05/06/2008
Komandanti i EULEX Yves de Kermabon e quajti vizitën e tij në enklavën serbe të Kosovës si “shumë të frutshme”.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Dobratin/Lypjan -- 05/06/08
![]() Misioni i BE-së në Kosovë duhet të vendosej në mesin e qershorit, por mund të shtyhet. [EU] |
Yves de Kermabon, komandanti i misionit të EULEX, arriti të martën (3 qershor) për një vizitë në Kosovë. Udhëtimi kishte për qëllim demonstrimin e angazhimit ndërkombëtar në Kosovë, midis pengesave të fundit që mund të shtyjnë fillimin e punës së misionit.
"Bisedimet midis BE-së dhe OKB-së mbi një rekonfigurim të mundshëm të pranisë ndërkombëtare në Kosovë janë duke vazhduar, por nuk është puna ime të diskutoj çështje politike,” tha de Kermabon gjatë një vizite në enklavën serbe të Dobratin, 10km nga Prishtina. "Detyra ime është të jem në terren dhe të kem parasysh aspiratat e njerëzve.”
"Arsyeja pse jam sot këty është që të dëgjoj njerëzit, të mësoj çfarë duan ata dhe të qetësoj dyshimet e tyre,” u shpreh ai, duke shtuar se takimi me fshatarët ishte shumë frytdhënës.
De Kermabon foli me Nesha Stojanovic, i cili punon për një institucion paralel me qendër në Gracanicë dhe financohet nga qeveria serbe. Vajza e tij punon për qeverinë serbe.
Sipas Stojanovic, serbët e papunë marrin 130 euro çdo muaj nga Serbia, ndërsa serbët që punojnë për strukturat paralele në Kosovë fitojnë 250 deri 300 euro. "Serbët duhet të integrohen në realitetin e ri të Kosovës," tha ai.
Ndërkohë, ministri kosovar i punës dhe mirëqenies sociale Nenad Rasic, i cili shoqëroi de Kermabon në udhëtimin e tij, u shpreh se ai do të bëjë gjithçka të mundshme për të përmirësuar kushtet e jetesës të serbëve të Kosovës. Rasic u shpreh se vizita në Dobratin kishte për qëllim informimin e komunitetit mbi misionin e EULEX dhe funksionet e tij teknike.
Ai u shpreh se Kosova, në bashkëpunim me EULEX, do të bëjë gjithçka mundet për të siguruar perspektivë të qëndrueshme në sigurinë, drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik për komunitetin etnik serb.
De Kermabon u shpreh se puna në terren për vendosjen e misionit të EULEX në të gjithë Kosovën po vazhdon. Lidhur me problemet e mundshme në veri, de Kermabon u shpreh se vizita e tij në fshatrat e banuara me shumicë serbe si në Dobratin tregon se EULEX planifikon të vendoset në të gjithë Kosovën dhe ti shërbejë të gjithë qytetarëve. Ai shtoi se misioni do të mbështesë institucionet e Kosovës.