19/08/2008
Duke ecur përpara drejt një shkurtimi thelbësor të pranisë së saj në Kosovë, UNMIK firmosi një marrëveshje me EULEX të hënën në Prishtinë që parashikon që pjesë e autoritetit të saj të transeferohet në misionin që vjen të BE-së.
(AFP, VOA, Beta, New Kosova Report, B92, Qeveria serbe - 18/08/08; FT - 17/08/08; Qendra e Lajmeve të OKB-së - 15/08/08)
![]() Misioni i OKB-së në Kosovë do të dorëzojë shumë nga përgjegjësitë e tij tek misioni i BE-së. [SETimes illustration] |
UNMIK firmosi një marrëveshje të hënën (18 gusht) për të transferuar pjesë të pronësisë së tij tek misioni i ardhshëm i ligjor i BE-së, EULEX, të cilin vëzhguesit presin që të jetë i vënë në punë plotësisht brenda pak muajve të ardhshëm.
"Marrëveshja teknike i jep UNMIK ... dritën jeshile për të transferuar autoritetin tek ne," duke përfshirë hapësirat e zyrave, automjetet dhe pajisjet e tjera, Karin Limdal, zëvendës-shefi i zyrës së shtypit dhe publikut të EULEX, tha për AFP.
UNMIK firmosi paktin tre ditë mbasi selia qendrore e OKB-së në Nju Jork e miratoi atë. Muajin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mon vendosi të eci përpara me rimodelimin e UNMIK, si edhe theksohet në planin e tij mbas shpalljes së pavarësisë të Kosovës në 17 shkurt.
Si pjesë e ndryshimeve që Ban propozoi në fillim të këtij viti, UNMIK do të shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme gjatë pak muajve të ardhshëm.
"Deri në një pikë shkurtimi është një realitet i detyruar nga fakti se OKB nuk po kryen më rolin që duhet të bënte ... ne duhet të përshtatemi te ky realitet," zëvendësi-shefi kryesor i UNMIK Nikolas Hajsom tha të premten në Prishtinë.
Zbatimi i planit pritet të shkaktojë një reduktim prej 70% të personelit, pasi misioni heq dorë nga shumë detyra të cilat i kalojnë institucioneve lokale. Ky proces do të eliminojë shumë elementë përbërës dhe zyra.
Shefi i EULEX Yves de Kermabon tha në fillim të korrikut se ai pret që të gjithë personeli i misionit të zhvendoset plotësisht dhe të jetë gati për punë në fund të vjeshtës, pasi vendimi i OKB-së për të rikonfiguruar UNMIK do të mënjanojë disa nga problemet që pengonin ngritjen.
Shtetet anëtare të BE-së vendosën të nisin EULEX -- misioni më i madh civil nën drejtimin e Politikës së Mbrojtjes dhe Sigurisë Evropiane të bllokut prej 27 shtetesh -- një ditë para se Kosova të shpalli pavarësinë nga Serbia. Ai do të ndihmojë qeverinë në Prishtinë në fushën e shtetit ligjor, veçanërisht sektorët e gjyqësorit dhe doganave. Përfundimisht, EULEX do të ketë një personel total prej 3,000 (1,900 ndërkombëtar dhe 1,100 lokal) dhe një buxhet prej 205 milion euro në 16 muajt e parë të veprimit.
Kosova gëzon njohjen diplomatike të 45 shteteve deri tani, duke përfshirë 20 nga 27 shtetet anëtare të BE-së.
Sidoqoftë Serbia dhe Rusia mbeten fuqimisht kundër pavarësisë së saj. Ata thonë se zbatimi i planit të rikonfigurimit pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ose Beogradit shkel Rezolutën 1244.
Ministria e Serbisë për Kosovën tha në një deklaratë të hënën se transferimi ishte një "akt i paligjshëm".
Duke premtuar "mbështetjen më energjike" të vendit të tij ndaj Beogradit në këtë çështje, ambasadori rus në Serbi Aleksandër Konuzin tha se Moska do të kërkojë një shpjegim nga Ban.