23/09/2008
Qeveria serbe siguroi një delegacion vizitues rus të hënën se Beogradi do të respektojë angazhimin për gazin e naftën që vendi ka bërë me Moskën.
(AP, UPI, Beta, B92, EMportal, Serbian Government - 22/09/08; B92 -- 18/09/08 - 20/09/08)
![]() Ministri rus i situatave emergjente Sergei Shoigu "shprehu besim" se detajet e mbetura të marrëveshjes së energjisë do të sheshohen "brenda 60 ditësh" nga formimi i ekipeve negociuese të të dy qeverive. [Getty Images] |
Serbia e siguroi Rusinë të hënën (22 shtator) se do të respektojë angazhimin e saj në kuadrin e një marrëveshje kyçe bashkëpunimi midis të dy vendeve.
"Qeveria serbe është e vendosur të bëjë të dy palët të kënaqura me marrëveshjen e gazit e naftës," thoshte një deklaratë e lëshuar pas bisedimeve të kryeministrit serb Mirko Cvetkoviç me ministrin rus të situatave të emergjencës Sergei Shoigu në Beograd.
Marrëveshja, që jep mes të tjerash, përfshirjen e Serbisë në projektin e gazit natyror Rrjedha e Jugut, u nënshkrua në Moskë në janar dhe u ratifikua nga parlamenti serb më parë këtë muaj.
Sipas marrëveshjes, gjigandi rus i energjisë Gazprom do të paguajë 400 milion euro për 51% të aksioneve të shumicës në monopolin e naftës Naftna Industrija Srbije (NIS) dhe do të shpenzojë 500 milion euro të tjera në investime deri në 2012.
Ky aspekt i marrëveshjes, nënshkruar në më pak se dy muaj përpara rënies së qeverisë së ish kryeministrit Vojislav Koshtunica në 8 mars, shkaktoi kritika nga ekspertët dhe politikanët. Ata ngulmonin se çmimi që rusët ofruan për të paguar për NIS është shumë nën vlerën e tregut të kompanisë.
"Unë jam i sigurtë se ne do të gjenim pesë deri tetë herë më shumë për NIS po qe se ajo shitej nëpërmjet ofertave ndërkombëtare," tha ish ministri dhe ministri i tanishëm i ekonomisë Mllagjan Dinkiç përpara nënshkrimit të marrëveshjes. Një vlerësim i fundit nga kontrollorët e Deloitte & Touche e vuri çmimin për 100% të NIS në 2.2 miliard euro.
Në korrik, Partia Liberal Demokratike dhe Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës bënë amendamente ndaj marrëveshjes së energjisë me Rusinë, por ato u kundërshtuan nga një komitet parlamentar dhe marrëveshja më së fundi u ratifikua pa ndonjë ndryshim.
Dinkiç, i cili kryeson ekipin qeveritar për bisedime me rusët dhe që ndoqi takimin e Cvetkoviç me Shoigu të hënën, ka thënë se do të përpiqet të negociojë një çmim më të lartë për NIS përpara se marrëveshja të zbatohej plotësisht.
Duke e përshkruar marrëveshjen e energjisë si investimin më të madh të Moskës në Ballkan, ministri rus bëri të qartë se vendi i tij nuk ka dëshirë për bisedime të reja mbi çështjen.
"Ne nuk mund të vlerësojmë më vete çfardo pjesë të marrëveshjes," e citoi AP Shoigu të thoshte në një konferencë shtypi gjatë një vizite në qytetin jugor Nish më pas të hënën. "Kjo do të sillte rivlerësimin e krejt marrëveshjes."
Duke ju përgjegjur një pyetje në se Rusia kishte blerë ndonjëherë ndonjë kompani tjetër nafte me një çmim më të ulët, ministri rus u përgjegj: "Mirë, mos e shisni po qe se është tepër lirë, ju e vlerësuat, ju dhatë një çmim dhe ne thamë se pranojmë."
Agjensia e lajmeve Beta citoi ministrin e brendshëm Ivica Daçiç të thoshte të hënën se qeveria kishte konfirmuar se bërja e ndryshimeve në një marrëveshje e cila tashmë është ratifikuar është e pamundur dhe se Serbia duhet të respektojë angazhimin që ka marrë.
Shoigu u tha gjithashtu gazetarëve se bisedimet mbi të gjitha aspektet teknike të marrëveshjes së energjisë do të kompletohen brenda 60 ditëve nga formimi i ekipeve negociuese të të dy qeverive.
"Unë shpresoj se puna do të fillojë në ditën e 61-të," tha ai.
Çështjet që ekipet negociuese do të diskutojnë pritet të përfshijnë sasinë e gazit natyror që do të kalojë nëpër seksionin serb të tubacionit të gazit Rrjedha e Jugut, sasitë që do t'i furnizohen Serbisë si dhe operacioni i kompanisë së përbashkët të gazit që duhet të krijohet.
"Cvetkoviç shprehu mirënjohje ndaj politikës parimore të Rusisë dhe mbështetjen e saj lidhur me Kosovë-Metohinë dhe ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Serbisë," thoshte deklarata e lëshuar nga qeveria serbe pas bisedimeve të së hënës.