Turqia zotohet të mbështesë "Club Med" të Sarkozit

14/07/2008

Krerët në samitin e Parisit i dhanë viston një versioni të rishikuar të propozimit të Bashkimit Mesdhetar të presidentit frëng Nikolas Sarkozi.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 14/07/08

photo

Krerët e shteteve ndjekin samitin formues mesdhetar të dielën (13 korrik) në Grand Palais në Paris. [Getty Images]

Në një samit në Paris të dielën (13 korrik), krerët e BE, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme ranë dakord të ngrenë një bashkim të ri për të rritur bashkëpunimin anembanë Mesdheut. Nisur nga presidenti frëng Nikolas Sarkozi, vendi i të cilit mban tani kryesimin e BE, ai ka për qëllim të vendosë politikën e bllokut, njohur si Procesi i Barcelonës, drejt vendeve mesdhetare.

Plani origjinal i Sarkozit kishte objektiva ambiciozë politikë dhe kishte për qëllim të ofronte një alternativë për anëtarësimin në BE për Turqinë, që kreu frëng e kundërshton. Megjithatë, pas shumë kritikash, kryesisht nga Gjermania, hartuesit bënë rishikime të ndjeshme, duke përfshirë emrin e Bashkimit i cili është zyrtarisht Bashkimi për Mesdheun. Turqia mori pjesë në samitin e së dielës si një vend kandidat i BE.

"Ëndrrat evropiane dhe mesdhetare janë të pandara," u tha Sarkozi krerëve të 43 vendeve në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. "Ne do t'ja dalim së bashku, ne do të dështojmë së bashku."

Në tërësi, organizata e re rajonale përfshin 27 vendet anëtare të BE dhe vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Herzegovinën, Malin e Zi dhe Turqinë si dhe Algjerinë, Egjiptin, Izraelin, Jordaninë, Libanin, Marokun, Mauritaninë, Sirinë, Tunizinë dhe Territoret Palestineze.

Pjesëmarrësit thanë se bashkimi i ri do të përqëndrohet në një seri projektesh rajonale të tilla si pastrimi i ndotjeve në Mesdhe dhe përcaktimi i një plani të energjisë diellore, ndërtimi i udhëshpejtave dhe udhëve detare, krijimi i masave për t'ju drejtuar fatkeqësive, zhvillimi i energjisë diellore dhe forcimi i arsimit, kërkimit dhe biznesit.

Organizata do të bazohet në tre parime: një mobilizim në nivelin më të lartë nëpërmjet samiteve të krerëve të shteteve dhe qeverive çdo dy vjet; qeverisja me një mbështetje të barabartë, në formën e një bashkëpresidence veri-jugë dhe një sekretariat të përhershëm me përfaqësim të barabartë; dhe një përparësim të projekteve konkrete me një dimension rajonal.

Sarkozi u takua me kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan të dielën në mëngjes përpara samitit dhe e falenderoi atë për zotimin e Turqisë për të marrë një "rol aktiv" në bashkimin për Mesdheun. Sarkozi përsëriti qëndrimin e tij për të mos bllokuar negociatat në vazhdim të Turqisë me BE mbi kapitujt që nuk parashikojnë një anëtarësim të plotë.

Erdogan përsëriti rëndësinë për vazhdimin e Turqisë të procesit të BE, pavarësisht nga dallimet në objektivin përfundimtar të negociatave pasi procesi ka qenë një burim i rëndësishëm i stabilitetit politik dhe ekonomik. "Mësimi më i rëndësishëm që kemi mësuar në këtë gjeografi është se askush nuk mund të rrojë në begati dhe siguri i vetmuar. Përgjegjësia jonë historike është të punojmë së bashku për të arritur paqen globale, sigurinë dhe begatinë," tha Erdogan.

Kryeministri grek Kostas Karamanlis dhe presidenti rumun Traian Bashesku u zotuan për mbështetjen e tyre për nismën. Mbreti Abdullah II i Jordanisë dhe mbreti Mohamed VI i Marokut dërguan përfaqësues. Kreu i Libisë Muamer Gadafi ishte i vetmi udhëheqës arab që bojkotoi takimin.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading