12/06/2008
Stojan Zupljanin, një nga katër të arratisurit e mbetur për krime të luftës ende të kërkuar nga gjykata e OKB, u arrestua të mërkurën pranë Beogradit. Duke përshëndetur lajmin, zyrtarët perëndimorë i kërkuan Serbisë të sigurojë që tre të tjerët të përballen gjithashtu me drejtësinë.
(Blic - 12/06/08; Reuters, AP, AFP, DPA, AKI, BBC, CNN, Beta, B92, UN News Centre, Office of the High Representative, US Department of State - 11/06/08)
![]() Policia e posaçme e Republika Srpska rri në roje gjatë një kontrolli të shtëpisë së prindërve të të dyshuarit të arratisur për krime lufte Stojan Zupljanin në prill, në Banja Luka. Policia e arrestoi Zupljanin të mërkurën (11 qershor). [Getty Images] |
Autoritetet serbe morën vlerësim të mërkurën (11 qershor) për kapjen e një të arratisuri të rëndësishëm të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) që nga 1999.
Ish komandanti i policisë serbe boshnjake, Stojan Zupljanin, 56 vjeç, një nga katër të arratisurit për krime lufte mbetur të kërkuar nga gjykata e OKB, u arrestua nga policia dhe agjentët e sigurimit serb në një apartament në Pançevo, një qytet jashtë Beogradit. I dyshuari, i cili i shpëtoi për pak kapjes në Nish dy muaj më parë, ishte i armatosur por nuk bëri rezistencë, thanë zyrtarët.
Një zëdhënës për zyrën e posaçme serbe të prokurorisë për krimet e luftës tha se Zupljanin do të transferohet në hagë brenda 72 orësh.
I sjellë përpara një gjykatësi hetues, ai mohoi qënien person në kërkim nga ICTY dhe paraqiti dokumente që e identifikonin atë me Branislav Vukadin nga qyteti serb verior Baçka Palanka. Një test i DNA vërtetoi megjithatë se ai ishte Zupljanin.
Zyrtarët serbë thonë se arrestimi demonstron se Beogradi po bën gjithëshka për të përmbushur detyrimet e tij nga gjykatës së OKB.
"Ky arrestim tregon qartë se ne po bashkëpunojmë seriozisht [me ICTY] dhe se ka vullnet politik për bashkëpunimin e plotë," i tha B92 me bazë në Beograd, prokurori i posaçëm i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç, i cili bashkërendoi operacionin.
ICTY lëshoi padinë fillestare kundër ish komandantit të Qendrës Rajonale të Sigurisë në Banja Luka, në dhjetor 1999 por e mbajti atë të panxjerrë për 19 muaj. Akuzat fillestare të genocidit dhe të pjesëmarrjes në genocid nuk u konfirmuan në një padi të dytë, të amenduar lëshuar kundër Zupljanin në tetor 2004. Ai tani përballet me 12 akuza për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës për përfirjen në një mori mizorish të kryera kundër jo-serbëve në fazën e herëshme të konfliktit 1992-1995 në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH).
Zupljanin, pretendojnë prokurorët e OKB, mori pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale objektivi i së cilës ishte "të eleminoheshin dhe të hiqeshin përgjithmonë, me forcë apo mjete të tjera, muslimanët boshnjakë dhe kroatët boshnjakë nga territori" i së vetëshpallurës Rajoni Autonom i Krajinës.
Zyrtarët perëndimorë përshëndetën arrestimin, që shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana, e quajti "lajm i mirë".
"Të procedosh, arrestosh dhe t'i vësh përpara një gjykate ndërkombëtare njerëzit për të patur një gjyq të rregullt, është diçka me përfitim për gjithsecilin," citon AFP atë të thoshte.
Bashkëpunimi i plotë me ICTY është një kusht kyç për përparimin e mëtejshëm të Serbisë përgjatë rrugës së pranimit në BE. Ende të kërkuar nga gjykata e Hagës janë udhëheqësi serb boshnjak i kohës së luftës Radovan Karaxhiç, komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç dhe kreu rebel kroat Goran Haxhiç.
Duke përshëndetur arrestimin e Zupljanin, komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha se ai "është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të plotë të Serbisë me gjykatën e Hagës, gjë që është kyçi për sjelljen e drejtësisë dhe pajtimin e qëndrueshëm në Ballkan".
Zyrtarët e ICTY dhe të SHBA përshëndetën gjithashtu kapjen dhe bënë thirrje që të dyshuarit e mbetur të sillen në drejtësi.
"Arrestimi i tij është një tjetër hap pozitiv drejt garancisë se ata që janë përgjegjës për krimet e luftës në ish Jugosllavi po mbahen përgjegjës," tha zëdhënësi i departamentit të shtetit Gonzalo Gallegos.
Javën e shkuar, kryeprokurori i OKB Serge Bramertz i tha Këshillit të Sigurimit të OKB se të arratisurit që ende kërkohen nga Haga qenë "brenda dorës së autoriteteve serbe".
"Ne shpresojmë se të tjerët gjithashtu do të përfundojnë në Hagë shpejt," tha të mërkurën zëdhënësja e prokurorisë së ICTY, Olga Kavran.
Ajo u tha gjithashtu gazetarëve se "brenda një ditë apo dy" pas transferimit në Hagë, Zupljanin "do të bëjë daljen e tij të para përpara gjykatësve dhe do t'i jepet mundësia të vetëdeklarohet për fajin".
Në BiH, anëtari boshnjak i presidencës tre-palëshe të vendit, Haris Silajxhiç, vlerësoi arrestimin e së mërkurës si "një hap në drejtimin e duhur," ndërsa Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak u zotua se "presioni ndaj rrjeteve mbështetëse të të arratisurve do të vazhdojë".
Nënkyeministri serb Bozhidar Gjeliç ndërkohë shprehu shpresë se arrestimi i Zupljanin do të provojë se Serbia po bën çmos për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare dhe do të lehtësojë ratifikimin e marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit të vendit të tij me BE.
Por qeveria hollandeze ka treguar se nuk do ta dërgojë marrëveshjen në parlament për ratifikim deri sa një tjetër i arratisur i rëndësishëm për krimet e luftës të mbetet i lirë.
"Prova më e mirë e bashkëpunimit të plotë me gjykatën do të jetë arrestimi dhe ekstradimi i Ratko Mlladiç," citoi B92 me bazë në Beograd, ambasdorin hollandez në Serbi, Ron van Dartel të thoshte.