Ditari diplomatik: krerët rajonalë ndjekin samitin e BE mbi krizën e Kaukazit

02/09/2008

Zyrtarët grekë e rumunë qenë në Bruksel të hënën. Gjithashtu në të rejat diplomatike të kësaj jave: ministri maqedonas i mbrojtjes Miroslav Stojanovski dhe homologu i tij serb Zdravko Ponos, u takuan në Beograd.
photo

Kryeministri grek Kostas Karamanlis (përapara) dhe ministrja e jashtme Dora Bakojanis qenë në Bruksel të hënën (1 shtator). [Getty Images]

Kryeministri grek Kostas Karamanlis dhe ministrja e jashtme Dora Bakojanis qenë në Bruksel të hënën (1 shtator) për të marrë pjesë në samitin e BE mbi krizën kaukaziane dhe pasojat e mundëshme. Greqia do "integritetin territorial dhe pavarësinë e vendeve", tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme George Kumutsakos. Ai vuri në dukje se Athina, në mbështetje të këtij kuadri, nuk e njohu Kosovën apo rajonet e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Këshilli i politikës së jashtme në ministrinë e jashtme do të diskutojë krizën e Kaukazit të enjten.

***

Presidenti rumun Traian Bashesku tha të hënën (1 shtator) se vendi i tij nuk do të kërkojë për sanksione ndaj Moskës. Bashesku që qe drejtuar për në samitin e BE mbi krizën e Kaukazit tha se, "sanksionet vetëm do të ngrijnë situatën aktuale dhe do të japin baza të reja për tensionet". Ai tha se do t'i bënte thirrje BE t'i kërkonte Rusisë përputhje me Marrëveshjen e Stambollit mbi tërheqjen e trupave nga rajonet që duan shkëputje të Transdniestrit dhe Osetisë së Jugut.

***

Ministri maqedonas Miroslav Stojanovski dhe homologu i tij serb Zdravko Ponos, u takuan në Beograd të premten (29 gusht), duke u zotuar të vazhdojnë përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjelltë të mbrojtjes. Dy zyrtarët diskutuan drejtimet e posaçme për bashkëpunimin e ardhshëm dhe pjesëmarrjen e vendeve të tyre në misionet ushtarake dhe bashkëpunimin në burimet njerëzore. Stojanovski shprehu gadishmërinë e Maqedonisë për të ndarë përvojën e vet 13 vjeçare në përgatitjet për t'u bashkuar me NATO dhe programin e Partneritetit për Paqe. Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis dy ushtrive, Ponos i Serbisë shprehu shpresën se në të ardhmen nuk do të kishte pengesa politike në bashkëpunimin e ndërsjelltë ushtarak.

***

Kryeministri shqiptar Sali Berisha u takua me kryeministrin islandez Geir Haarde në Tiranë javën e shkuar dhe nënshkroi një marrëveshje mbi liberalizimin e vizave. "Ne përshëndesim gadishmërinë e Islandës për të nënshkruar protokollin e NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë si dhe kontributin e saj për stabilitetin në rajon," tha Berisha pas takimit. Haarde u takua gjithashtu me presidentin Bamir Topi dhe konfirmoi dëshirën e Islandës për të forcuar lidhjet e ndërsjellta dhe për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të integrimit evro-atllantik.

***

Shqipëria do të hapë shpejt një ambasadë në Brazil dhe do të ketë atje përfaqësues në nivelin më të lartë diplomatik, i tha një mbledhjeje të kabinetit të tij kryeministri Sali Berisha të mërkurën (27 gusht). Berisha e quajti Brazilin "një vend të madh e të rëndësishëm" dhe vuri në dukje se hapja e një ambasade është hapi tjetër logjik pas heqjes së regjimit të vizave me Brazilin. Të dy vendet e arritën këtë vendim pas një takimi të fundit midis Berishës dhe presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, mënjanë Olimpiadës së Pekinit.

(Burime të ndryshme 26/08/08-02/09/08)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading