Stanishev i Bullgarisë do raport të balancuar të BE

10/06/2008

Kryeministri bullgar paralajmëron se një vlerësim negativ i KE dhe sanksionet mund të shkurajojnë reformën dhe të mbjellin paqëndrueshmërinë politike.

(FT, Dnevnik, Mediapool, Europe.bg - 10/06/08; SNA, Dnevnik, Mediapool, Europe.bg, Bulgarian Government - 09/06/08; BBC - 07/06/08; Mediapool - 04/06/08; The Times - 23/05/08)

photo

"Detyra e kabinetit është të arrijë gjithëshka që mund të arrihet. Gjithsesi, do të ketë raporte të ardhëshme," tha kryeministri bullgar Sergej Stanishev. [Getty Images]

Kryeministri bullgar Sergej Stanishev shprehu shpresë të hënën (9 qershor) se një raport i ardhshëm mbikqyrës i Komisionit Evropian (KE) mbi vendin e tij duhet të vërë në dukje jo vetëm të metat por edhe arritjet gjithashtu.

Raporti që pritet në 16 qershor, do të jetë i dyti për këtë vit. Në një raport të përkohshëm në shkurt, Brukseli kritikoi Bullgarinë për rezultatet e saj jobindëse në reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa zotohej të merrte veprim, vendi ballkanik ka qenë i ngadalshëm në zbatimin e masave të kërkuara. Ai megjithatë, ngriti një Agjensi Shtetërore të Sigurimit Kombëtar për të ndihmuar me krimin e organizuar. Një tjetër hap ishte caktimi në prill i ish ambasadores së Sofjes në Gjermani, Meglena Plugçieva si nënkryeministre e ngarkuar me mbikqyrjen e përdorimit të fondeve të BE.

Ajo u bashkua me kabinetin si pjesë e një riorganizimi të madh të qeverisë në të cilin u zëvendësuan ministrat e shëndetësisë, bujqësisë, mbrojtjes si edhe ministri i brendshëm Rumen Petkov. Masa pasoi një skandal që lidhte Petkov, një anëtar i lartë i Partisë Socialiste Bulgare (BSP) të Stanishevit dhe disa zyrtarë të tjerë të ministrisë me të dyshuar të krimit të organizuar.

Ministri i zhvillimit rajonal dhe punëve publike Asen Gagauzov u kursye ndonëse u bë e qartë më parë këtë vit se kreu i agjensisë rrugore i kishte dhënë vëllait të vet kontratat me vlerë rreth 50 milion euro.

Dyshimet rreth mashtrimeve të mundëshme në përdorimin e fondeve të BE bënë KE të ngrijë rreth 400 milion euro në ndihmë për Bullgarinë. Brukseli i dha gjithashtu Bullgarisë deri në 16 qershor për të bërë 25 përmirësime në mënyrën e trajtimit të parave të taksapaguesve të BE.

Një raport negativ i BE mund të shpinte potencialisht në sanksione të mëtejshme dukie përfshirë mosnjohjen e vendimeve të gjykatës bullgare nga vende të tjera anëtare të BE.

Në një intervistë me të përditëshmen britanike Financial Times (FT), botuar të martën (10 qershor), Stanishev tha se penalizimi i vendit të tij mund të "dëmtojë procesin e reformës" dhe të mbjellë paqëndrueshmëri politike. Partitë e opozitës kanë kërcënuar të shtyjnë për rrëzimin e koalicionit qeverisës të kryesuar nga BSP dhe për zgjedhje të parakohëshme parlamnetare në qoftë se raporti i ardhshëm shkakton sanksione.

"Duhet kohë për të vënë këto standarde të reja evropiane," tha Stanishev. "Në qoftë se e krahason Bullgarinë me Suedinë, Hollandën apo Britaninë, mund të shohësh shumë probleme ende...por [këto vende] kanë patur qindra vjet demokraci."

"Ne kemi 20 vjet prapa dhe në këtë peirudhë kohe, ajo që kemi arritur është një revolucion," shtoi ai.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading