Kulturë dhe sporte: mbahet në Prishtinë Festivali Ndërkombëtar i Fëmijëve

08/10/2008

Prishtina priti "Ylberët e Prishtinës", një festival fëmijësh. Gjithashtu në lajmet kulturore të kësaj jave: një shkrimtar serb fiton çmimin prestigjoz letrar Balkanika dhe një film bullgar fiton çmimin publik në festivalin e filmit në Zurih.
photo

Prishtina kremtoi të premten (3 tetor) Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve. [Laura Hasani]

Një tërësi prej 21 ansamblesh muzikore morën pjesë në edicionin e shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Fëmijëve, titulluar "Ylberët e Prishtinës", të premten (3 tetor). Organizatorët e veprimtarisë qenë qyteti i Prishtinës, Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe ministria e kulturës, rinisë e sporteve. Në veprimtari morën pjesë ansamble nga Maqedonia, Kroacia, Turqia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

***

Të dielën (5 tetor), shkrimtari serb Vladislav Bajac fitoi çmimin letrar Balkanika për romanin e tij Hamam Balkanija në ceremoninë e 11-të të çmimit ballkanik që u bë nga e premtja (3 tetor) deri të hënën. Rreth 30 shkrimtarë, botues, kritikë letrarë dhe romancierë nga gjashtë vende të Ballkanit u mblodhën në Shkup për veprimtarinë.

***

Ylli i tenisit serb Jelena Jankoviç fitoi finalen e Grand Prix të Shtutgartit të dielën (5 tetor) duke mundur rusen Nadia Petrova. Turneu, i njohur gjithashtu si Porsche Grand Prix, i jep fituesit të drejtën e zgjedhjes midis 100,000 $ ose një Porshe.

***

Festivali i muzikës së dhomës Kamerfest të Kosovës u hap të dielën (5 tetor) në Prishtinë dhe vazhdon deri në 30 tetor. Edicioni i nëntë i kësaj veprimtarie mbledh artistë nga vende të ndryshme.

***

Filmi bullgar The World is Big, and Salvation Lurks around the Corner (Bota është e madhe dhe shpëtimi është pranë) fitoi çmimin e publikut në festivalin e Zurihut i cili u bë nga 25 shtatori deri të dielën (5 tetor). Filmi, një bashkëprodhim nga Bullgaria, Gjermania, Hungaria e Sllovenia, bazohet në një roman autobiografik nga Ilia Trojanov.

***

Kupa ndërkombëtare e velave për femra u hap të hënën (6 tetor) në Bodrum, Turqi. Rreth 200 atllete nga Turqia, Rusia, Gjermania, Zvicra, Hollanda dhe Izraeli po marrin pjesë në turneun pesë-etapash i cili përfundon në 11 tetor.

***

Elbasani, Shqipëri, po pret edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar Teatror Skampa nga e shtuna (4 tetor) deri të premten. Në festivalin e sivjetëm marrin pjesë pesë trupa shqiptare dhe gjashtë ndërkombëtare, nga Mali i Zi, Maqedonia, Austria, Italia dhe Rumania.

(Burime të ndryshme – 01/10/08-08/10/08)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading