31/07/2008
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos ndaluar Partinë qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) për veprimtari të pretenduar islamike, ishte një burim lehtësimi për AKP. Por partia humbi financim të ndjeshëm qeveritar.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times në Ankara -- 31/07/08
![]() "[AKP], që nuk ka qenë kurrë një pikë qendrore e veprimtarive anti-laike, do të vazhdojë të mbrojë parimet bazë të republikës," tha kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan. [Getty Images] |
Gjykata më e lartë turke vendosi të mërkurën (30 korrik) kundër ndalimit të Partisë qeverisëse me rrënjë islamike për Drejtësi e Zhvillim (AKP). Megjithatë 10 nga 11 gjykatësit thanë se partia ishte bërë një pikë qendrore për veprimtaritë anti-laike dhe kishte nevojë për një paralajmërim të fortë. Ata gjysmuan financimet e saj qeveritare.
Vendi më i madh kandidat i BE, Turqia, u zhyt në një krizë të madhe politike duke nisur nga marsi, kur kryeprokurori i saj i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të ndalojë partinë. AKP fitoi zgjedhjet e korrikut 2007 në një mënyrë bindëse por masa e saj e diskutueshme për të lejuar shallet islamike në universitete shkaktoi një krizë.
Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Turqia ka harxhuar shumë kohë dhe energji në këtë rast," tha Erdogan. Ai shtoi se AKP do të vazhdojë të "mbrojë parimet bazë të republikës".
Kreu i opozitës kryesore të Turqisë dhe kryetari i Partisë sekulare Republikane Popullore (CHP) Deniz Bajkal megjithatë e interpretoi vendimin e gjykatës si një mesazh të fortë për AKP. "Dhjetë gjykatës e përshkruan AKP si pikë qendrore të veprimtarive anti-laike; kjo është e rëndësishme," theksoi Bajkal.
Shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali Jashar Bujukanit tha:" Nuk kishte ndryshim në pikpamjen [ushtarake] të sekularizmit. Por si një ushtar, mos prisni nga unë që të komentoj vendimin e gjykatës së lartë." Ushtria, tradicionalisht e sheh veten si një roje të sistemit sekular të Turqisë.
Vëzhguesit në Ankara thonë se vendimi parandaloi paqëndrueshmërinë e mëtejshme politike në Turqi ndërsa i kujton AKP kufijtë kushtetues ndaj pushtetit të vet.
Vëzhguesit ndërkombëtarë përshëndetën vendimin. Komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha se vendimi demonstroi ndikimin e vlerave evropiane mbi Turqinë dhe i kërkoi vendit të përshpejtojë reformat për të përmbushur standardet e BE. Kristina Gallaç, zëdhënësja e shefit të sigurisë së BE, Havier Solana, shprehu shpresë se vendimi do të ndihmonte "[të restaurohej] stabiliteti politik".
Gjykata ka ndaluar parti të tjera për pasjen e axhende islamike. Vendimi i i së mërkurës ishte i pari në të cilin ajo paralajmëron një parti dhe jo ta ndalojë atë edhe megjithëse shumica e gjykatësve të saj e gjetën partinë të ketë disa veprimtari jokushtetuese.
Ndalimi i një partie kërkon marrëveshjen e shtatë nga 11 gjykatësit e gjykatës. Vetëm gjashtë gjykatës favorizuan ndalimin e AKP. katër qenë dakord se AKP ishte bërë një "pikë qendrore e veprimtarive anti-laike", por mendonin se shkalla e shkeljeve të saj meritonte një paralajmërim, jo mbyllje. Kryegjykatësi Hasim Kiliç ishte i vetmi gjykatës që nuk ishte dakord me pikpamjen e prokurorisë se AKP ishte një lidhje për veprimtari të tilla.
Kiliç shprehu shqetësim në marrjen kohët e fundit me disa raste mbi ndalimin e partive dhe tha se tani varet nga politikanët të formojnë një konsensus se si të arrijnë standarde më të larta demokratike.