04/09/2008
Festivali i parë veror ndërkombëtar u zhvillua në Durrës duke tërhequr turma nga e gjithë bota.
Nga Marian Tutui për Southeast European Times -- 04/09/08
![]() Festivali i parë veror ndërkombëtar i filmit u mbajt nga 23 në 30 gusht. [Fotografia: kortezi e Ksavie Lambur] |
Qyteti shqiptar i Durrësit nuk është vetëm porti më i madh i vendit por përfaqëson gjithashtu historinë e trazuar dhe ndryshimet në vend. Amfiteatri i Durrësit i cili u ndërtua në shekullin e dytë BC dhe është në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s, ngjall lavdinë e Durrësit të lashtë; ndërsa vila e mbretit Zog tregon historinë e një politikani ambicioz aq sa ta shpallte veten një mbret.
Regjimi komunist ka lënë blloqe të varfra apartamentesh dhe hotelesh ndërsa porti u shfaq me forcë gjatë rënies së regjimit në 1991 kur 20,000 shqiptarë rrezikuan jetët e tyre duke marrë anijet e transportit dhe duke ikur për në Itali në kërkim të azilit. Dhjetë vitet e fundit kanë sjellë ndryshim rrënjësor: zhvillimi i Durrësit është i dukshëm edhe për të huajt. Ai ka ndryshuar formë në një qytet vendpushimi me shumë hotele të mirëpaisur në dispozicion të turistëve.
Zhvillimi ekonomik, nga ana e tij, nxiti investimet në sektorët e infrastrukturës dhe të kulturës. Fundjavën e shkuar, qyteti mbajti festivalin e tij të parë veror të filmit, duke tërhequr turma nga anembanë botës.
Të 16 filmat, të vlerësuar nga kritika e të prodhuar në 17 vende që nga 2006, u shfaqën në teatrin Aleksander Moisiu dhe në amfiteatrin e lashtë. Në shikim qenë filmabërës në kërkim të njohjes ndërkombëtare si dhe regjisori çek dhe fituesi i çmimit Oskar, Jiri Menzel dhe aktorë të tillë si Mikele Plaçido i Italisë, Rade Sherbexhija i Kroacisë dhe Ljubisha Samarxhiç i Serbisë.
Çmimi kryesor, Gladiatori i Artë, ju dha Menzel për filmin e tij "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë". Filmi, një bashkëpunim i Republikës Çeke dhe Sllovakisë nga 2006, është një dramë rreth një kamarjeri që ëndërron të bëhet një milioner përkundër sfondit të Çekosllovakisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Çmimi i posaçëm i jurisë ju dha regjisorit norvegjez Marius Holst për "Mirushi" një dramë tronditëse rreth shqiptarëve në Kosovë dhe imigrantëve. Nazif Muharremi i Kosovës fitoi çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në film. Jurisë i bëri gjithashtu përshtypje loja e aktores së re shqiptare Ornela Kapedani në filmin e regjisorit grek Thanos Anastopulos "Korigjim".
Trofeu për filmin më të mirë shqiptar ju dha "Koha e kometës" që u bë në bashkëprodhim me Gjermaninë dhe me regji të Fatmir Koçit. Filmi, një përshtatje e një romani nga Ismail Kadare, është një rindërtim i guximshëm i epokës gjatë së cilës u themelua shteti shqiptar.
Ndonse jo midis veprave më të mëdha të shfaqura në festival, tre filmat e tjerë shqiptarë të parë atje qenë interesantë për diversitetin e temave dhe mënyrave të tyre. "Trishtimi i zonjës Shnajder" me regji të Pirro Milkanit është një histori realiste por prekëse dashurie midis një shqiptari që studjon në Pragë dhe një gruaje çeke, gjatë periudhës së izolimit të Shqipërisë. Komedia e Besnik Bishës "Mao Ce Dun" tregon historinë e një cigani që ja del të tallë propagandën komuniste nëpërmjet emrit që ai zgjedh për fëmijën e tij të sapolindur gjatë regjimit të Enver Hoxhës. "Sekretet", një bashkëpunim Shqipëri-Kosovë me regji të Spartak Pecanit, është një alegori e tranzicionit në Shqipëri.
Filmabërësit shqiptarë janë penguar nga një mungesë fondesh ndonse gjendja duket se po ndryshon. Festivali i ri shënon një nisje të re për kinemanë shqiptare, duke hapur derën për më tepër bashkëprodhime dhe shikueshmëri ndërkombëtare.