Shtetet e Bashkuara hap ambasadë në Kosovë

10/04/2008

Zyra e SHBA në Prishtinë u bë zyrtarisht të martën ambasada e SHBA në Kosovë. Ndryshimi pasqyron një fazë të re në angazhimin e Uashingtonit ndaj një shteti të ri të pavarur, thanë zyrtarët e SHBA.

Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë – 10/04/08

photo

Nga e majta: presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA, Tina Kaidanov, ndjekin ceremoninë e ambasadës së SHBA në Prishtinë të martën (8 prill). [Laura Hasani]

Zyra e SHBA në Prishtinë u bë zyrtarisht të martën (8 prill) ambasada e SHBA në Kosovë. Shtetet e Bashkuara ju bashkuan Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Zvicrës në hapjen e ambasadave në Kosovë që kur ish krahina shpalli pavarësinë nga Serbia në 17 shkurt.

"Si një rrjedhojë e statusit të ri të Kosovës si një vend i pavarur njohur nga shumica e vendeve më të fuqishme e më të begata të botës, ne na është dhënë leja tani nga kongresi i SHBA për të hapur zyrtarisht një ambasadë të plotë të SHBA," tha e ngarkuara me punë Tina Kaidanov.

Misioni i parë i SHBA në Kosovë u vendos në 6 korrik 1996 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimet e rëndësishme.

"Ndërsa Zyra e SHBA në Prishtinë ka operuar për shumë vjet me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të ngarkuar diplomatik, përcaktimi si një ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonëdhe nënvizon angazhimin tonë të thellë e të gjatë për të punuar në përparimin e Kosovës dhe të gjithë popullit të saj," tha Kaidanov.

"Çdo ditë, ne përfshihemi në përpjekjet që kanë për qëllim përmirësimin e jetëve të njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe trajtimin e nevojave të shumë komuniteteve të ndryshme etnike të Kosovës," shtoi ajo.

Misioni i SHBA ka punuar për të përmirësuar ecurinë ekonomike të Kosovës, për të zhvilluar institucionet e saj demokratike, për të kremtuar trashëgiminë e saj të ndryshme kulturore dhe etnike dhe për të garantuar të drejtat e plota për të gjitha komunitetet etnike. "Ne kemi zhvilluar kontakte me një rang të madh njerëzish nga çdo prejardhje dhe orientim politik dhe ne vlerësojmë njohuritë dhe opinionet që ata kanë ofruar," tha Kaidanov.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili ndoqi ceremninë e së martës, perifrazoi presidentin e vdekur Ibrahim Rugova i cili lavdëroi miqësinë midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. "Shtetet e Bashkuara është miku ynë dhe ne do të bashkëpunojmë ngushtë."

Sejdiu tha se hapja e ambasadës ishte vetëm njëra pjesë e vendosjes së lidhjeve diplomatike. Pjesa e dytë vjen kur Kosova të hapë ambasadën e saj në Uashington.

Kryeministri Hashim Thaçi i bëri jehonë kësaj ideje duke thënë se hapja ishte më tepër se një ndryshim statusi. "Fuqizimi i kësaj zyre me statusin e ambasadës i thotë botës se Shtetet e Bashkuara ka besim te Kosova. Dhe ne si një popull përulemi me nderim."

"Ndërsa Kosova vazhdon në udhëtimin e saj midis vendeve të lira e demokratike në botë, ne kurdoherë do të kemi një vend të veçantë në zemrat tona për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës," shtoi Thaçi.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading