30/05/2008
Është shumë larg festimeve masive të së kaluarës. Por çdo vit në 25 maj, njerëzit mblidhen ende në varrin e Titos dhe vendlindjen e tij për të përkujtuar udhëheqësin e vdekur komunist.
Nga Davor Konjikushiç për Southeast European Times në Beograd -- 30/05/08
![]() Një grua vë një lule në kujtim të ish presidentit jugosllav Josip Broz Tito. [Davor Konjikushiç] |
Në Jugosllavinë e vjetër, ditlindja e udhëheqësit komunist Josip Broz Tito ishte një festë kombëtare. Punëtorët, shtetasit e thjeshtë, ushtarët dhe pionierët e rinj dilnin të nderonin presidentin e përjetshëm.
Ajo ishte gjithashtu Dita e Rinisë (Dan mladosti), që kulmohej me një festim përfundimtar në një stadium futbolli të Beogradit. Tito, që ndiqte festimet ulur në ballkonin e tij, do të merrte shkopin e stafetës nga vrapusi i fundit në Stafetën e Rinisë.
Tito ka gjasa të ketë lindur në 7 maj, por nderimi i ditlindjes së tij bëhet në 25 maj. Edhe sot njerëzit vazhdojnë ta kremtojnë atë. Dy vende kryesore për përkujtimin e Titos janë fshati në Kumrovec, vendlindja e tij kroate dhe varri i tij në Beograd, njohur si Shtëpia e Luleve. Më tepër se 2,000 vizitorë nga e gjithë ish Jugosllavia vizituan mauzoleumin gjatë festimit të këtij viti.
Lilanina, një bloger nga Beogradi, mban mend se si ka qenë. "Çdo 25 maj, unë gëzohesha nga ditlindja," shkruan ajo. "Halla ime, motra dhe unë do të përgatiteshim për një kohë të gjatë për atë ditë të veçantë. Ne do të shkruanim një vjershë, do të bënim një shkop me kadife të kuqe dhe do të kërkonim për një shall të kuq të përshtatshëm. Pastaj do të visheshim bukur dhe do të vraponim gjatë gjithë një rruge t'ja jepnim shkopin gjyshes sime. Ajo kishte ditëlindjen në të njëjtën ditë me Titon. Ne recitonim vjershën tonë dhe pastaj ajo do të na jepte ne lëng frutash dhe kek."
Në B92, ndërkohë, ka nisur një diskutim më i thellë rreth ditlindjes së Titos dhe rolit që ai luajti në histori.
"Në kohën e Titos ishte shumë më mirë se pas tij," argumenton Baki. "Gjendja jonë e keqe sot nuk është e lidhur me politikën e Titos. Boll më: ai ai ishte i respektuar nga Perëndimi, nga Lindja dhe blloku që ndiqte politikën e mosangazhimit. Në qoftë se do të ishte përmbushur parulla 'Pas Titos, Tito', ne sot do të ishim në BE dhe do të kishim një rol kryesues."
Të tjerë përdorues të forumit nuk janë dakord. "Të gjithë ata që shkruajnë se sa mrekulli ishte të jetoje me Titon më kujtojnë mua kumarxhinjtë," shkruan njëri. "Në kazino, kumarxhiu është i rrethuar nga një mjedis i ndritshëm dhe femrat më të bukura, që pijnë pije të shtrënjta...Çdo kumarxhi duhet nganjëherë të dalë nga kazinoja dhe të ndeshet me realitetin."
Tinolovka, një bloger nga Kroacia është kritike për festimet në vendlindjen e Titos. "Kjo festë, kjo 'ballo vampirësh' në Kumrovec, vërtet është e panevojshme," shkruan ai. "Çdo tubim njerëzish që mbajnë simbole të çfardo regjimi komunist, fashist apo totalitar, duhet të ndalohet rreptësisht. Ne na duhet të dënojmë çdo krim, sepse një viktimë është një viktimë, pa përjashtim."
Duke komentuar mbi postimin, Marisol shkruan: "Për mua, Tito ishte një figurë pozitive, sido që njerëzit të shkruajnë për të...Im atë la Partinë Komuniste pas 'Pranverës Kroate' dhe më pas ai ishte kundër komunizmit, por është e vërtetë se ai rrojti shumë më mirë në 'errësirë' se tani kur ne jemi mbytur me 'dritë'."
Obadzo duket më i interesuar në jetën dashurore të diktatorit të vdekur. "Ha, kur llogaris gjithëshka, duket se kurrë në historinë kroate nuk kemi patur një kroat që pushtoi kaq shumë zemra dhe bëri dashuri me kaq shumë gra të bukura," shkruan ai.