Bullgaria rinis ndërtimin e centralit bërthamor të Belene

04/09/2008

Bullgaria shpreson se një njësi e re 4 miliard euro do ta ndihmojë atë të rifitojë rolin e vet si një fuqi energjitike në Ballkan.

(Reuters, AFP, AP, DPA, EurActiv, RIA Novosti, SNA, Dnevnik, Mediapool, Bulgarian Government - 03/09/08; Sofia Echo - 02/09/08; Reuters - 01/09/08; Dnevnik - 28/08/08)

photo

Projekti i Belenes pritet të rritë punësimin në rajon pasi puna ndërtimore do të kërkonte deri në 10,000 njerëz dhe vetë centrali do të punësonte 2,000. [Getty Images]

Bullgaria rinis ndërtimin e centralit të vet të dytë bërthamor (NPP) të mërkurën (3 shtator) në një orvatje për të rifituar vendin e saj udhëheqës në tregun rajonal të energjisë.

"Ky është projekti më i madh industrial në Bullgari në 18 vitet e fundit", tha kryeministri Sergej Stanishev pasi ktheu plisin e parë të centralit prej 2,000 Mw pranë qytetit verior Belene, në lumin Danub. "Energjia bërthamore dhe zhvillimi i Belenes do të garantojnë pavarësinë e vendit lidhur me furnizimet me energji."

Kostoja e llogaritur e njësisë së re bërthamore është 4 miliard euro, por shumë presin që ajo të rritet në më shumë se 6 miliard euro nga mesi i 2014 kur centrali është caktuar të bëhet plotësisht funksional. Ndodhur rreth 250 km në verilindje të Sofjes dhe rreth 100 km në lindje të NPP ekzistues të Kozlloduit, centrali i Belenes do të ketë dy reaktorë rusë VVER-1000 me ujë me presion, secili me një kapacitet të instaluar prej 1,000 megavat dhe një jetë shërbimi prej 60 vjet.

Këta reaktorë janë "modeli më i mirë i vlerësuar në BE" dhe ofrojnë një nivel të lartë sigurie, sipas një deklarate qeveritare.

NPP e Belenes u miratua në krye të viteve 1980 dhe themelet e tij u hodhën në 1987. Por katër vjet më pas, mungesa e fondeve dhe presioni nga grupet mjedisore i detyruan autoritetet ta vënë në sirtar projektin pasi ndërkohë kishin shpenzuar më tepër se 1 miliard $.

Ai ishte zyrtarisht i ngrirë në prill 2005, tre vjet pasi autoritetet morën vendimin për të rinisur ndërtimin. Ato shpresonin se Belene do të kompensojë rënien në eksportet e energjisë që pasoi mbylljen e kërkuar nga BE të katër reaktorëve të Kozlloduit në janar 2007.

Sipas Kompanisë Kombëtare të Elektricitetit (NEC) të Bullgarisë, eksportet e energjisë ranë nga 7.7 milion kilovat-orë në 2006 në 4.5 milion kilovat-orë në 2007.

Themelet e dy njësive do të shtrohen deri në mars 2009, me ndërtimin aktual të caktuar të nisë dy muaj më pas. Njësia1 pritet të ngrihet e të punojë në dhjetor 2013 dhe njësia 2 në qershor 2014.

NEC, e cila ka 51% të paketës së aksioneve në central, kontraktoi me monopolin e shërbimeve të eksportit të Rusisë, Atomstroyexport të paisjeve të energjisë bërthamore, së bashku me Areva e Francës dhe Siemens e Gjermanisë si nënkontraktorë. Ajo pritet të zgjedhë tani një partner strategjik për të blerë pjesën e mbetur prej 49% të aksioneve të centralit deri nga fundi i këtij muaji.

RWE e Gjermanisë dhe kompania belge e shërbimeve Electrabel, që qenë përzgjedhur në mars, pritet tani të paraqesin ofertat e tyre përfundimtare deri në 15 shtator. Ministri i ekonomisë dhe energjisë Petar Dimitrov tha të mërkurën se një partner strategjik do të zgjidhej deri nga fundi i këtij muaji.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading