Vdekja e të sapolindurve ndez debatin mbi sistemin shëndetësor të Turqisë

06/10/2008

Prokurorët kanë nisur një hetim pas vdekjes së 13 foshnjave brenda 24 orësh në një spital shtetëror në Izmir. Muajin e kaluar, 27 foshnja vdiqën në një tjetër spital në Ankara. Ministria e shëndetësisë thotë se infeksionet spitalore ndodhin edhe në vendet e zhvilluara por sindikata e mjekëve fajëson për vdekjen e foshnjeve një sistem shëndetësor të përkeqësuar.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 06/10/08

photo

Më tepër se 50 të sapolindur kanë vdekur në tre muajt e fundit në Turqi. [AFP]

Qeveria turke ka nisur një hetim pasi 13 foshnja të sapolindura vdiqën brenda 24 orëve në një spital shtetëror në Izmir muajin e fundit. Ishte vetëm pak javë pas një skandali shëndetësor në Ankara ku 27 foshnja të sapolindura vdiqën në spitalin Zekai Tahir Burak, shumica nga infeksioni.

Rezultatet paraprake të hetimit të fundit treguan se një infeksion i përhapur nga fluidet intravenoze shaktoi vdekjen e foshnjave në spitalin kërkimor e arsimor Tepeçik të Izmirit, që ishte gjithashtu rasti në spitalin e Ankarasë. Kryesuesi i hetimit, profesori Rexhep Ozturk i Fakultetit të Mjekësisë Çerahpasha të Stambollit, tha se ekipi kishte identifikuar bakterin që shkaktoi infeksionin. Pas shqyrtimit të të dhënave të kaluara për spitalin e Izmirit, hetuesit përjashtuan neglizhencën e mundshme të mjekëve apo të ekipit spitalor dhe thanë se vdekjet mund të përshkruheshin më së miri si një "aksident".

Pavarësisht gjetjeve të ekipit, publiku ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë Rexhep Akdag. Media lokale ka thënë se vdekjet tragjike ilustrojnë përkeqësimin e sistemit shëndetësor të vendit. Një kolumniste nga Milliyet, Ece Temelkuran, kritikoi privatizimin siç thuhet të keqmenazhuar, në sektorin shëndetësor, delegimin e përgjegjësisë tek firmat joprofesionale, mungesën e shërbimeve të duhura shëndetësore dhe mostrainimin e personelit të ri. Temelkuran thotë se Akdag mban përgjegjësi dhe duhet të dorëhiqet. Por thirrja e saj, bashkuar nga ato të shumë kritikëve të tjerë ranë në vesh të shurdhët.

Ndonëse Akdag e pranoi problemin e infeksioneve spitalore në Turqi, ai pretendon sukses në përpjekjet për të reduktuar vdekshmërinë foshnjore në lindje. "Ne trishtohemi nga vdekja e çdo të sapolinduri apo nëne, por duhet të shohim gjithashtu statistikat," tha Akdag.

"Numri i fëmijëve që vdesin në lindje ishte 29 [në çdo] 1,000 lindje të gjalla në vitin 2003. Kjo është ulur në 17 deri 18 vdekje në çdo 1,000 lindje këtë vit. Kjo do të thotë se kemi arritur të shpëtojmë jetët e mijra foshnjeve," tha ai duke pranuar se numri i vdekshmërisë foshnjore është ende i lartë dhe duke u zotuar për përpjekje të vazhdueshme për ta pakësuar këtë shifër.

Sipas ministrit, norma e vdekshmërisë foshnjore në Turqi është relativisht e ulët krahasuar me atë të vendeve të tjera të zhvilluara. Por BE ka kohë që ka kritikuar sistemin shëndetësor të vendit kandidat, Turqisë. Në raportin e tij të përparimit të 2007, Bashkimi thoshte se përqindja e foshnjeve që vdesin në lindje është "ende e lartë".

photo

Tragjeditë kanë nxitur kërkesat për ministrin e shëndetësisë Rexhep Akdag që të japë dorëheqjen. [Getty Images]

Sipas statistikave të OKB-së, norma e vdekshmërisë foshnjore në vendet anëtare të BE është mesatarisht 5.84 vdekje për 1,000 lindje të gjalla. Në Turqi, vlerësimet ndryshojnë nga pretendimet e Akdag në rreth 36.98 vdekje për çdo 1,000 lindje të gjalla.

Zyrtarët në Dhomën Mjekësore të Izmirit fajësuan ministrinë e shëndetësisë dhe politikat shëndetësore për rritjen e kohëve të fundit në vdekjet e foshnjeve. "Në Izmir, spitalet e lindjes janë të mbingarkuara. Anembanë Turqisë ne nuk kemi spitale të mjaftueshme materniteti apo ekspertë maternitetesh," tha drejtori i dhomës Suat Kaptaner. Ai fajësoi gjithashtu kërkesat e diskutueshme të qeverisë për familjet për të patur "të paktën tre fëmijë".

"Nën kushtet e sotme, ku ne na mungon shërbimi i duhur mjekësor dhe kemi varfëri të përhapur gjerësisht, si mund të pritet që njerëzit të kenë së paku tre fëmijë?...Ne nuk kemi personelin e duhur," tha Kaptaner.

Opozita ka dërguar kërkesa me shkrim në parlament pë tragjeditë. Përfaqësuesi i Partisë Republikane Popullore të Izmirit Selçuk Ajhan pyeti në se emërimet në postet e larta në ministrinë e shëndetësisë mund të kenë kontribuar në ngjarjet e fundit.

Presioni politik e publik në rritje ndaj qeverisë i ka detyruar zyrtarët të konsiderojnë reforma në spitalet e lindjes. Ministria e shëndetësisë ka organizuar një takim për përfaqësuesit e shtetit dhe spitaleve privatë për në fund të tetorit. Takimi do të përqëndrohet në identifikimin e nevojave bazë të spitaleve, të tilla si niveli i personelit dhe numri i shtretërve, inkubatorëve dhe çështje të tjera mjekësore. Ministria ka në plan të përmbushë kërkesat e qendrave shëndetësore, të rishpërndajë personelin e caktuar dhe të bashkërendojë fluksin e pacientëve midis spitaleve publike e private.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading