Greqia kritikon Maqedoninë lidhur me padinë në ICJ

19/11/2008

Padia e Maqedonisë kundër Greqisë për bllokimin e e përpjekjes së saj për t'u bashkuar me NATO-n ka zemëruar Athinën. Të martën, Greqia e karakterizoi padinë si një përpjekje për të penguar zgjidhjen e mosmarrëveshjes 17 vjet të vjetër të emrit midis të dy vendeve.

(CNN, Euobserver, Euronews, UPI, MIA, Kathimerini - 18/11/08; AFP, AP, Reuters, DPA, MIA, Makfax - 17/11/08)

photo

Maqedonia depozitoi padinë e saj kundër Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. [OKB]

Greqia kritikoi Maqedoninë të martën (18 nëntor) për ndërmarrjen e procedimeve kundër saj përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), duke e akuzuar Shkupin për kërkimin e një shtyrje të mëtejshme për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tyre të gjatë për emrin.

Në një masë të papritur të hënën, Maqedonia ngriti një ankim në gjykatën me bazë në Hagë, duke argumentuar se Greqia shkeli një marrëveshje të përkohëshme të 1995 midis të dy vendeve duke bllokuar ofertën e hyrjes së Shkupit në NATO në samitin e Bukureshtit të Aleancës prillin e kaluar.

Në marrjen e këtij hapi, qeveria maqedonase e kryeministrit Nikola Gruevski "vazhdoi taktikat e veta të shtyrjes" në negociatat e kryesuara nga OKB mbi mosmarrëveshjen e emrit midis Athinës dhe Shkupit, tha të martën zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke Jorgo Kumucakos.

Vendimi i Maqedonisë për të paditur Greqinë përpara ICJ përbën një shkelje të "parimit bazë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", shtoi Kumucakos.

Greqia ka refuzuar ta njohë Maqedoninë me emrin e vet kushtetues, Republika e Maqedonisë duke patur frikë se emri mund të nënkuptojë pretendime territoriale mbi krahinën e saj veriore të Maqedonisë. Athina këmbëngul për ta quajtur fqinjën veriore Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) emri me të cilin ajo u bashkua me OKB në 1993. Shumë organizata ndërkombëtare duke përfshirë NATO dhe BE, zyrtarisht e quajnë kështu.

Në ankesën e vet në ICJ, Shkupi argumenton se vendimi i Greqisë për të vënë veton kundër ftesës së Maqedonisë në NATO përbënte një "shkelje flagrante të detyrimeve të saj nën artikullin 11 të marrëveshjes së 1995. Artikulli përcakton se Greqia "pranon të mos kundërshtojë" aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në organizata e institucione ndërkombëtare që i referohen asaj si FYROM.

Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Miloshoski i cili përfaqëson vendin e tij në rastin e ICJ, tha se qeveria e tij vendosi të çojë Greqinë në gjykatë pasi nuk pa "udhë tjetër për të kënaqur drejtësinë dhe për të mbrojtur" të drejtat e veta.

Kumucakos ja ktheu se autoritetet greke do të paraqisnin prova se Maqedonia kishte shkelur vetë marrëveshjen e 1995 në raste të shumta.

Presidenti maqedonas Branko Crvenkovski tha të martën se qeveria kishte ngritur ankesën ndaj Greqisë pa një konsultim të mëparshëm dhe se masa shkeli kushtetutën dhe ligjin mbi politikën e jashtme . Ditën tjetër, ai tha se masa ishte plotësisht e ligjëshme por mund të pengonte integrimin evro-atllantik.

Ervan Fouere, ambasadori i BE në Maqedoni tha: "Ne po presim që qeveria të përqëndrojë të gjitha energjitë e saj [në përmbushjen e provave të KE] pasi kompletimi i reformave [dhe] zgjedhjet e regullta, demokratike janë arritje që çmon BE."

Duke dashur të mos komentojë mbi masën, Methju Nimetz, ndërmjetësi i OKB në bisedimet e mosmarrëveshjes së emrit, vuri në dukje vetëm se Shkupi e kishte risiguruar atë për vendosmërinë e vet të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje ndërsjelltazi të pranueshme për çështjen e emrit.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading