë këtu. Por nuk mund të jetojmë siç po bëjmë tani."
Si në pjesën më të madhe të Kosovës, në qoftë se njerëzit në Strpce po vuajnë, nuk është për mungesë të potencialit ekonomik. Komuna është vendosur brenda 100 km të qendrave industriale e të minierave të tilla si Trepça, Ferizaj, Prizreni, Peja dhe kryeqyteti, Prishtina.
"Serbët janë vendosur në vendet më të mira në Kosovë, por krerët tanë nuk dinë ta shfrytëzojnë këtë pasuri. Ata duhet të jenë më të vëmendshëm," thotë Miodrag Lajiç. Sipas tij është në interesat e shqiptarëve dhe po ashtu të serbëve të punojnë së bashku dhe të krijojnë një të ardhme të qëndrueshme. "Vetëm së bashku mund të ngremë një Kosovë evropiane sepse me këto ndarje, bota nuk do të na lërë ne të bëjmë përparim."
Shumë shpresojnë se turizmi do të nxisë punë dhe të ardhura në të ardhmen. Komuna është vendi i vendpushimit të skive të Brezovicës dhe tashmë më shumë se disa vizitorë kalojnë nëpër zonat e banuara nga serbët.
"Unë kaloj këtu ndonjëherë, në rrugën për në Brezovic dhe Prevalac, që janë dy vendet më të mira turistike në Kosovë," thotë Agron Gashi, një shqiptar etnik që ka ndaluar në Strpce për të blerë cigare. "Ne nuk kemi asnjë problem këtu."
"Ne mendojmë se Kosova do të jetë një vend më i mirë për cilindo," thotë një serb që nuk do t'i dalë emri. "Kjo është një rrugë drejt Evropës. Ata duhet të jenë më optimistë sepse serbët e Kosovës nuk kishin kushte më të mira më parë. Tani ne kemi shumë të drejta, më shumë se pakicat në vende të tjera."