17/06/2008
Plani i kohëve të fundit i sekretarit të përgjithshëm të OKB Ban Ki-mun thotë se ngjarjet në Kosovë kanë pasoja të rëndësishme operacionale për UNMIK dhe se misioni duhet të përshtatet me zhvillimet.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë -- 17/06/08
![]() Plani i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki-mun i jep autoritet misionit të BE. [Getty Images] |
Krerët e Kosovës ju përgjigjën pozitivisht një propozimi për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në shtetin e sapobërë të pavarur. Plani, paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki-mun të enjten (12 qershor) në Këshillin e Sigurimit, i jep më shumë autoritet misionit të EULEX mbi policinë, gjykatat dhe institucione të tjera në Kosovë.
Ban tha se BE është gati të vërë personel në terren në Kosovë, në sektorët e policisë, drejtësisë dhe doganës dhe se OKB do të mbajë një prani atje për të kryer "detyra të kufizuara, të mbetura".
"Unë besoj se [OKB] po përballet me një realitet të ri në Kosovë me pasoja operacionale" për UNMIK që duhen marrë parasys, thoshte Ban në raportin e tij. "Mosbërja kështu shpie në tensione në rritje me Kosovën duke përfshirë atë midis komuniteteve të Kosovës."
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu konfirmoi se qeveria, në përgjithësi, e mbështet planin e Ban, i cili nuk kërcënon sovranitetin e krahoinës së mëparshme. "Kosova është gati të bashkëpunojë me [OKB] në transferimin e kompetencave nga UNMIK te institucionet e Kosovës dhe EULEX," tha Sejdiu.
"Unë jam i ndërgjegjshëm se kjo paketë ndoshta nuk do të kënaqë të gjitha palët. Megjithatë, besoj sinqerisht se pas diskutimeve të gjata mbi këtë çështje, ne do të gjejmë një rrugëdalje. Qëllimi im ishte të krijohet një marrëveshje e përkohëshme që të ishte e pranueshme nga të gjitha palët dhe kjo do të kishte mbështetjen e forcave të rëndësishme ndërkombëtare. Unë besoj sinqerisht se kjo paketë arrin këtë qëllim," tha Ban në Bruksel.
"Përpjekjet e [OKB] janë drejtuar në sigurimin se situata në Kosovë dhe më gjerë në rajon mbetet e qëndrueshme dhe se popullsia në Kosovë, në veçanti komunitetet e pakicave, është e mbrojtur siç duhet," shkruante Ban.
"Në mungesë të drejtimit nga Këshili i Sigurimit dhe pas konsultimeve të gjera në vijim, është synimi im për të rikonfiguruar strukturën dhe profilin e pranisë civile ndërkombëtare në një të tillë që i korrespondon situatës së ndryshuar në Kosovë dhe të bëjë të aftë [BE] të marrë një rol më të zgjeruar operacional në Kosovë në përputhje me rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit]," thotë plani.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit po studjojnë ende propozimin e Ban, tha ambasadori i SHBA Zalmai Halilzad, i cili këtë muaj është president i Këshillit.
OKB ja dërgoi gjithashtu planin presidntit serb Boris Tadiç. Të premten, kryeministri Vojislav Koshtunica tha se ai është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe si i tillë, është i papranueshëm për Serbinë.