Athina, Shkupi duan përparim në bisedimet e mosmarrëveshjes së emrit, thotë Nimetz

30/06/2008

I dërguari i posaçëm Methju Nimetz u takua me përfaqësuesit grekë dhe maqedonas në fund të javës së shkuar për të diskutuar mosmarrëveshjen në vazhdim të emrit. I dërguari pritet të mbajë një raund tjetër diskutimesh deri në 9 korrik.

Nga Zoran Nikolovski dhe Kristos Ringas për Southeast European Times në Shkup dhe Athinë -- 30/06/08

photo

Ndërmjetësi i OKB Methju Nimetz (majtas) u takua me kryeministrin maqdonas Nikola Gruevski në Shkup të premten (27 qershor). [Tomislav Georgiev]

Pas takimit me përfaqësuesit nga Greqia dhe Maqedonia javën e kaluar, Methju Nimetz, i dërguari i posaçëm i OKB në mosmarrëveshjen në vazhdim të emrit, thotë se ai beson se po zhvillohen bisedime të efektëshme midis Shkupit dhe Athinës por se nuk ka në tryezë propozime konkrete.

Vërejtjet e Nimetz erdhën pasi ai takoi të enjten (26 qershor) ministren e jashtme greke Dora Bakojanis dhe përfaqësuesin e Greqisë në bisedime, Adamantios Vasilakis, në Athinë dhe pastaj të premten kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, presidentin Branko Crvenkovski dhe negociatorin maqedonas Nikola Dimitrov, në Shkup.

Duke u shprehur me optimizëm, ai tha se të dy vendet kanë ardhur në bisedime seriozisht. "Nuk mund të them se e çara është mbyllur pasi pikpamjet për zgjidhjen e çështjes janë të ndryshme, por të dy vendet shprehën gadishmërinë për të parë në mundësinë e bërjes përparim tani," tha Nimetz pas takimeve.

Athina i ka bërë të qarta çështjet që nuk janë subjekt negociatash. Meraku kryesor i vendit është gjetja e një emri të përbashkët për përdorim brenda dhe jashtë vendit. Zgjidhja më e mirë sipas qeverisë greke është një emër me një përcaktim gjeografik si Maqedonia Veriore.

Greqia ka thënë se nuk do të pranojë njohjen e identiteit dhe gjuhës "maqedonase". Gjatë vizitës së fundit të tij, Nimetz tha se ai do të punojë për të ndarë këto dy çështje dhe për të gjetur një emër të përdorshëm për të gjitha referencat zyrtare të shtetit ish jugosllav.

Në prill, Greqia bllokoi pranimin e Maqdonisë në NATO në samitin e Bukureshtit. Sipas kryeministrit grek Kostas Karamanlis, Këshilli i Evropëska thënë se gjetja e një zgjidhjeje për çështjen është një parakusht për integrimin evropian të Maqedonisë. "Ne shpresojmë se qeveria e re do të lërë pas retorikën provokuese të periudhës parazgjedhore me qëllim që të biem dakord ndërsjelltazi mbi një zgjidhje," tha ai.

Në Shkup, të premten, Nimetz u takua me Gruevskin dhe ministrin e jashtëm Antonio Milososki. Ai pati një takim më vete me Crvenkovskin. Media lokale i interpretoi takimet më vete si provë e një çarjeje midis presidentit dhe kryeministrit mbi disa çështje.

Sipas disa raporteve të medias, Gruevski hapi çështjen e maqedonasve në Greqinë veriore dhe të të drejtave të tyre të pakicës. Thuhet se kryeministri kërkoi që këtyre grupeve që lanë Maqedoninë gjatë luftës civile greke, duhet t'u kthehet kombësia dhe prona.

Athina tha se diskutimin e zbatimit të kësaj duhet ta paraprijë një marrëveshje. I dërguari pritet të njoftojë hapin tjetër të tij në negociatat e mosmarrëveshjes këtë javë, që ka gjasa të përfshijë një raund tjetër kontaktesh intensive diplomatike dhe takimesh të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e të dy vendeve deri në 9 korrik.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading