30/09/2008
Kryeministri i Shqipërisë zotohet për bashkëpunim të mëtejshëm me Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu në lajmet diplomatike këtë javë: ministri i jashtëm qipriot Markos Qiprianu është në Kubë dhe Gul i Turqisë thotë se do të vizitojë Irakun.
![]() "Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e SHBA," i shkroi kryeministri Sali Berisha presidentit të SHBA Xhorxh W. Bush. [Getty Images] |
Kryeministri shqiptar Sali Berisha i shkroi të dielën (28 shtator) presidentit të SHBA Xhorxh W. Bush duke e falenderuar atë për ratifikimin nga senati i SHBA të një protokolli për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Ne ju falenderojmë për kontributin tuaj në këtë masë dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e SHBA," thoshte Berisha në letër. Më parë, presidenti Bamir Topi falenderoi Bushin dhe Shtetet e Bashkuara.
***
Kryeministri bullgar Sergej Stanishev ju drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të premten (26 shtator) në Nju Jork duke u përqëndruar në një samit mbi furnizimin me gaz natyror të Evropës, që Bullgaria është caktuar ta presë vitin tjetër. Stanishev u takua gjithashtu me homologun e tij kroat Ivo Sanader dhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov.
***
Presidenti qipriot Demetris Kristofias mbajti takime më vete me homologët e tij armen dhe serb, Serzh Sargisjan dhe Boris Tadiç në OKB në Nju Jork. Sargisjan dhe Tadiç u zotuan për mbështetjen e plotë nga vendet e tyre për përpjekjet e fundit të dy komuniteteve qipriote për të ribashkuar ishullin pas dekadash ndarjeje.
***
Ministri i jashtëm qipriot Markos Qiprianu u nis të hënën (29 shtator) për një vizitë dy-ditore në Kubë. Ai do të takohet me homologun e tij kuban Felipe Perez Roke për të diskutuar lidhjet e ndërsjellta, çështjen e Qipros dhe marrëdhëniet midis Kubës dhe BE.
***
Maqedonia pret që Franca të mbështesë ofertat e saj për në BE dhe NATO, tha të dielën (28 shtator) nënkryeministri për çështjet evropiane Ivica Boçevski, pas një takimi në Shkup me sekretarin frëng të shtetit për mbrojtjen, Zhan-Mari Bokel. Të dy ata diskutuan marrëdhëniet Maqedoni-Francë dhe aspiratat e Shkupit për në BE dhe NATO.
***
Presidenti turk Abdullah Gul tha të shtunën (27 shtator) se do të vizitojë së shpejti Irakun për të demonstruar mbështetjen e Turqisë për popullin iraken. Të premten, Gul u takua me homologun e tij të Irakut Xhalal Talabani në OKB në Nju Jork. Pjesësrisht, ata diskutuan operacionet ushtarake turke në vazhdim në Irakun e veriut lundër bazave të Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit.
***
Mali i Zi dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje që heq regjimin e tyre të ndërsjelltë të vizave, raportoi media të mërkurën (24 shtator). Nënshkrimi i saj u bë nga ministri i jashtëm malazes Milan Roçen dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov, në Nju Jork. Dokumenti do të hyjë në veprim në tetor.
(Burime të ndryshme 23/09/08-30/09/08)