18/07/2008
Këshilltari i sigurimit kombëtar të SHBA, Stefen Hadli theksoi se reformat e vazhdueshme në rrugën e pranimit në BE do të forcojnë stabilitetin dhe diplomacinë e Turqisë.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 18/07/08
![]() "Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë një partneritet të fortë strategjik. Ne duam të vazhdojmë e të forcojmë më tej këtë partneritet," tha të premten (18 korrik) këshilltari i sigurimit kombëtar të SHBA Stefen Hadli. [Getty Images] |
Këshilltari i sigurimit kombëtar Stefen Hadli vizitoi Turqinë të premten (18 korrik), në një kohë të thellimit të krizës së vendit që përkoi me trafikun e dendur diplomatik me Iranin e Irakun.
Hadli nënvizoi rëndësinë e stabilitetit të Turqisë dhe vlerësoi arritjet demokratike në disa vitet e fundit. Duke i kërkuar Turqisë të vazhdojë reformat politike dhe ekonomike, ai mbështeti gjithashtu ofertën e anëtarësimit të vendit në BE.
"Këto reforma do ta bëjnë Turqinë më të fortë e më të begatë...Shtetet e Bashkuara mbështet fort anëtarësimin e Turqisë në BE," tha Hadli pas bisedimeve me kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan.
Turqia po ndeshet me krizën më të keqe politike në dekada dhe shumë analistë fajësojnë politikën e BE ndaj saj lidhur me acarimin e situatës.
"Kriza është...një tregues i [BE] për dështimin e vet për të ardhur keq në trajtimin pozitivisht të përpjekjeve të anëtarësimit të Ankarasë," thoshte editoriali i The Financial Times këtë javë. "Në qoftë se Bashkimi do t'i kishte dhënë Turqisë një sërë kushtesh dhe afatesh të qarta, si gjeneralët dhe AKP do ta kishin përqëndruar energjinë e tyre në pranimin dhe jo në shallet e kokës," thoshte ajo.
Partia me rrenjë islamike për Drejtësi e Zhvillim (AKP) e Erdoganit, po lufton një përpjekje nga prokuroria në Gjykatën Kushtetuese për ta ndaluar atë për prishjen e pretenduar të karakterit sekular-demokratik të shtetit. Ndërkohë, një grup ushtarkësh turq në pension dhe nacionalistësh të vijës së ashpër ndeshen tani me akuza për komplotimin për të përmbysur qeverinë e AKP.
Kriza e besimit midis si liberalëve laikë dhe konservatorëve me rrënjë islamike u thelllua pasi problemi i Qipros dhe kundërshtimi i presidentit frëng Nikolas Sarkozi bllokuan efektivisht bisedimet e anëtarësimit të Turqisë me BE. Analistët druajnë se lufta politike mund të shkaktojë paqëndrueshmëri të brendëshme dhe t'i japë fund përpjekjeve për të paqësuar Irakun dhe për të zgjidhur krizën bërthamore me Iranin.
Hadli, duke ju kthyer çështjeve strategjike, shprehu gadishmërinë për të përmirësuar më tej bashkëpunimin midis Uashingtonit dhe Ankarasë. "Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë një partneritet të fortë strategjik," theksoi ai. "Ne duam të vazhdojmë e forcojmë më tej këtë partneritet."
Hadli diskutoi gjithashtu zhvillimet e reja në Irak dhe përpjekjet e fundit të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në vendin fqinjë. Erdogan pati vizitën e tij të parë zyrtare në Bagdad javën e shkuar, duke hapur një epokë të re strategjike në marrëdhëniet turke-irakene.
Hadli shprehu një vendosmëri për të mbështetur Turqinë në eleminimin e kërcënimi të Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irakun e veriut. "Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Iraku do të vazhdojnë bashkëpunimin kundër armikut tonë të përbashkët, PKK," vërejti ai.
Gjatë bisedimeve me presidentin Abdullah Gul, zëvendës shefin e shtabit gjeneralin Ergun Sajgun dhe ministrin e jashtëm Ali Babaçan, Hadli ngriti kërcënimin bërthamor nga Irani. Ai shtjelloi vendimin e kohëve të fundit të Uashingtonit për të marrë pjesë në negociatat bërthamore BE-Iran dhe për të vlerësuar gjasat e një zgjidhjeje diplomatike.
Babaçan, i cili gjithashtu priti ministrin e jashtëm iranian Manuçehr Motaki në Ankara të premten, tha se Turqia ishte gati të bënte çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore ndaj krizës bërthamore të Iranit.
Politika turke është kundër armëve bërthamore në rajon por thotë se vendet kanë të drejtë të zhvillojnë teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore.