13/08/2008
UNMIK, administrata e përkohshme civile në Kosovë, fillon një shkurtim të gjerë të personelit këtë javë gati një dekadë mbas krijimit të saj në qershor 1999 nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurisë.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë -- 13/08/08
![]() [UNMIK] |
UNMIK do të fillojë uljen më të madhe të personelit të tij, nëntë vite mbas vendosjes së tij për të qeverisur Kosovën. "Në pak ditët e ardhshme, personeli i UNMIK do të shkurtohet dhe do të vihet në dijeni se kotratat e tyre do të përfundohen," zëdhënësi i UNMIK Aleksandër Ivanko tha të hënën (11 gusht).
Procesi do të fillojë me ata tashmë në fund të kontratave të tyre. "Nuk është e ditur se sa personel i OKB-së do të largohet nga Kosova në fazën e parë," tha Ivanko, por vëzhguesit presin që rreth 70% e personelit të largohen. Kjo do të lërë rreth 600 personel të UNMIK në ish-provincën serbe.
UNMIK është administrata e përkohshme civile në Kosovë, nën autoritetin e OKB-së. Misioni është i ndarë në katër seksione ose shtylla. Shtylla I përfshin sektorin e udhëheqjes së policisë së OKB-së dhe drejtësisë; Shtylla II, Administrata Civile e OKB-së; Shtylla III, demokratizimi dhe ndërtimi i institucioneve i drejtuar nga OSBE-ja; dhe Shtylla IV, rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i drejtuar nga BE-ja.
Mbas shpalljes të njëanëshme të pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt, sekretar i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun lajmëroi se prania e UNMIK në Kosovë do të rikonfigurohet. Shumica e detyrave të UNMIK do ti kalohet institucioneve lokale, ndërsa misioni i ri i BE-së, EULEX, do të trashëgojë autoritet të kufizuar gjyqësor dhe policor.
Në nëntë vite, UNMIK është përballur me kritika si nga shqiptarët e Kosovës po ashtu dhe minoriteti serb i Kosovës. Problemi kryesor është mungesa e rindërtimit të infrastrukturës, e cila do të thotë se shpërndarja e energjisë elektrike është e paqëndrueshme. Transferimi i ngadaltë i përgjegjësive tek institucionet e Kosovës, pretendimet për korrupsion dhe shkeljet e të drejtave të njeriut çuan në më shumë kritika për misionin. Kritikuesit po ashtu akuzuan UNMIK se nuk ka arritur të zbatojë një strategji zhvillimi ekonomik.
Vëzhguesit parashikojnë se rikonfigurimi do të përfundojë në dhjetor. Misioni i EULEX pritet të vihet plotësisht në vend dhe të jetë operacional deri në vjeshtë, tha nga fundi i muajit të kaluar shefi i sigurisë të BE-së Havier Solana.
Ai do të përfshijë një personel prej 2,000 veta duke konsistuar në oficerë policie -- duke përfshirë katër njësi anti-trazira dhe gjykatësit.