Trashëgimia e dhunës e KONGRA-GEL

08/10/2004

Terroristët e KONGRA-GEL i dhanë fund armëpushimit të tyre në qershor dhe rinisën sulmet ndaj forcave të armatosura turke në juglindje. Midis shqetësimeve për sigurimin global dhe reformave të vendit, megjithatë grupi po e gjen veten gjithnjë e më të izoluar e të çoroditur.

Nga Vahit Bora për Southeast European Times në Stamboll - 08/10/04

photo

Ministri i Jashtëm turk, Abdullah Gul, mban bisedime me homologun e tij të SHBA, Kolin Pauell, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. [AFP]

Në Asamblenë e Përgjithshme të 59-të të OKB-së më parë këtë muaj, Ministri i Jashtëm turk, Abdullah Gul, diskutoi një numër çështjesh të rëndësishme me homologun e tij amerikan, Kolin Pauell, duke përfshirë Kongresin për Lirinë e Demokracinë e Kurdistanit ose KONGRA-GEL. Gjatë bisedimeve, Gul i kërkoi Pauell ndihmë të mëtejshme nga SHBA lidhur me grupin terrorist i cili i dha fund në qershor një armëpushimi pesë-vjeçar dhe rinisi sulmet ndaj forcave të armatosura turke në juglindjen e populluar kryesisht nga kurdët. Përleshjet në korrik e gusht rihapën plagët e hidhura të 20 vjetëve të fundit.

Abdullah Oçalan themeloi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si një lëvizje separatiste në 1978. I kapur në 1999 në Kenia dhe sjellë në Turqi, ai u akuzua për vrasjen e mijra njerëzve që nga viti 1984 kur PKK filloi fushatën e saj të dhunës. Gjykata e lartë miratoi dënimin me vdekje të Oçalanit në qershor 1999, por pasi dënimi me vdekje u hoq, ky dënim u kthye në burgim të përjetshëm. Ai ka pesë vjet i burgosur në ishullin Imrali.

Në tetor 1997, Shtetet e Bashkuara e identifikuan PKK si një nga 30 organizatat kryesore terroriste të botës. Pas kapjes së Oçalanit, grupi hyri në një periudhë shrregullimi dhe u përpoq të zhvendosej në fushën politike, duke ndryshuar emrin, së pari në Kongresin e Lirisë dhe Demokracisë së Kurdistanit dhe pastaj, vitin e fundit, në KONGRA-GEL. Të dy grupet pasardhëse u vunë menjëherë në listën e terrorit të SHBA. BE i vuri ato në listën e saj të terrorit në mars.

Përveç përleshjeve me ushtrinë turke, KONGRA-GEL ka kryer vrasje të personaliteteve të mirënjohur dhe sulme ndaj misioneve diplomatike, konsullore, tregtare e turistike jashtë vendit. Sipas shifrave zyrtare, një numër prej 5,300 personel sigurimi janë vrarë dhe 10,600 janë plagosur në sulmet midis viteve 1984 dhe 1999. Humbjet e popullsisë civile janë 4,600 të vrarë e 5,500 të plagosur.

Për vite, Siria ka qenë vendi kryesor që mbështeste PKK. Megjithatë, pas nënshkrimit të memorandumit të Adanasë në 20 tetor 1998, lidhja siriane u pre.

Grupi ka qenë aktiv në vende të tjera fqinjë, duke përfshirë Irakun e Iranin si edhe vende në Europë. Baza e tij kryesore në Europë ishte Gjermania, me popullsinë e saj të madhe turke e kurde. Megjithatë Rumania, Hollanda, Bullgaria, Italia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Austria, Zvicra, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Spanja kanë strehuar zyra të informacionit të PKK apo shoqata të lidhura me të.

Fitimet nga veprimtaritë e organizuara kriminale, kryesisht trafiku i drogës dhe kontrabanda e armëve, kanë përbërë pjesën më të madhe të të ardhurave të PKK. Sipas shërbimeve sekrete britanike, PKK ka qenë përgjegjëse për deri në 40 përqind të shitjes së heroinës në BE.

Shqetësimet e sigurimit global në rritje dhe ndryshimet e politikës e kanë lënë megjithatë mënjanë grupin. Reformat gjyqësore, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, kanë ndihmuar të shpërndahen tensionet. Televizioni shtetëror turk ka nisur transmetimet në gjuhën kurde, një masë praktikisht e pakonceptueshme pesë vjet më parë.

Aktivistët kurdë po bëjnë thirrje për paqe dhe po dënojnë gjakderdhjet e fundit. Ndërkohë, KONGRA-GEL duket e ndarë rreth së ardhmes së saj dhe e izoluar gjithnjë e më tepër nga popullsia kurde për të cilën ajo pretendon se lufton.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading