03/07/2008
Krerët rivalë turk qipriot e grek qipriot ranë dakord "në parim" mbi çështjet kyçe në bllokimin me dekada të gjatë të Qipros, duke rritur shpresat për një zgjidhje tërësore shpejt.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 03/07/08
![]() Presidenti qipriot Demetris Kristofias (djtathtas) dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat ranë dakord mbi disa çështje kryesore. [Getty Images] |
"[Dy krerët] diskutuan çështjet e sovranitetit të njëjtë dhe shtetësisë mbi të cilat ata ranë dakord në parim," zbuloi OKB të martën (1 korrik) pas një takimi midis krerëve të ishullit të ndarë mesdhetar, presidentit grek qipriot Demetris Kristofias dhe kreut turk qipriot Mehmet Ali Talat. "Ata ranë dakord të diskutojnë detajet e zbatimit të tyre gjatë negociatave të plota," vazhdonte OKB.
Njoftimi i papritur gjeneroi reagime të përzjera dhe shpresa anembanë Qipros. Debati mbi sovranitetin dhe shtetësinë kanë qenë çështjet më të mprehta në ishull. Republika Turke e Qipros Veriore ka kohë që kërkonte një "konfederatë" për të mbrojtur të drejtat e turqve qipriotë.
Dhuna në vitet 1960, i detyroi shumë nga ta të futen në enklava anembanë ishullit. Kështu që ata janë kundër çdo qeverie të fortë të bashkuar nën kontrollin grek qipriot. Ruajtja e sovranitetit të vetëm të Republikës së Qipros megjithatë ka qenë një qëndrim kyç i grekëve qipriotë.
Përpjekja e fundit e madhe për të bashkuar Qipron, dhe pikërisht, plani Anan që turqit qipriotë e miratuan por grekët qipriotë e kundërshtuan në 2004, parashikonte një "sovranitet të vetëm ndërkombëtar" por ofronte një garanci për banorët turq duke njohur gjithashtu një "shtet themelues turk qipriot".
Detajet e marrëveshjes së të martës mbi sovranitetin e vetëm, nuk qenë menjëherë të qarta. Analistët thonë se OKB ka preferuar me qëllim "mëdyshjen konstruktive" mbi sovranitetin dhe shtetësinë, me qëllim që të inkurajojë negociatat.
Marrëveshja e së martës përbën njnë zhvendosje për turqit qipriotë por me këtë masë, Talat e shtyu Kristofias të bjerë dakord mbi rinisjen e shpejtë të negociatave të plota. Deri tani qeveria greke qipriote ka ngadalësuar procesin dhe ka këmbëngulur në përgatitje tërësore përpara nisjes së bisedimeve.
Nacionalistët turq qipriotë e kritikuan Talat të martën, për pranimin, ndonse në parim, të sovranitetit të njëjtë, që ata thanë se do të thotë "kalimin e vijës së kuqe" të çështjes historike turke qipriote. Partia qeverisëse Demokratike Republikane megjithatë, e konsideroi takimin një zhgënjim, pasi grekët qipriotë nuk shprehën ndonjë interes të vërtetë në nisjen e shpejtë të bisedimeve tërësore.
Kristofias ra nën presionin e përkrahësve të tij të vijës së ashpër. Grekët qipriotë kanë luftuar gjatë dhënien e shtetësisë turqve që migruan në Qipron veriore në tre dekadat e fundit por Kristofias tani së fundmi shprehu gadishmëri të pranojë 50,000 imigrantë turq.
Kryetarja e parlamentit turk qipriot Fatma Ekenoglu e quajti takimin e së martës një hap të parë të mirë. "Detajet e çështjes së sovranitetit dhe shtetësisë do të përcaktohen sapo të nisin bisedimet," tha ajo. Republika e Qipros e qeverisur nga grekët u bë një anëtar i BE në 2004, por pjesa veriore e ishullit nuk sheh përfitime nga anëtarësimi pasi BE vazhdon praktikën ndërkombëtare të mos njohjes së shtetit të shkëputur turk qipriot.
Krerët turk e gre qipriot do të takohen përsëri në 25 korrik.