26/06/2008
Lufta kundër korrupsionit është dobësuar në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore mbi qeverisjen botuar të martën.
(Dnevnik, Europe.bg, Hotnews.ro - 25/06/08; DPA, IPS, World Bank - 24/06/08)
![]() Sipas raportit, Bullgaria renditet si më e korruptuara midis vendeve anëtare të BE. [Dosje] |
Vetëm pesë vende të Evropës Juglindore (SEE) bënë përparim në luftimin e korrupsionit në 2007, thoshte Banka Botërore në një studim të ri të dalë të martën (24 qershor). Kosova dhe Bullgaria janë midis shtatë vendeve të tjera që janë përkeqësuar në këtë front, sipas raportit vjetor Indikatorët Botërorë të Qeverisjes WGI), të Bankës.
Studimi mbulon 212 vende e territore, duke u mbështetur në 35 burime të ndryshme të dhënash. Banka e mat qeverisjen në vendet e vëzhguara në bazë të gjashtë kritereve: vota dhe përgjegjshmëria, stabiliteti politik, efektiviteti i qeverisjes, cilësia rregullatore, rendi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit. Për secilin nga këto tregues, vendet marrin pikë nga 0 në 100 ose rende përqindjesh.
Me një renditje 25.6 për 2007, Kosova duket të jetë vendi më i keq i SEE në luftimin e korrupsionit dhe vendi me përkeqësimin më të madh që nga 2006, kur kishte pikavarazhin 34. Ecuria e Bullgarisë në këtë kategori gjithashtu është përkeqësuar. Rangu i saj 53.1 për vitin e kaluar ishte 3.7 pikë më ulët se sa në 2006, duke e bërë atë luftuesin më të keq të korrupsionit midis anëtarëve të BE.
Bosnje dhe Herzegovina (BiH) dhe Greqia kanë 44.9 dhe 65.7 pikë respektivisht dhe qenë të dyja 3.2 pikë më poshtë se viti i mëparshëm. Qiproja mori 74.9 për 2007, nga 77.7 në 2006. Kroacia (58.9) dhe Serbia (46.4) ranë respektivisht me 0.8 dhe 0.2 pikë.
Ndërkohë, Shqipëria (36.7) u përmirësua me 7.6 pikë. Rumania (55.6) bëri gjithashtu përparim të ndjeshëm, me 7.1 pikë në një vit. Maqedonia (50.7), mali i Zi (44.4) dhe Turqia (59.4) fituan gjithashtu pikavarazh më të lartë për 2007.
Në treguesin e votës dhe përgjegjshmërisë, të gjitha vendet e SEE me përjashtim të BiH, Kosovës, Rumanisë dhe Turqisë, përmirësuan pikët e tyre.
Stabiliteti politik u përkeqësua më shumë në Turqi, Serbi dhe BiH. Qiproja (64.4), Greqia (63.0) dhe Bullgaria (61.1) qenë më mirë për këtë tregues.
Qipro (89.6), Kroacia (70.0), Greqia (69.7) dhe Turqia (63.5) qenë vendet në rajon që dolën më mirë në efektshmërinë e qeverisë.
Të gjitha vendet e SEE përmirësuan rangjet e tyre për cilësinë rregullatore.
Me përjashtim të BiH, Maqedonisë, Serbisë dhe Turqisë, të gjitha vendet në rajon përmirësuan gjithashtu pikët e tyre për rendin e ligjit nga 2006.
"Megjithë rritjen e qeverisjes në disa vende, cilësia e qeverisjes anembanë botës nuk u përmirësua shumë gjatë dekadës së fundit," thoshte një përmbledhje e raportit të WGI.