Të dyshuarit e Ergenekon do të përballen me gjyqin në Turqi

29/07/2008

Pretendimet tronditëse në një hetim të mbështetur nga qeveria bëjnë që një grup oficerësh të ushtriës në pension, figura të mafias, akademikë, politikanë dhe gazetarë të ndeshen me akuza për komplotimin e vrasjeve dhe bombave të shumta. Një gjykatë e Stambollit do të dëgjojë rastin në tetor.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 29/07/08

photo

Gjeneral-brigadieri në pension Veli Kuçuk ndeshet me akuza për urdhërimin e vrasjeve të ndryshme. [AFP]

Pas hetimit 13 muaj të gjatë, prokurorët lëshuan të premten (25 korrik) një padi 2,455 faqe ndaj Ergenekon. Dega e 13-të e Gjykatës së Stambollit për krimet serioze pranoi të dëgjojë rastin. Për shkak të volumit të madh të akuzave, gjyqi do të nisë në tetor. Vëzhguesit presin që ai të vazhdojë me muaj.

Padia rreshton akuza kundër 86 të dyshuarve përfshirë oficerë të pensionuar të ushtrisë, mafiozë, akademikë dfhe politikanë. Ndeshen me akuza gjithashtu shkrimtarë e gazetarë duke përfshirë kritikë të ashpër të Partisë qeverisëse me rrënjë islamike për drejtësi e Zhvillim (AKP). Padia shkurtimisht i referohet 20 të dyshuarve të tjerë të ndaluar në fillim të korrikut duke përfshirë gjeneralët me katër yje, në pension Hurshit Tolon dhe Sener Erujgur. Vëzhguesit presin një tjetër padi për gjeneralët për komplotim të pretenduar për të përmbysur qeverinë e AKP.

Të dyshuarit pretendohet se krijuan një "organizatë terroriste" qëllimi kryesor i së cilës ishte të bëhej "shteti i thellë" i Turqisë. Prokurorët nuk kanë identifikuar organizatorin e tyre të dyshuar, por numri dy i grupit të dyshuar, gjeneral-brigadieri në pension Veli Kuçuk akuzohet për urdhërimin e vrasjeve dhe sulmeve të ndryshme, duke përfshirë të shtënat vitin e kaluar në Këshillin e Shtetit dhe një sulm me granadë dore në selinë e Stambollit të së përditëshmes Cumhuriyet.

Sipas prokurorëve, disa vrasje të pazgjidhura në dekadën e fundit kanë lidhje me Kuçuk dhe Ergenekon. Sipas padisë, ato përfshijnë vrasjet e disa aktivistëve pro-kurdë, shkrimtarin Nexhip Hablemitoglu në 2002, biznesmenin Ozdemir Sabançi në 1995 dhe ish shefin e xhandarmërisë gjeneralin Esref Biltis në 1993.

Anëtarët e grupit dyshohet se diskutuan vrasjen e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, shefit të shtabit të përgjithshëm Jashar Bujukanit dhe të romancierit turk dhe fituesit të çmimit Nobel, Orhan Pamuk, sipas padisë. Qëllimi i pretenduar ishte të krijohej kaos dhe të nxitej një përmbysje ushtarake e qeverisë së AKP.

Grupi Ergenekon thuhet se kishte kontakte me grupe të tjera terroriste të tilla si PKK marksiste-leniniste dhe Hizbullall islamike turke.

Prokurorët pretendojnë se grupi kishte përveç një njësie operacionale për veteranët dhe ushtarakët, të tjera njësi që synonin të kontrollonin OJQ-të, median dhe burokracinë.

Kolumnisti i së përdirëshmes Milliyet Hasan Çemal tha se gjyqi do të ishte një pikë kthese për demokracinë dhe rendin e ligjit . "Nuk e di se çdo të jetë në fund të këtij gjyqi. Por ngritja e kësaj padie është në vetevete një pikë kthese," shkroi ai në kollonën e vet.

Haluk Sahin, i Radikal, megjithatë, kritikoi keqinformimin në media. Ai tha se ndërsa padia kishte prova serioze në veprimtarinë kriminale, ajo përfshinte gjithashtu akuza të vagullta e të papërputhëshme.

"Gjykata tani duhet të dallojë midis anëtarëve të një organizate terroriste, në qoftë se një e tillë ekziston, dhe shkrimtarëve e mendimtarëve të opozitës," tha Shahin.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading