Kthesë e re në bisedimet mbi formimin e qeverisë serbe

23/06/2008

Koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste e Serbisë ka nisur bisedime me bllokun pro-evropian të kryesuar nga presidenti Boris Tadiç.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 23/06/08

photo

Partia Socialiste e Serbisë thuhet se ka nisur bisedimet mbi formimin e një qeverie të re me Partinë Demokratike të presidentit Boris Tadiç. [Dosje]

Kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, partia e të cilit është në një pozitë për të vendosur koalicionin e qeverisë së re, ka ndalur negociatat mbi një koalicion me Partinë Radikale Serbe dhe Partinë Demokratike të Serbisë (DSS) të kryeministrit Vojislav Koshtunica.

Pas këtyre bisedimeve që kanë qenë në proces që nga zgjedhjet e 11 majit, koalicioni i kryesuar nga Socialistët nisi negociatat me koalicionin Për një Serbi Evropiane, kryesuar nga Partia Demokratike (DS) e presidentit Boris Tadiç.

Analistët thonë se pas kësaj kthese vendimtare nga partia Socialiste, nuk do të shkojë gjatë për të organizuar një qeveri të re, bërthama e së cilës do të jenë Demokratët e Tadiç dhe Socialistët.

Daçiç tha se nuk qe e mundëshme marrëveshje me Koshtunicën dhe Radikalët të cilët besojnë se Serbia duhet të kundërshtojë integrimin në BE deri sa anëtarët e Bashkimit të binin dakord që Kosova, e cila shpalli pavarësinë në 17 shkurt, është pjesë e Serbisë.

Socialistët dhe partnerët e tyre të koalicionit, Partia e Pensionistëve të Bashkuar të Serbisë dhe partia rajonale Serbia e Bashkuar, mbështesin ratifikimin e menjëhershëm të marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit me BE

Megjithatë, DSS akuzoi Socialistët se qenë të pasinqertë në negociatat, duke e përshkruar krejt procesin si një "shou për publik". "Qeveritë e formuara në takime të fshehta dhe nën ndikimin e manjatëve dhe të ambasadorëve të huaj nuk do t'i sjellin të mirë Serbisë," tha zëdhënësi i DSS Andreja Mladenoviç.

DS dhe Socialistët mbajtën takimin e tyre të parë zyrtar natën e së shtunës. Tadiç tha më pas se negociatorët arritën marrëveshje në parimet që do të udhëheqin qeverinë e re, duke rreshtuar ato si integrimi i ardhshëm në BE, lufta për ta mbajtur Kosovën brenda Serbisë dhe përparimi ekonomik.

"Sa më shpejt që ne të formojmë një qeveri, aq më shumë kohë do të kemi për të punuar për arritjen e objektivave të saj dhe në...formimin e një qeverie të përgjegjëshme në pikpamje sociale," tha Tadiç.

Analistët thonë se përzgjedhja e zyrtarëve nuk do të jetë një problem për qeverinë e re edhe pse Socialistët dhe Demokratët qenë kundërshtarë të ashpër gjatë viteve të fundit. Disa bile presin një qeveri të re deri në fund të qershorit. Megjithatë, politika bashkiake e Beogradit ku Socialistët kanë ndërtuar tashmë një koalicion me DSS dhe Radikalët, mund të ishte një problem.

Partneri i koalicionit i Demokratëve të Tadiç, partia G17 Plus ka njoftuar se nuk do të mbështesë një qeveri me Socialistët po qe se ata nuk ndërpresin koalicionin e tyre me Radikalët në Beograd. Pa G17 Plus, do të jetë e pamundur të formohet një qeveri e re.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading