Shtetet e Bashkuara dhe BE dakord të mbështesin zhvillimin e Kosovës

12/06/2008

Në një deklaratë në samitin SHBA-BE në Slloveni, të dy palët premtuan të bashkëpunojnë në sigurimin e një kalimi të butë të pushtetit midis misioneve të OKB dhe BE në Kosovë.

Nga Blerta Foniq-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë -- 12/06/08

photo

Presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush (majtas) dhe kryeministri slloven Janez Jansa flasin me shtypin në Brdo. [Getty Images]

Përfaqësuesit e SHBA dhe të BE nënshkruan të martën (10 qershor) një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e integrimit rajonal dhe zhvillimit institucional e ekonomik të Kosovës, gjatë një samiti mbajtur në Brdo pri Kranju, Slloveni. Axhenda mbulonte çështje rajonale e politike, sigurimin global, sfidat e sotme globale dhe tregtinë dypalëshe.

Lidhur me Kosovën, BE tha se ai "përshëndet pjesëmarrjen e SHBA në" misionin e bllokut EULEX që pritet të zëvëndësojë përfundimisht UNMIK.

"Ne do të bashkëpunojmë mbi kompletimin e një tranzicioni të butë nga UNMIK te përgjegjësitë e EULEX për rendin e ligjit dhe vendosjen e plotë të misionit anembanë Kosovës, gjë që është thelbësore për stabilitetin e Kosovës," thoshte deklarata e përbashkët.

Shtetet e Bashkuara dhe BE përshëndetën përparimin e Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje dhe Herzegovinës dhe malit të Zi në udhën e integrimit në Bashkim.

Dokumenti mbulonte një rang të gjerë temash të diskutuara nga presidenti Xhorxh W. Bush dhe krerët e BE, duke përfshirë kryeministrin slloven dhe presidentin e Këshillit të BE, Janez Jansa.

"Ky është takimi i tetë BE-SHBA dhe mesazhi im në fund është se është vërtet e rëndësishme për SHBA të qëndrojë afër me BE," tha Bush gjatë një konference shtypi pas takimit. "Është në interesat tona që BE të jetë e fortë dhe e gjallë dhe është në interesat tona të punojmë shumë për të patur një partneritet që zgjidh problemet dhe ne diskutuam shumë probleme sot."

Bush foli rreth Kosovës me homologun e tij slloven Danilo Turk. "Të dy presidentët diskutuan situatën në Kosovë, procesin paqësor në Lindjen e Mesme dhe disa çështje ndërkombëtare," tha zyra e presidentit slloven.

Gjatë udhëtimit të tij, siç u raportua nga Reuters, Bush do të kërkojë mbështetje nga BE për luftimin e sëmundjeve të kurueshme në Afrikë dhe rritjen e numrit të punonjësve të kujdesit mjekësor në atë kontinent.

Vëzhguesit presin që Bush të nxisë BE për një strategji ndaj Iranit. Të hënën, një diplomat i tha shtypit se SHBA do të donte të shihte që BE të vinte më tepër kontrolle ndaj veprimtarisë bankare të Iranit.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading