07/07/2008
Ndërsa Partia qeverisëse për drejtësi e Zhvillim (AKP) ndeshet me një rast gjyqësor të mbylljes në Gjykatën Kushtetuese, arrestimi i dy ish gjeneralëve dhe kritikëve të tjerë të AKP për dyshimin e komplotimit të një grushti shteti, ka thelluar të çarën në politikën turke.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 07/07/08
![]() Rojet ruajnë burgun e sigurisë së lartë në rrethinat Sinçan të Ankarasë. [AFP] |
Policia arrestoi të dielën në turqi dy gjeneralë në pension si pjesë e hetimeve në "grupin terrorist" Ergenekon, i cili dyshohet se komplotonte vrasje dhe trazira sociale për të provokuar një grusht ushtarak.
Në fazën më të fundit të një hetimi 13-mujor, policia ndaloi Sener Erujgur, kryetar i Shoqatës së Mendimit Ataturkist (ADD) dhe Hurshit Tolon, në krye të javës së shkuar, së bashku me gazetarë të shquar, shkrimtarë, akademikë e biznesmenë, përpara se t'i arrestonte ata në fundjavë. Erujgur dhe Tolon janë gjeneralët e parë të lartë që arrestohen në historinë e Turqisë.
Dyzet e tetë të dyshuar të tjerë janë dergjur në paraburgim me muaj dhe presin ende padinë.
Arrestimet e fundit kanë thelluar të çarën e dukshme tashmë në vend, me opozitën sekulariste e nacionaliste që kritikon Partinë me rrënjë islamike për Drejtësi e Zhvillim (AKP) për nisjen e një "gjyqi hakmarrës politik".
Paraburgimi fillestar i Erujgur dhe Tolon ndodhi në 1 korrik, të njëjtën ditë me paraqitjen e mbrojtjes së AKP në Gjykatën Kushtetuese. AKP po lufton akuzat për komplotimin për të institucionalizuar rendin islamik në vendin sekular. Erujgur dhe Tolon qenë figura udhëheqëse të tubimeve anti-qeveritare në 2007.
Kryerja e hetimit të Ergenekon, që përfshiu paraburgimin e të dyshuarve para paraqitjes së ndonjë prove të qartë dhe burgosja e tyre e zgjatur përpara gjyqit, morën kritika të përhapura gjerësisht nga media sekulare e nacionaliste. Kritikët e quajnë valën e arrestimeve një përpjekje për të trembur opozitën.
Prokuroria ka për të lëshuar një deklarim zyrtar; sidoqoftë, gazetat pro-qeveritare vazhdojnë të botojnë pjesë nga mijra faqe të materialit të furnizuar prej saj. Sipas këtyre raporteve, Ergenekon planifikonte të nxiste trazira sociale në 40 krahina në 7 korrik. Faza e dytë e komplotit përfshinte një numër vrasjesh. Erujgur dhe Tolon i mohuan këto pretendime nëpërmjet avokatëve të tyre.
Deri tani, shtabi i përgjithshëm turk është përmbajtur nga përzjerja në procesin ligjor por komandanti i forcave tokësore Ilker Bashbug, që do të marrë kryesimin e ushtrisë në gusht, bëri thirrje për qetësim.
"Ne duhet të veprojmë me më shumë sens të përbashkët, më me kujdes dhe me më shumë përgjegjësi," tha ai.
Gjeneral-brigadieri në pension Nexhat Eslen e përshkroi Ergenekon si provë të "një lufte serioze e të pashmangëshme për pushtet në Turqi... Për tani, luftën e udhëheqin islamistët... Nacionalistët, nga ana tjetër janë kundërveprues dhe të papërgatitur," shkruante ai në të përditëshmen Radikal.
Duke hedhur poshtë çdo mundësi për një përmbysje ushtarake, Eslen i quajti grusht-shtetet një relike nga koha e Luftës së Ftohtë.