11/06/2008
Policia arrestoi tre vetë që pretendohet se kanë vjedhur 25,000 euro në tre muaj.
Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup – 11/06/08
![]() Të dyshuarit thuhet se fallsifikuan kredit kartat që u përkisnin të huajve. [Dosje] |
Policia maqedonase arrestoi tre të dyshuar në fund të muajit të shkuar për mashtrim me kredit kartat. Paisur me urdhër-arrest, policia ndaloi treshen në 22 maj dhe kontrolloi shtëpitë e tyre, telefonat celularë, kardat SIM të telefonave dhe një kompjuter. Ata i kthyen paisjet për hetim të mëtejshëm.
Sipas ministrisë së brendëshme, të dyshuarit kryen një formë të përpunuar mashtrimi me kredit kartat e lidhura me llogaritë e të huajve të ndryshëm. Një i dyshuar thuhet se regjistroi të gjitha kartat në emrin e tij pasi i bleu ato për 50 euro secila nga një i dyshuar tjetër. Hetuesit thonë se pasi tërhoqën para nga llogaritë e viktimave, ata do të blinin mallra dhe do t'i transportonin me makinën e të dyshuarit të tretë.
Policia nisi operacionin ATM vitin e kaluar. Deri atë kohë, më tepër se 400 gjermanë raportuan humbje prej 1.3 milion euro. Dega gjermane e Interpol informoi ministrinë e brendëshme të Maqedonisë për përfshirjen e shtetasve maqedonas në rrjetin e krimit, që operonte në shumë vende në të njëjtën kohë.
Kjo nuk është përfshirja e parë e shtetasve maqedonas në krimin ndërkombëtar të kredit kartave. Policia beson se tre të dyshuarit janë pjesë e një grupi anëtarët e të cilit u arrestuan në prill në Greqi, duke përfshirë Sasho Kainovski-Panki, një këngëtar i shquar maqedonas i grupit pop Kuku Lele.
Policia greke e arrestoi Kainovski-Panki kur përpiqej të hynte në Maqedoni nga Greqia. Pas disa ditë në burg, ai u ekstradua në Itali. Këngëtari, së bashku me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, thuhet se vodhi miliona euro nga pronarët e kredit kartave në Gjermani, Francë, Itali, Greqi e vendet e tjera evropiane. Ministritë e brendëshme të disa vendeve po bashkëpunojnë për të prishur këtë rrjet krimi.
Të dyshuarit thuhet se zotërojnë të ashtuquajturit "mjelës" për vjedhjen e të dhënave personale nga kredit kartat. Hetuesit thonë se ata udhëtonin në vendet perëndimore me dokumente të fallsifikuara udhëtimi, duke vjedhur të dhënat personale dhe duke i përdorur këto të dhëna për gjeneruar lidhje të kredit kartave me llogaritë e kartëmbajtësve që nuk dyshoheshin. Viktimat qenë në dijeni të krimit pasi humbnin disa mijra euro.
Një zëdhënës për ministrinë e brendëshme, Ivo Kotevski thotë se operacioni ATM do të vazhdojë deri sa autoritetet të zgjidhin rastin.