Athina dhe Shkupi shkëmbejnë akuza lidhur me bisedimet e bllokuara të emrit

26/08/2008

Bisedimet mbi konfliktin e zgjatur të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë duket se po zvarritet, pasi procesi mbetet i bllokuar dhe perspektiva për një zgjidhje është e vogël.

(ANA-MPA, Kathimerini - 26/08/08; MIA, Dnevnik, ANA-MPA, B92, Focus News Agency, Kathimerini, ERT - 25/08/08; ANA-MPA, ERT - 24/08/08; Kathimerini, ERT - 23/08/08; Makfax - 22/08/08; AP, MIA, Makfax - 21/08/08; Qendra e Lajmeve të OKB-së - 19/08/08)

photo

Ndërmjetësuesi i OKB-së në konfliktin e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, foli në një konferencë për shtyp javën e kaluar në Shkup. [Getty Images]

Greqia tregoi të martën (26 gusht) se do të vazhdojë të bllokojë aderimin e Maqedonisë në BE dhe NATO derisa të dyja vendet të arrijnë një zgjidhje të pranueshme në mënyrë reciproke për konfliktin e tyre 17 vjeçar mbi emrin e Maqedonisë.

"Nuk mund të ketë kurs evropian ose Euro-Atlantik pa zgjidhjen paraprake të konfliktit të emrit, i cili është baza e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë," tha në një intervistë ministrja e jashtme Dora Bakojanis për një stacion televiziv privat.

Por sinjalet që vijnë nga dy kryeqytetet e grindura mbas udhëtimit javën e kalur në rajon të të dërguarit të OKB-së Matthew Nimetz tregojnë se perspektivat për një zgjidhje të shpejtë janë më larg se kurrë.

Tre ditë mbas vizitës të diplomatit amerikan në Shkup, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski tha të dielën se ai ka refuzuar propozimin e Nimetz për një kompromis.

Një nga idetë që prezantoi Nimetz të enjten "ishte përdorimi i një emri ndërkombëtar", tha për gazetarët Gruevski. "Kjo është e papranueshme për ne dhe atje ne e përfunduam."

Gruevski shtoi se në vend të saj ai i ka bërë thirrje Nimetz të propozojë një formulë të dyfishtë Athinës, sipas së cilës Maqedonia mud të përdorë Republika e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare dhe një emër special në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë.

Komentet e tij njoftohet se kanë shkaktuar habinë e zyrës së presidentit maqedonas Branko Crvenkovski.

"Ne jemi të habitur të dëgjojmë Gruevskin të flasë për këtë," e përditshmja maqedonase Dnevnik citoi një zyrtar të paidentifikuar të kabinetit duke thënë të hënën. "Maqedonia hoqi dorë zyrtarisht nga formula e dyfishtë para takimit të NATO-s në prill dhe shkoi atje me propozimin "Republika e Maqedonisë (Shkup)", për të cilën ra dakort Gruevski.

Idetë që Nimetz diskutoi me Gruevskin njoftohet se përfshinë emrat "Maqedonia e Veriut" dhe "Maqedonia e Sipërme". Nimetz as nuk i ka mohuar as nuk i ka konfirmuar njoftimet.

Sidoqoftë Athina ka vënë theksin në mënyrë të përsëritur se çdo zgjidhje që do të pranojë është një emër i vetëm me një përcaktues gjeografik që Maqedonia duhet ta përdorë në të gjitha instancat.

I pyetur mbi vlerësimin e emrit "Maqedonia e Veriut," të cilin njoftohet se e ka sugjeruar Nimetz javën e kaluar, Bakojanis tha të martën se vetëm ai nuk përbën një përcaktues gjeografik.

Në komentetet e tij të fundjavës, Gruevski akuzoi Athinën se ka penguar me qëllim procesin e negociatave të ndërmjetësuar nga OKB-ja për përfitim politik të brendshëm.

"Greqia ka probleme të thella dhe serioze," e citoi atë duke thënë e përditshmja greke Kathimerini. "Një skandal serioz shpërthen gati çdo dy javë. .... [Qeveria] po e strukturon politikën e saj ... për të shmangur gjetjen e një zgjidhje."

Kjo ngjalli një reagim të ashpër si nga Bakojanis po ashtu dhe nga partia kryesore opozitare greke, PASOK, zëdhënësi i së cilës, George Papaconstantinou, tha se Maqedonia me sa duket nuk ka ndërmend të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit të emrit.

"Faji i vetëm për mospërparimin e kursit të vendit Evropian dhe Euro-Atlantik lidhet me Gruevskin, jo me Greqinë," tha Bakojanis të martën.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading