Kryeministri i Kosovës angazhohet për të luftuar ekonominë informale

11/09/2008

Qeveria e Kosovës thotë se ekonomia gri përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të GDP të vendit dhe pengon rritjen e saj. Kryeministri Hashim Thaçi po zotohet ta shuajë atë.

Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 11/09/08

photo

"Ndalimi i ekonomisë informale...[është një përparësi bazë] e qeverisë që unë kryesoj," tha kryeministri Hashim Thaçi. [Getty Images]

Kryeministri i Kosovës po zotohet të rritë përpjekjet për të luftuar ekonominë gri në vendin e ri të pavarur. "Ndalimi i ekonomisë informale...[është një përparësi bazë] e qeverisë që unë kryesoj," i tha Hashim Thaçi një konference mbi ndalimin e krimit financiar, korrupsionit dhe spastrimit të parave.

Thaçi tha se qeveria ka katër përparësi tërësore: rritjen ekonomike, zbatimin e planit të Ahtisaarit, qeverisjen e mirë dhe stabilitetin shoqëror. Qeveria nuk do të lejojë askënd të pengojë të ardhmen demokratike të shtetit të ri, u zotua ai.

Sipas zyrtarëve, ekonomia gri gjykohet për një pjesë të konsiderueshme të GDP dhe po pengon rritjen dhe zhvillimin e vendit si dhe vjedhjen e buxhetit të shtetit nga të ardhurat e nevojshme. Qeveria ka ngritur një grup pune bazuar në një program që aktualisht është në fazën fillestare, me qëllim që të prishë tregun informal.

Korrupsioni po pengon luftën kundër veprimtarisë së tregut gri, pranoi Thaçi. "Disa segmente në sistemin gjyqësor po flenë mbi dosjet e policisë për tetë vjet tani," tha ai. "Qeveria e Kosovës nuk do të pajtohet kurrë me ata që heshtin e fshehin krimin ose me ata detyrimi i të cilëve është të luftojnë krimin por që janë të heshtur apo e tolerojnë atë."

Komisioni Evropian (KE) thotë se ekonomia gri në Kosovë përfaqëson 35% të GDP, rreth 700 milion euro në vit, sipas kreut të Zyrës së Lidhjes së KE në Kosovë, Renzo Davidi. "BE e ka ndihmuar Kosovën me projekte të veçanta për të luftuar ekonominë informale," e citoi atë të thoshte Qendra e Informacionit e Kosovës.

Raporti më i fundit i KE pohon se Kosova mbetet prapa fqinjëve të saj dhe se rritja e saj ekonomike nuk është në ritëm me nevojat e papërmbushura të zhvillimit të saj edhe pse normat e rritjes nga viti në vit qenë 3.9% në 2006 dhe 4.4% në 2007.

"Problemi i madh që Kosova ndesh në tregun e punës është përkeqësuar për shkak se tani rreth 30,000 të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës," paralajmëroi KE.

Rritja ekonomike është një nga sfidat bazë për autoritetet në Kosovë. Deri tani, ato janë përqëndruar në politikën dhe sigurimin kombëtar, por pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, publiku pret që ato t'u kushtojnë më tepër vëmendje përparësive sociale e ekonomike.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading