01/10/2008
Gjashtë javë pas konfliktit midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, nisi të mërkurën një mision i BE që ka për qëllim stabilizimin në rajon dhe sigurimin e zbatimit nga palët të një armëpushimi në gusht.
(AP, Reuters, AFP, DPA, BBC, FT, Bloomberg - 01/10/08; Reuters, AFP, DPA, BBC, International Herald Tribune, VOA - 30/09/08)
![]() Vëzhguesit e BE lënë bazën e tyre në qytetin gjeorgjian Mukharni për të mbikqyrur një armëpushim dhe vëzhguar një tërheqje ruse pas luftimeve në gusht. [Getty Images] |
Një mision i BE që ka për qëllim kontributin në stabilitetin e Gjeorgjisë, nisi operacionet të mërkurën (1 tetor) ndërsa vëzhguesit e paarmatosur nga blloku prej 27 vendesh nisën monitorimin e një armëpushimi që i dha fund konfliktit pesë-ditor të vendit me Rusinë këtë verë.
Më tepër se 200 vëzhgues të paarmatosur nga 22 vende anëtare të BE kanë shkuar në Gjeorgji për të mbikqyrur tërheqjen e forcave ruse nga dy zonat tampon pranë rajoneve që duan shkëputje të ish republikës sovjetike, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.
Në 7 gusht, ushtria gjeorgjiane nisi një ofensivë për të rimarrë kontrollin e Osetisë së Jugut. Rusia reagoi menjëherë me veprim ushtarak masiv, duke përfshirë bombardime ajrore brenda territorit gjeorgjian, tepër larg kufijve të krahinës së debatuar.
Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE e nënshkruar nga Moska e Tbilisi në 12 gusht u kërkonte të dy palëve të tërhiqnin trupat e tyre në pozitat përpara konfliktit. Rusia megjithatë ngriti "zona sigurie" rreth Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe njohu dy rajonet si shtete të pavarur në 26 gusht, duke shkaktuar dënimin e fortë perëndimor.
Sipas një plani të rinovuar të 8 shtatorit, forcat ruse duhet të tërhiqen plotësisht nga dy zonat tampon brenda dhjetë ditësh nga vendosja e vëzhguesve të BE.
Duke folur në prag të nisjes së Misionit të Monitorimit të BE (EUMM), shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana shprehu optimizëm se të dy palët do të përputhen me paktin dhe Moska do të tërheqë trupat e veta brenda afatit të marrë vesh.
"Ne shpresojmë shumë dhe jemi të sigurt se përpara 10 tetorit kjo pjesë e misionit do të jetë e kompletuar," tha ai në Tbilis të martën.
Më parë këtë ditë, ushtria ruse tregoi se do të bllokonte vëzhguesit e BE nga hyrja në zonat tampon. Por vëzhguesit thuhet se hynë në zonën rreth Osetisë së Jugut pa incidente ndërsa filluan punën të mërkurën.
Raportet të mërkurën sugjerojnë se patrullat e BE qenë në gjendje të vizitonin një numër fshatrash brenda zonës tampon dhe të bisedonin me banorët përpara se të ktheheshin në bazat e tyre. Por forcat ruse bllokuan gazetarët për të ndjekur vëzhguesit.
EUMM, kryesuar nga diplomati gjerman Hansjoerg Haber, e ka selinë e vet në Tbilisi. Vëzhguesit e BE kanë katër zyra fushore: pranë liqenit Basaleti, rreth 20 km në veri të kryeqytetit gjeorgjian dhe në Gori, Poti dhe Zugdidi.
Haber u kërkoi vëzhguesve të "tregojnë flamurin, të jenë miqësorë dhe të shfaqin besim".
Rusia ka në plan të mbajë rreth 8,000 trupa në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi dhe ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të lejojë vëzhguesit e BE të kenë akses në këto dy rajone.
Vëzhguesit presin që çështja të ngrihet përsëri gjatë një raundi të ri bisedimesh midis zyrtarëve rusë dhe atyre të BE, caktuar në Gjenevë më pas këtë muaj.