Shqipëria në Olimpiadë: pa medalje por me shpirt të lartë

05/09/2008

Atletët shqiptarë treguan potencialin e tyre në Pekin por një mungesë e programeve të duhura sportive në vendin e tyre e mbajtën vendin larg podiumit të medaljeve, shkruajnë blogerët.

Nga Balkanblogs për Southeast European Times -- 05/09/08

photo

Romela Begaj e Shqipërisë reagon pas një prove në garën e ngritjes së peshave të kategorisë 58 kg në Olimpiadën e Pekinit. [Getty Images]

Shqiptarët nuk patën shansin të dëgjonin hymnin e tyre të luajtur gjatë ceremonive të medaljeve olimpike në Pekin. Vendi dërgoi 27 atletë atje, grupin e tij më të madh ndonjëherë, por askush nuk u ngjit në podium. Disa nga ta qenë shumë pranë. Mundësi Sahit Prizreni kishte mundësinë por humbi në raundin e 1/8 ndaj kundërshtarit të tij kazak Bazar Bazargunev.

Në peshëngritjen për femra, ndërkaq, Romela Begaj përfundoi e gjashta. Ndonse rezultati nuk ishte mjaft për t'i dhënë asaj një medalje, ajo tregoi entusiazëm e shpirt të lartë. Pasi ngriti me sukses 118 kg në kategorinë 58 kg, ajo i habiti gjyqtarët dhe spektatorët duke bërë një salto për të festuar.

Në forumin e mirënjohur peshku pa uje, blogeri Blendi ka postuar një fotografi të këtij gjesti tashmë të famshëm. Me të vërtetë, sikurse komenton Toni në të njëjtin blog, Begaj pati mjaft arsye për entusiazmin e saj. "Ne duhet të jemi krenare për të. Ajo është vetëm 21 vjeç por renditet e gjashta në botë," shkruan Toni.

Arb është dakord. "Ajo e bëri salton pas ngritjes së saj të fundit, një veprim shumë i ngrohtë dhe të gjithë shikuesit e përshëndetën atë." Por shqipe@ou nuk e pëlqeu këtë. "Më duket e ekzagjeruar," shkruan ajo. "Ajo nuk nuk mori ndonjë të artë, megjithatë bëri atë salto. Më erdhi keq për të."

Për një tjetër komentator, e rëndësishme është që atletët bënë më të mirën e tyre. "Urime të gjithë atletëve shqiptarë që morën pjesë në Olimpiadën Pekin 2008," shkruan Endrjus. "Edhe pse nuk fituam ndonjë medalje, unë i çmoj përpjekjet e tyre."

Baba shton: "Këta atletë janë krenaria e vendit tonë. Ata mund të arrijnë standardet ndërkombëtare por gjithmon u duhet të ndeshin mentalitetin e mbrapshtë që ka mbërthyer qeverinë tonë."

I postuar gjithashtu në peshku pa uje, një artikull i Fatos Lubonjës qahet për mungesën e interesit në sportet midis rinisë shqiptare. Sot në Shqipëri nuk ka më sportistë të mëdhej të tillë si Fagu, Rusi, Pano, Bonati dhe Agalliu, shkruan autori. Dhe nuk është çudi, shton ai, duke konsideruar qindra veprimtari të tjera që tërheqin të rinjtë shqiptarë.

"Ne kemi qindra vende bastesh por jo fusha sportive, qindra kafene po vetëm pakë palestra,' shkruan Lubonja duke fajësuar për gjendjen ministrinë e kulturës, turizmit dhe sporteve si dhe atë të arsimit.

Disa janë dakord. "Problemi është shtruar drejt nga Lubonja, por unë parashikoj se me përdorimin e fushave sportive për ndërtim dhe mungesën e investimeve në sporte për të rinjtë, e ardhmja për sportet e ndryshme në Shqipëri do të jetë edhe më e keqe," shkruan Pjerr Thomas.

Interesimi i rinisë në baret e kafenetë, përkundër atletikës, "i ka rrënjët në modelet e shëmtuara që ofron media," shkruan ThoughtPolice. Media, shton ai, ofron vetëm pak apo aspak programe që nxisin të rinjtë të marrin pjesë në sporte si një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading