03/10/2008
BRUKSEL, Belgjikë -- Komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha të enjten (2 tetor) se kushti më i rëndësishëm që Maqedonia duhet të përmbushë për t'u bashkuar me BE është të arrijë kriteret politike për nisjen e bisedimeve të pranimit. Pas një takimi me presidentin maqedonas Branko Crvenkovski në Bruksel, Rehn i tha një konference të përbashkët shtypi se biseda ishte e dobishme dhe miqësore, e përqëndruar në çështjet maqedonase dhe rajonale. Lidhur me kriteret politike, ai përmendi stabilitetin në funksionimin e institucioneve demokratike, vendosjen e rregullit të ligjit dhe masat për të mbajtur zgjedhje të rregullta në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sa për mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë, Crvenkovski tha se ishte gati të pranonte një kompromis të drejtë që nuk bie ndesh me identitetin kulturor e kombëtar të Maqedonisë. Ai shprehu shpresë se Greqia do të demonstrojë gjithashtu një fleksibilitet. I dërguari i OKB-së në mosmarrëveshjen, Matthew Nimetz ka në plan të takohet me përfaqësuesit grek e maqedonas në bisedime të martën.
Më pas gjatë ditës, Crvenkovski u takua me shefin e sigurisë të BE, Havier Solana dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scfhefer. Solana tha se koha është një faktor tepër i rëndësishëm për përpjekjet e anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. Si ai ashtu dhe de Hoop Scheffer theksuan rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit. De Hoop Scheffer shtoi gjithashtu se integrimi evro-atllantik i gjithë rajonit ishte çelësi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Sekretari britanik i shtetit i jashtëm, David Miliband i bëri jehonë kësaj teme të enjten në një artikull botuar në të përditshmen me bazë në Podgoricë, Vijesti. (AFP, Makfax, MIA, Vijesti - 02/10/08)