07/10/2008
Presidenti qipriot Kristofias thotë se vizita e tij në Bullgari është një piketë për bashkëpunimin. Gjithashtu në lajmet diplomatike: Shqipëria do të bashkohet me NATO në prill, tha ndihmës sekretari i mbrojtjes i SHBA Gordon R. Ingland.
![]() Presidenti qipriot Demetris Kristofias. [Getty Images] |
Presidenti qipriot Demetris Kristofias arriti në Bullgari të dielën (5 tetor) me ftesë të homologut të tij bullgar Georgi Parvanov. Kristofias u takua të hënën me Parvanov dhe kryeministrin Sergei Stanishev. Presidenti qipriot po udhëton me një delegacion të dhomës së tregtisë dhe industrisë. "Jam i sigurtë se kjo vizitë do të jetë një piketë në përpjekjet për të zgjeruar bashkëpunimin politik, ekonomik e kulturor midis dy vendeve tona," tha Kristofias përpara vizitës.
***
Presidenti serb Boris Tadiç ishte në Evian, Francë të hënën (6 tetor) për të ndjekur Konferencën e Politikës Botërore e cila do të vazhdojë deri të mërkurën. Tadiç pritet të flasë në një nga sesionet plenare. Do të marrin pjesë gjithashtu profesorë, analistë politikë, krerë të korporatave ndërkombëtare dhe gazetarë. Presidenti frëng Nikola Sarkozi dhe presidenti rus Dmitri Medvedev konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
***
Kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat u takua të enjten (2 tetor) me presidentin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR), Zhan Pol Kosta. Ata diskutuan rastet e ngritura nga grekët qipriotë lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre të pronësisë në anën veriore të kontrolluar nga turqit, të Qipros. Në takim, Talat i tha Kostas se administrata turke qipriote ka ngritur një komision të posaçëm për t'u marrë me kërkesat e pronës nga grekët qipriotë. Falë punës së komisionit, numri i rasteve të sjella në ECHR nga grekët qipriotë do të binte ndjeshëm, tha Talat.
***
I ngarkuari me punë bullgar në Uzbekistan, Ilko Dimitrov Slavçev tha se nisja e fluturimeve pa ndalesë midis Bullgarisë dhe Uzbekistanit dhe e një misioni diplomatik uzbek në Bullgari mund të rriste bashkëpunimin përfitues. Ai tha se të dy vendet kanë potencial të pasur turistik dhe se fluturimet midis të dy vendeve mund të jenë katalizator për integrimin e turizmit dhe bizneseve të tjera midis tyre si dhe me pjesën tjetër të Evropës.
***
Shqipëria do të bashkohet me NATO në prill, tha ndihmësi i sekretarit të mbrojtjes të SHBA Gordon R. Ingland në 30 shtator pas takimit me ministrin shqiptar të mbrojtjes Gazmend Oketa. Ky i fundit premtoi se Shqipëria do të vazhdojëp reformat për të përmbushur stndardet e anëtarësimit në NATO. "Shqipëria është një aleate e [Shteteve të Bashkuara] lidhur me paqen e sigurinë globale," tha Oketa.
***
Presidenti maqedonas Branko Crvenkovski priti në 30 shtator në Shkup ministrin e jashtëm kroat Gordan Jandrokoviç. Të dy zyrtarët vlerësuan marrëdhëniet midis të dy vendeve veçanërisht në fushën politike. Crvenkovski uroi Kroacinë për ftesën e saj në anëtarësimin në NATO si dhe për përparimin në përpjekjet e veta të integrimit evropian.
(Burime të ndryshme 07/10/08-30/09/08)