Parlamenti Evropian kërkon konsensus demokratik në Turqi

26/05/2008

Me një grindje midis qeverisë së partisë me rrënjë islamike AKP dhe gjyqësorit sekular që përbën krizën politike të Turqisë, Parlamenti Evropian (PE) ka ndërhyrë në të dhe u ka kërkuar të dy palëve të përmbahen nga masat e diskutueshme.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 26/05/08

photo

PE miratoi javën e shkuar raportin e përparimit të Turqisë për 2007. [Getty Images]

Në një raport javën e kaluar, Parlamenti Evropian (PE) i kërkoi qeverisë me rrënjë islamike të Turqisë dhe opozitës sekulare të kërkojnë konsensus dhe t'u përmbahen parimeve demokratike me qëllim që të shmangin një krizë më të thellë politike.

Raporti i rëndësishëm, miratuar të mërkurën (21 maj), shpreh gjithashtu shqetësim rreth rastit gjyqësor të mbylljes së Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP). PE i bëri thirrje gjykatës së lartë të Turqisë të respektojë rendin e ligjit, standardet evropiane dhe udhëzimet për likuidimet e partive politike.

Tensionet mbi një kërcënim të perceptuar të sekularizmit janë ndezur në intervale që kur partia e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan mori fuqinë në 2002. Vitin e kaluar, kur AKP emëroi Abdullah Gul si president, ushtria turke paralajmëroi se do të mbronte me çdo kusht sekularizmin. Një fitore vendimtare në zgjedhjet e parakohëshme të korrikut 2007, megjithatë i dha AKP një mandat të fortë nga votuesit dhe Gul u ripropozua dhe u zgjodh.

Në mars të këtij viti, kryeprokurori i Turqisë mbushi një padi për të mbyIlur partinë, duke akuzuar se ajo kishte penguar karakterin sekular të shtetit. Padia është tani përpara Gjykatës Kushtetuese ku tetë nga 11 gjykatësit janë caktuar nga paraardhësi i Gul, sekularisti i patundur Ahmet Nexhdet Sezer.

Grindja midis Ankarasë dhe gjyqësorit të vet u nxeh javën e fundin, me Gjykatën e Lartë të Apelit që fajëson qeverinë për bërjen presion ndaj gjykatësve dhe përpjekjen për të prishur parimet sekulare të republikës. AKP kundërshton pretendimet e ndjekjes së një axhende të fshehtë për islamizimin dhe e përshkruan veten si një parti "demokratike konservatore".

Në raportin e përparimit të Turqisë për 2007, që PE e miratoi me një votim 467-62, parlamenti pranoi shqetësimet sekulariste. Por ai këmbënguli se nuk kishte opsion tjetër veç demokracisë për zgjidhjen e bllokimit të tanishëm dhe rinisjes së procesit të Turqisë për në BE.

"[Ne] inkurajojmë qeverinë turke të bëjë përpjekje të mëtejshme sistematike për të garantuar se udhëheqja e zgjedhur demokratikisht mban përgjegjësi të plotë për formulimin e politikës së brendëshme, të jashtme e të sigurisë," tha MEP.

Raporti u zotua gjithashtu për mbështetje për një "kushtetutë civile", që ai e quajti një mundësi kyçe për të mishëruar të drejtat e njeriut dhe liritë bazë në thelbin e kushtetutës.

Komisioneri i zgjerimit i BE Olli Rehn, një mbështetës e fortë i procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE, ju drejtua deputetëve dhe shprehu shpresë se Turqia do ta kapërcejë krizën. Ai kërkoi "që një dialog i sinqertë politik të nisë në Turqi dhe se demokracia dhe sekularizmi të respektohen.".

Raporti i bëri thirrje gjithashtu Ankarasë të zgjerojë liritë e shprehjes, të garantojë të drejtat e pakicave jo-muslimane dhe t'u japë pushtet grave.

Deputetët përveç kësaj i kërkuan Turqisë të kërkojnë një zgjidhje afat-gjatë të problemit kurd.

"Kjo mund të bazohet vetëm në përmirësimet konkrete në mundësitë kulturore, ekonomike dhe sociale ...duke përfshirë mundësitë reale për të mësuar gjuhën kurde brenda sistemit shkollor privat e publik dhe të përdoret ajo në transmetim, në jetën e përditëshme dhe në aksesin ndaj shërbimeve publike," tha ai. PE rekomandoi që Partia pro-kurde e Shoqërisë Demokratike (DTP) ta distancojë veten qartë nga PKK dhe të kërkojë një zgjidhje paqësore kurde brenda shtetit demokratik turk.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading