28/07/2008
Dy bomba vranë 17 vetë dhe plagosën më tepër se 150 të tjerë në një rrugë të Stambollit të dielën mbrëma. Zyrtarët turq po përqëndrojnë hetimet e tyre ndaj Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 28/07/08
![]() Shpërthimi i parë ndodhi në një udhë të dendur këmbësorësh të distriktit Gungoren. I dyti, shumë më i fuqishëm erdhi pas u mblodh turma. [AFP] |
Dy bomba të bashkërenduara shpërthyen në një udhë të dendur të Stambollit të dielën (27 korrik) duke vrarë së paku 17 vetë, pesë nga ta fëmijë, dhe duke plagosur mbi 150.
Shpërthimet e së dielës mbrëma synonin civilët në distriktin e dendur Gungoren të Stambollit. Në kohën e shpërthimit, këmbësorët mbushnin rrugën.
Sipas dëshmitarëve, paisja e parë ishte një granadë e vogël. Një bombë e dytë shpërtheu 50 metra më tej, duke shkaktuar viktima midis turmës që qe mbledhur rreth vendit të shpërthimit të parë. Ekspertët e konsiderojnë këtë një taktikë të zakonshme terroriste.
Asnjë grup nuk mori përnjëherësh përgjegjësi por zyrtarët e sigurimit janë përqëndruar në hetimet e tyre në Partinë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e cila është goditur nga një ofensivë e intensifikuar ajrore e tokësore turke. Guvernatori i Stambollit Muamer Guler u tha gazetarëve të hënën se hetimet qenë përqëndruar në PKK.
Por gazetari Namik Durukan i së përditëshmes Milliyet, që ndjek nga afër veprimtaritë e PKK, tha se bombat nuk qenë tipike për grupin. Zybeir Ajdar i pasueses Kongra Gel të PKK, mohoi në një deklaratë çdo lidhje me sulmin, duke dënuar dhunën ndaj civilëve.
Zyrtarët turq të sigurimit dyshojnë se mund të qenë fajtorë një grup i ri dhe më radikal që operon nën ombrellën e PKK, Fajkojtë e Lirisë të Kurdistanit (TAK) ose një tjetër grup i ri radikal. Në 2006, TAK mori përgjegjësinë për sulmet ndaj civilëve në Stamboll dhe Antalia.
Raportet e shtypit turk në fund të vitit të kaluar citonin zyrtarët e sigurimit të paralajmëronin se TAK kishte marrë urdhëra nga PKK të niste sulme të bujshme të verbëra terrori brenda Turqisë. Paralajmërimi atë kohë thoshte se grupi kishte për qëllim të ndizte një luftë civile turke-kurde duke goditur objektiva civilë si dhe figura të shquara publike. Policia turke kapi një anëtar të PKK me 3.5 kg eksploziv A-4 në fund të vitit të kaluar përpara se ai të mund ta shpërthente atë brenda një stacioni të nëndheshëm metroje në Stamboll. Shtetet e Bashkuara e përcaktoi TAK si një grup terrorist me lidhje grupi me PKK në janar.
Ambasada e SHBA në Ankara dënoi me forcë sulmin e së dielës në Stamboll. "Nuk ka justifikimpër vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Ne vazhdojmë të mbështesim aleaten tonë Turqinë, në luftën kundër terrorizmit," tha ambasada në një deklaratë me shkrim.
Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan anulloi takimin e kabinetit të së hënës dhe vizitoi distriktin Gungoren ku bëri thirrje për unitet kombëtar me qëllim që të izoloheshin më tej terroristët. Ai kritikoi gjithashtu median turke për botimin e fotografive grafike, të cilat ai tha se do të ndihmonin propagandën terroriste.
"Ne po e luftojmë terrorin prej 30 deri 35 vjetëve ...Kjo luftë do të vazhdojë deri sa ne ta fitojmë atë," tha ai.