30/09/2008
Makinabërësi italian Fiat nënshkroi një marrëveshje të hënën për të investuar në fabrikën e makinave Zastava, gjë që ekspertët presin të bëhet një pikë kthese për ekonominë e vendit.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 30/09/08
![]() Ministri i ekonomisë Mllagjan Dinkiç (i ulur, djathtas) dhe kryetari i grupit të Fiat, Serxhio Marçione (majtas) nënshkruajnë një marrëveshje që do të krijojë 5,000 vende pune në Serbi. [Igor Jovanoviç] |
Qeveria serbe dhe makinabërësi italain Fiat nënshkruan një kontratë bashkëpunimi të hënën (29 shtator) sipas së cilës partneri italian do të investojë 700 milion euro në fabrikën e makinave Zastava.
Zastava, me qendër në qytetin qendror serb Kragujevac, u rrënua në vitet 1990. Shpejt pas rënies së saj dhe të ekonomisë lokale, Kragujevac u bë i njohur si "lugina e urisë" për Serbinë. Ndërmarrja e përbashkët pritet të gjenerojë jo vetëm një ngritje rajonale por edhe të mbarë vendit.
Kushtet e kontratës, ende të padala plotësisht, parashikojnë që Zastava e kontrolluar nga shteti dhe Fiat të formojë një ndërmarrje të përbashkët në të cilën italianët do të mbajnë 67% të aksioneve dhe qeveria 33%. Ndërmarrja e re e grupit Fiat do të punësojë 2,400 punëtorë. Vëzhguesit presin që fabrika të krijojë 5,000 vende pune në të gjithë vendin.
Ekspertët parashikojnë që prodhimi vjetor të jetë 200,000 deri 300,000 makina me prodhimin e dy modeleve të reja të Fiat që nisin në fund të vitit tjetër. Zastava aktualisht prodhon vetëm 12,000 makina në vit.
Kragujevac do të përftojë një infrastrukturë të re transporti, dhe një numër i madh partnerësh të Fiat pritet të nisin biznese në qytet. Të hënën, dy anëtarë të grupit të Fiat, Iveco dhe Magneti Marelli, nënshkruan gjithashtu një memorandum me qeverinë serbe mbi prodhimin e autobuzëve, makinave speciale dhe pjesëve të këmbimit për makina. Këto kontrata parashikojnë investime me vlerë 240 milion euro dhe hapjen e dy fabrikave të reja.
Pas nënshkrimit, kryeministri Mirko Cvetkoviç tha se pret që kompania e re të fitojë të ardhura vjetore prej rreth 1 miliard euro nga eksportet e makinave dhe të tërheqë investitorë të huaj. Të ardhurat e eksportit do të qenë tejet të rëndësishme për Serbinë e cila këtë vit po sheh një defiçit tregtar prej rreth 6 miliard euro.
"Qeveria serbe do të vazhdojë të krijojë mjedisin më të mirë të mundshëm për investitorë të tjerë gjithashtu me qëllim që të rritë zhvillimin ekonomik," tha Cvetkoviç.
Ministri i jashtëm italian Franko Fratini tha se shpresonte se marrëveshja me Fiat do të rriste staturën e Serbisë në rajon dhe do ta sillte atë më pranë BE.
Ai u takua gjithashtu me zyrtarët e lartë të shtetit në Beograd, të cilëve u përcolli mbështetjen për shoqërimin e shpejtë me BE.
"Italia mbështet fort politikën pro-evropiane të presidentit [Boris] Tadiç. Ne jemi dakord ...se Serbia duhet të bashkohet me BE sa më parë të jetë e mundur," tha Fratini.
Tadiç tha se marrëveshja me Fiat do të nxisë Serbinë në çdo mënyrë të mundshme. "Ata që nuk besonin se Fiat do të vinte në Serbi bile edhe 10 deri në 15 ditë më parë, që nuk besojnë se ne do të përftojmë kandidaturën e anëtarësimit në BE dhe do të vendosemi në të ashtuquajturën listë të bardhë të Shengenit, duhet të dinë se ne do t'i bëjmë të gjitha këto gjëra," tha Tadiç.