30/09/2008
Ish ministri jugosllav i mbrojtjes Veljko Kadijeviç ka fituar shtetësinë ruse dhe nuk ka gjasa të ndeshet me ekstradimin në Kroaci ku e presin tre padi më vete për përfshirjen e tij të dyshuar në krime të luftës gjatë fazës së hershme të konfliktit 1991-1995.
(AFP, B92, RIA Novosti, Javno - 29/09/08)
![]() Ministri i fundit i mbrojtjes i ish Jugosllavisë, Velko Kadijeviç drejtoi ushtrinë kombëtare jugosllave gjatë operacioneve ushtarake kundër qyteteve kroate Vukovar dhe Dubrovnik në 1991. [AFP] |
Veljko Kadijeviç, ministri i fundit i mbrojtjes i ish Jugosllavisë, që autoritetet kroate e kanë ndjekur për përfshirje të dyshuar në krimet e luftës, ka marrë shtetësinë ruse, raportoi të hënën (29 shtator) një agjensi lajmesh me bazë në Moskë.
"Unë mund të konfirmoj se gjenerali Kadijeviç përftoi shtetësinë ruse," i tha një burim anonim RIA Novosti.
Një dokument postuar në uebsajtin e Kremlinit e rreshton gjeneralin, lindur në 1925 në Kroaci, midis 14 vetëve që morën shtetësinë ruse nga dekreti presidencial në 13 gusht.
Sipas ligjeve të Rusisë, Kadijeviç, i cili mori statusin e refugjatit në 2005, duhej të jetonte në vend për tre vjet në mënyrë që të ishte i pranueshëm.
Autoritetet kroate e mbajnë ish ministrin, i cili drejtoi ushtrinë kombëtare jugosllave (JNA) në krye të luftës 1991-1995, përgjegjës për përfshirjen e dyshuar në mizoritë e kryera nga forcat nën komandën e tij në fazën e hershme të konfliktit.
Kadijeviç ndeshet me tre padi më vete në Kroaci. E para, lëshuar nga autoritetet gjyqësore në qytetin qendror të Bjellovarit në 1992 e akuzon atë për krime të luftës në rajon. Prokurorët në qytetet lindore Vukovar dhe Osijek e paditën atë respektivisht në 2003 dhe 2006.
Vukovari është i lidhur me një nga episodet më të përgjakshme në luftën e Kroacisë për pavarësi nga Jugosllavia. Më tepër se 1,000 civilë vdiqën dhe mijra të tjerë morën arratinë nga shtëpitë e tyre gjatë tre muajve të rrethimit dhe bombardimit të qytetit nga forcat serbe.
Të tjerë të paditur nga prokurorët kroatë për krimet e Vukovarit përfshijnë oficerët e JNA Veselin Slivjançanin dhe Miroslav Radiç, kreun e rebelëve serbë Mile Mrksiç dhe Vojislav Sheshelj, kreun e Partisë ultranacionaliste Radikale Serbe. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë i ka akuzuar tashmë këta të katër për krime të luftës.
Goran Haxhiç, një nga dy të mbeturit e kërkuar nga gjykata e OKB-së për krime lufte, ishte gjithashtu midis dhjetë të përfshirëve në padinë e autoriteteve kroate në 2003.
Padija e fundit e Kadijeviç erdhi në maj 2006, kur gjykata në Osijek e akuzoi atë dhe komandantin e forcave ajrore jugosllave, kroatin etnik Zvonimir Jurjeviç për vdekjen e e së paku 30 vetëve vrarë nga bombardimet pa dallim në Kroacinë lindore.
Ajo lëshoi një urdhër-arrest për dy oficerët, që jetonin që të dy jashtë Kroacisë.
Qeveria kroate lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar për Kadijeviç në mars 2007. Disa ditë më pas, Interpol gjithashtu e përfshiu atë në listën e kriminelëve të kërkuar.
Pasi u bë e qartë se Kadijeviç jetonte në Rusi, qeveria kroate kërkoi ekstradimin e tij. Autoritetet ruse thanë se po studjonin kërkesën.
Perspektivat e Kadijeviç për të ndeshur ndjekjen penale në Kroaci janë të pakta tani që ai është një shtetas rus. Kushtetuta ruse ndalon ekstradimin e shtetasve të vet.