05/09/2008
Dhjetra atletë të Ballkanit do të marrin pjesë në Lojrat e 13-a Paralimpike që hapen të shtunën në Pekin. Paralimpik është lidhur me garën jo paaftësinë. Shumë shpresojnë të kthehen në atdhe me medalje.
Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times -- 05/09/08
![]() Lojrat Paralimpike 2008 të Pekinit do të hapen në stadiumin kombëtar të shtunën (6 shtator). [Getty Images] |
Më pak se dy javë pas përfundimit të Olimpiadës së Pekinit, përgatitjet finale janë në proces në kryeqytetin kinez për fillimin e një tjetër veprimtarie sportive elitare. Lojrat e 13-a Paralimpike do të hapen të shtunën (6 shtator) me një tjetër ceremoni në stadiumin Foleja e Zogut.
Më tepër se 4,000 atletë nga gjashtë grupe të ndryshme paaftësish, që përfaqësojnë 150 vende dhe rajone të botës, do të konkurojnë në 20 sporte, duke përfshirë qitjen me hark, atletikën, çiklizmin, garat me kuaj, barkat me rrema, barkat me vela, qitjen, notin, pingpongun dhe tenisin me karrige me rrota dhe basketbolin me karrige me rrota. Një total prej 472 medaljesh të veprimtarive do të ndahen gjatë 13 ditëve në veprimtarinë që mbyllet në 17 shtator.
Do të jenë Lojrat e para Paralimpike në të cilat Serbia dhe Mali i Zi do të marrin pjesë si dy delegacione.
Ekipi serb prej 14 vetësh përfshin atletë që garojnë në qitje, atletikë dhe pingpong. Midis tyre është sprinteri Nemanja Savkoviç, pingpongistet Borislava Periç dhe Nada Matiç dhe Milosh Grlica i cili fitoi medaljen e bronxit në hedhjen e shtizës për meshkuj në Lojrat Paralimpike të Athinës 2004 ku ai konkuroi gjithashtu në disiplinat e 5,000 m për meshkuj dhe kërcimit së gjati. Qeveria serbe dha rreth 200,000 euro për pjesëmarrjen e ekipit kombëtar në Lojrat e Pekinit.
Delegacioni prej 27 vetësh i Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) që përfshin 15 atletë, u nis për në Pekin të hënën me shpresa të mëdha se ekipi i voleibollit i meshkujve do të marrë të artën, siç bëri katër vjet më parë në Athinë. Xhenita Kliço dhe Xhevat Panxhiç do të përfaqësojnë BiH në garat atletike dhe Izudin Husanoviç në qitje. Kroacia ka dërguar 25 paralimpikë në Pekin, duke përfshirë 13 garues në disiplina të ndryshme të atletikës. Midis tyre janë Jelena Vukoviç e cila fitoi medaljen e bronxit në flakjen e diskut në Athinë dhe Milka Milinkoviç, një atlete veterane që ka kaluar 40 vjet të jetës së saj në karrigen me rrota. Ajo debutoi në Lojrat paralimpike të 1972 në Heildelberg, duke fituar një medalje argjendi dhe një bronzi si pjesëtare e ekipit jugosllav.
Midis 1980 dhe 1988, Milinkoviç fitoi gjashtë medalje të tjera paralimpike, dy të arta, një të argjendtë dhe tre bronxi, për Jugosllavinë. Ajo mori medaljen e bronxit në hedhjen e shtizës për femra në Lojrat e Barcelonës 1992, në të cilat Kroacia mori pjesë për herë të parë si vend i pavarur. Kjo do të jetë paralimpiku i tetë për Milinkoviç.
Mihovil Spanja është midis katër notarëve që do të përfaqësojnë Kroacinë në Pekin. Ai fitoi tre medalje bronxi në Athinë, 100 m shpinë për meshkuj, 200 m të përzjerë dhe 400 m stil i lirë.
Kroacia do të marrë pjesë gjithashtu në qitje, pingpong, çiklizëm dhe garat me kuaj.
Dy pjesëmarrësit e Maqedonisë në Lojrat e Pekinit janë qitësat Vanço Karanfilov, fitues i medaljes së argjendtë në qitjen me pistoletë me ajër për meshkuj në Athinë dhe kampionia evropiane Olivera Nakovska e cila zuri vendin e gjashtë në garat e qitjes me pistoletë me ajër në Paralimpik 2004.
Ekipi paralimpik bullgar përfshin tetë anëtarë këtë vit. Shtatë nga ta do të konkurojnë në disiplina të ndryshme atletike. Midis tyre janë kampioni evropian Deshko Ovçarov, që konkuron në hedhjen e shtizës dhe flakjen e diskut për meshkuj dhe Stela Ivanova, kampione e botës në flakjen e diskut e shtytjen e gjyles për femra. Ivanka Koleva e cila fitoi të artën në shtytjen e gjyles në Lojrat paralimpike të 2000 në Sidni, do të përfaqësojë gjithashtu Bullgarinë në këto dy disiplina si edhe në garat e ngritjes së peshave për femra.
Rumania do të përfaqësohet në Lojra nga çiklistët Karol Eduard Novak, Arnold Csaba Butu, Lehel Ruzsa, tenistja Krina Steliana Tugui dhe Korina Viorica Kustura, një ngritëse peshe.
Turqia, qitësi i së cilës Muharrem Korhan Jamac fitoi dy medaljet e vendit në Lojrat paralimpike të Athinës, shpreson të shohë 16 përfaqësuesit e saj, ku përfshihen tetë femra, të japin më shumë këtë herë.
"Tetë atletë turq garuan në Athinë në 2004 dhe ne fituam një medalje ari e një bronxi," i tha agjensisë Anadolu në një intervistë në 28 gusht, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar Paralimpik të Turqisë, Ibrahim Gumusdal. "Tani ne po shkojmë në Berlin me 16 atletë për të fituar 5-6 medalje në sportet e qitjes, qitjes me hark, ngritjes së peshave, pingpongut, tenisit me rrota, atletikës dhe xhudos."
Në këtë artikull kontribuan Igor Jovanoviç (Beograd), Ivo Shçepanoviç (Zagreb), Tomislav Georgiev (Shkup) dhe Paul Kiokoiu (Bukuresht).