Turqia godet objektivat e terrorit në Irakun e veriut

30/07/2008

Ditë pas dy bombave në Stamboll, ushtria turke thotë se kreu një sulm ajror për shrrënjosjen e terroristëve të PKK.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 30/07/08

photo

Policicët rrethojnë skenën e një nga bombave të së hënës (28 korrik) në Stamboll. [Getty Images]

Turqia dërgoi aeroplanë lufte të martën (29 korrik) për të sulmuar terroristët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të fshehur në Irakun e veriut. Masa erdhi pas një çifti bombash të dielën që vranë 17 vetë në Stamboll.

Në një deklarim, shtabi i përgjithshëm turk tha se avionët ushtarakë shkatërruan një shpellë që shërbente si strehë për terroristët në malet Kandil, duke vrarë rreth 40 militantë të PKK brenda saj. Një tjetër objektiv u godit të njëjtën ditë në rajonin Zab.

Një zëdhënës i PKK në rajon megjithatë i kundërshtoi të dhënat e Turqisë, duke u thënë agjensive ndërkombëtare se asnjë nga anëtarët e saj nuk u vra gjatë sulmit.

Të hënën, shefi i shtabit të përgjithshëm turk, gjenerali Jashar Bujukanit u zotua se ata që janë përgjegjës për bombat e Stambollit, sulmi më vdekjeprurës në vite ndaj civilëve, do të përgjigjeshin për veprimet e tyre. Zyrtarët turq thanë se hetimi i tyre qe përqëndruar në PKK dhe grupet lidhur me të.

PKK mohoi përzjerjen. Organizata pasuese e saj Kongra-Gel lëshoi një deklaratë që dënonte dhunën kundër civilëve dhe pretendonte se "Lëvizja e lirisë së Kurdistanit" nuk ka patur rol në bombat. Dy vjet më parë, megjithatë, një grup i lidhur me PKK dhe i njohur si Fajkojtë e Lirisë së Kurdistanit, mori përgjegjësinë për sulmet ndaj civilëve në Stamboll dhe Antalia.

Partia pro-kurde e Shoqërisë Demokratike (DTP) gjithashtu lëshoi një dënim. Bashkëkryetarja e saj, Emine Ajna pretendoi se pas shpërthimeve është një grup në hije quajtur Ergenekon.

88 të dyshuar, ku përfshihen oficerë në pension të ushtrisë, mafiozë, akademikë dhe politikanë, janë nën arrest për dyshimin e krijimit të Ergenekon me qëllim të kryerjes së vrasjeve politike dhe krijimit të një "pushteti të thellë" brenda Turqisë.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan edhe një herë denoncoi sulmet gjatë një fjalimi publik në qytetin Sakaria të martën por nuk përmendi ndonjë organizatë të veçantë. "Terrori nuk ka fe, as komb, ngado që të vijë, nga e majta apo e djathta," tha ai. "Ne duhet të jemi të bashkuar si një komb për të shrrënjosur terrorin nga trualli i vendit tonë," shtoi ai.

Kreu i opozitës kryesore turk, Deniz Bajkal ka bërë thirrje për një demonstratë të heshtur mbarëkombëtare për të dënuar terrorin, të ngjashme me ato të mbajtura në Spanjë në 2004.

Por Akin Ozceri, një ish diplomat dhe ekspert në Spanjë, thotë se një demonstratë e tillë masive do të kishte pak rëndësi po qe se partitë në Turqi nuk mund të ulen e të bien dakord mbi një plan të gjerë për të eleminuar kërcënimin terrorist.

Pavarësisht thirrjeve për bashkim kombëtar kundër terrorizmit, kryeministri dhe kreu kryesor opozitar mbeten në marrëdhënie jo të mira për shkak të tensioneve politike në vazhdim. Erdogan dhe Bajkal qenë të dy një seksion VIP të aeroportit të hënën, por nuk folën me njeri tjetrin.

"Distanca midis tyre ishte vetëm 10 metra. Ishte kaq e vështirë për secilin nga ta të bënte pesë çape dhe t'i jepte dorën tjetrit?" shkruante Erturgul Ozkok, kryeredaktori i Hurriyet. "Kjo është gjëja më e dëshpërueshme që ne kemi nevojë sot."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading