13/06/2008
Ministrat e mbrojtjes së NATO-s ranë dakord të enjten të zgjerojnë mandatin e KFOR për të përfshirë trainimin e ushtrisë së re të Kosovës.
(Euobserver - 13/06/08; AP, Reuters, AFP, DPA, Deutsche Welle, BBC - 12/06/08)
![]() "Ne kemi rënë dakord sot të zbatojmë detyrat e reja në Kosovë. Me këtë vendim NATO do të jetë në gjendje të ndihmojë Kosovën në ndërtimin e institucioneve të nevojshme demokratike të sigurisë," tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer. [Getty Images] |
Një vendim nga ministrat e mbrojtjes së NATO-s të enjten hapi rrugën për KFOR që të nisë trainimin e ushtrisë së re të Kosovës menjëherë pasi kushtetuta e shtetit të ri të pavarur të hyjë në fuqi të dielën.
"NATO do të mbikqyrë shfuqizimin e Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK) dhe do të mbikqyrë dhe mbështesë ngritjen dhe trainimin e një Force të kontrolluar civile të Sigurisë së Kosovës (KSF)," citoi DPA sekretarin e përgjithshëm të NATO Jaap de Hoop Shefer , të thoshte në Bruksel.
Masa, vuri në dukje gjithashtu ai, do të lejojë Aleancën të mbështesë përpjekjet e Kosovës në ndërtimin e institucioneve të nevojshme demokratike të sigurisë.
Ndërsa Kosova shpalli njëanshmërisht pavarësinë nga Serbia në 17 shkurt, kryeministri Hashim Thaçi riafirmoi angazhimin e Prishtinës për propozimin e zgjidhjes së ish të dërguarit të posaçëm të OKB Marti Ahtisaari.
Plani parashikonte, mes të tjerash, shkrirjen e TMK dhe krijimin e KSF si një forcë e lehtë e armatosur shumë-etnike me deri në 2,500 anëtarë. Është ende e paqartë megjithatë në qoftë se përfaqësuesit e pakicës serbe të Kosovës janë të përgatitur të bashkohen me forcën, sipas zëdhënësit të NATO-s Xhejms Apathurai. Mbështetur nga Serbia dhe Rusia, komuniteti mbetet kundra me forcë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Fillimisht, KSF do të përqëndrohej në menazhimin e krizave, mbrojtjen civile dhe pastrimin e minave, tha de Hoop Shefer të enjten.
Qëllimi i NATO-s është të ketë një forcë prej 1,200 vetësh krejtësisht operacionale deri nga fundi i këtij viti, raportoi AP duke cituar diplomatë të paidentifikuar.
Por 636 trupat e Spanjës në Kosovë nuk do të marrin pjesë në përpjekjet e NATO-s për të trainuar KSF ndërsa Rumania dhe Sllovakia ka gjasa të vendosin mbi çështjen në një datë të mëvonëshme. Të tre vendet nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ngulin këmbë që pjesëmarrja e tyre në misionin e trainimit do të nënkuptonte de facto njohjen.
Sipas marrëveshjes së të enjtes, do të krijohet një fond i posaçëm për projektin e KSF jashtë buxhetit të përgjithshëm të NATO. Ndërsa Spanja do të mbajë kontigjentin e saj në KFOR-in prej 16,000 trupash, ajo nuk do të kontribuojë me ndonjë fond për misionin.
Turqia megjithatë, bllokoi një ndryshim të propozuar të planit operacional të KFOR lidhur me bashkëpunimin midis forcës së kryuesuar nga NATO dhe EULEX, duke argumentuar se kjo do të thoshte të ndante informacion të ndjeshëm ushtark me Qipron, që është një anëtare e BE por jo e Aleancës 26-vendëshe.
Vëzhguesit besuan se kjo do të sillte vështirësi për përpjekjet ndërkombëtare në Kosovë.
De Hoop Shefer nuk u duk të ndante megjithatë të tilla shqetësime. "Ne e dimë ku jemi në marrëdhëniet midis UNMIK dhe KFOR dhe misioni EULEX do të ketë një marrëdhënie me UNMIK," tha ai. "Asnjë komandant i KFOR nuk do të qëndronte më nge po të kishte një urgjencë dhe njerëzit të qenë në udhë të rrezikshme: kjo duhet të jetë krejt e qartë."