Erdogan i Turqisë premton më shumë të drejta demokratike për kurdët

05/04/2006

Pas një jave trazirash midis protestuesve pro-kurdë dhe forcave qeveritare, kryeministri i Turqisë ka premtuar më tepër liri e të drejta, ndërsa theksonte se qeveria nuk do t'i dorëzohej dhunës.

(AFP, Turkish Daily News - 05/04/06; AP, Reuters, AFP, BBC, VOA - 04/04/06)

photo

"Askush nuk do të guxojë të provojë forcën e shtetit apo të vendit," tha Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan. [AFP]

Qeveria nuk do të epet ndaj dhunës, tha të martën (4 prill) Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, pas një jave përleshjesh vdekjeprurëse midis protestuesve pro-kurdë dhe forcave të sigurimit, që kanë lënë 16 vetë të vdekur duke përfshirë fëmijë.

"Askush nuk do të guxojë të provojë forcën e shtetit apo të vendit," tha kreu turk duke ju drejtuar deputetëve të Partisë së tij për Drejtësi e Zhvillim (AKP) në një fjalim në parlament.

Turqia akuzon Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për orkestrimin e dhunës e cila shpërtheu në juglindjen e mbizotëruar nga kurdët, në 28 mars dhe u hap deri në Stamboll gjatë javës. Demonstratat, ku u bashkuan mijra kurdë, pasuan funeralet e 14 militantëve të PKK të vrarë në përleshjet me ushtrinë, rindezën frikën e një përtëritjeje të dhunës etnike të viteve 1990.

Një fushatë e armatosur 15-vjeçare udhëhequr nga PKK për vetëqeverisje në Turqinë juglindore, ka lënë mbi 30,000 vetë të vdekur. Fundi i konfliktit më 1999, kur grupi deklaroi një armëpushim të njëanshëm, u pasua nga një periudhë pesë-vjeçare relativisht e qetë. Megjithatë, grupi e prapsoi armëpushimin në 2004.

PKK, e njohur gjithashtu me emrin e saj të ri Kongra-Gel, është parë si një grup terrorist nga Turqia, BE dhe Shtetet e Bashkuara.

"Ne përsëritim dënimin tonë të fuqishëm për të gjitha grupet terroriste, duke përfshirë PKK," tha të hënën Adam Ereli, ndihmës i zëdhënësit të departamentit të shtetit të SHBA, duke shprehur gjithashtu keqardhjen e e Uashingtonit për humbjen e jetëve në protestat e nga përkrahësit e PKK. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara po u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtjen.

Të martën, komisioneri i zgjerimit të BE, Olli Rehn u bëri thirrje autoriteteve turke të "përmbahen në përdorimin e tepruar të forcës."

Në fjalën e tij për deputetët e AKP të martën, Erdogan tha se qeveria e tij nuk do të përkulet ndaj terroristëve dhe i premtoi pakicës turke më shumë demokraci, investime dhe reforma.

"Ndërsa ata përpiqen të kthejnë në kapital urrejtjen dhe armiqësinë, ne do të ndërtojmë më tepër rrugë, më tepër spitale, më tepër shkolla e më tepër vende pune," tha Erdogan. "Ne nuk do të heqim dorë nga drejtësia dhe demokracia. Do të sjellim më tepër liri, më tepër demokraci, më tepër mirëqënie, më tepër të drejta dhe drejtësi."

Asnjë vend nuk mund ta tolerojë dhunën si një mjet politik, shtoi ai.

"Këta tradhëtarë janë ngritur përsëri sepse e dinë se toka po u rrëshket nën këmbë dhe se janë varrosur nga historia," tha Erdogan, duke ju refereuar PKK. "Këto janë grahmat e tyre të fundit."

Forcat turke të sigurimit gjetën 10 kg eksploziv plastik në një varrezë në distriktin Esenjurt të Stambollit, raportoi AFP të mërkurën, duke cituar një deklaratë nga zyra e guvernatorit të Stambollit. Eksplozivat është thënë se janë përdorur në të kaluarën kryesisht nga PKK dhe një grup i ndarë prej saj, Fajkojtë e Lirisë të Kurdistanit.

Duke hedhur poshtë kritikat nga Partia e Shoqërisë Demokratike (DTP), një parti pro-kurde, Erdogan i kërkoi asaj të deklaronte PKK një grup terrorist, duke thënë se ai nuk do të takohej me krerët e partisë deri sa të ndodhte kjo.

"Këta terroristë janë trembur nga paqja," tha ai. "Ata ushqehen me urrejtje, U bëj thirrje të gjithëve të marrim qëndrim ndaj terrorizmit. Në vend është një qeveri e fortë . Ata që e marrin dhëmbshurinë e shtetit si dobësi, gabohen."

DTP, megjithatë fajëson forcat turke të sigurimit për kontributin në shkallëzimin e dhunës. Në një deklaratë të martën, partia bëri thirrje gjithashtu për heqjen e pragut 10 përqind të votës në mënyrë që partitë politike të mund të përfaqësohen në parlament.

Duke hequr pragun, thoshte ajo, do të sigurohet një "përfaqësim i rregullt i kurdëve" në legjislaturën kombëtare.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading