Kosovë: proçesi diplomatik

15/12/2006

Gjashtë vjet mbas konfliktit 1998-1999, Këshilli i Sigurisë së OKB-së vendosi që ka ardhur koha për të filluar një proçes politik me qëllim përcaktimin e të ardhmes së Kosovës.

(Burime të ndryshme -- 24/10/05 - 04/12/06)

photo

Liderat shqiptarë dhe serbë të Kosovës zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në 24 korrik 2006 por seanca tregoi vetëm se sa larg kanë ngelur të dyja palët nga njëra-tjetra. [Getty Images]

Teknikisht akoma pjesë e Serbisë, Kosova ka qënë de facto protektorat i OKB-së që nga fundi i konfliktit 1998-1999. Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, duke vendosur provincën e rrënuar nga lufta nën administrimin e UNMIK në pritje të përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.

Gjashtë vjet më vonë, më 24 tetor 2005, Këshilli mbështeti nje rekomandim të Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan për hapjen e një proçesi politik me qëllim zgjidhjen e këtij problemi.

Vendimi u mor duke pas një analize të hollësishme të progresit të provincës në plotësimin e standarteve të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar si parakusht për hapjen e negociatave. Analiza u drejtua nga i dërguari i posaçëm i Anan për rajonin, diplomati norvegjez Kai Eide.

“Keshilli i Sigurimit ra dakort me vlerësimin e plotë të Ambasadorit Eide që, pavarësisht se Kosova dhe gjithë rajoni akoma përballet me sfida, ka ardhur koha për të ecur në fazën tjetër” deklaroi Këshilli në një deklaratë.

Më pas Anan emëroi presidentin e mëparshëm finlandez Marti Ahtisari si të dërguarin e tij të posaçëm për të drejtuar bisedimet dhe diplomatin austriak Albert Rohan si zëvendësin e të dërguarit.

Disa javë më vonë, BE dhe Shtetet e Bashkuara caktuan të dërguarit e tyre për negociatat -- përkatësisht Stefan Lehne dhe Frank Wisner.

Përveç OKB-së, një aktor tjetër i rëndësishëm në proçes është Grupi i Kontaktit për Kosovën i gjashtë shteteve duke përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Në nëntor, grupi formuloi një manual të parimeve udhëzuese për zgjidhjen e çështjes së statusit, duke vendosur ndër të tjera një kthim në situatën para vitit 1999, ndarjen e provincës ose bashkimin e saj me çdo shtet tjetër si rezultat i mundshëm i bisedimeve.

Në përgatitjen e bisedimeve, Ahtisari udhëtoi në Prishtinë dhe në Beograd -- po ashtu dhe në Podgoricë, Shkup dhe Tiranë -- për t’u njohur me pozicionin e lojtarëve kyç në rajon.

photo

I dërguari i posaçëm i OKB-së Marti Ahtisari. [Getty Images]

Qëndrimet e liderave serbë dhe shqiptarë të Kosovës mbi çështjen ishin diametrikisht të kundërta.

Duke insistuar se ai duhet të mbajë pavarësinë mbi Kosovën, Beogradi deklaroi se gjithçka mund të lejonte ishte dhënia e një autonomie të konsiderueshme.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët perbëjnë rreth 90% të popullsisë të provincës prej 2 milion, kërkuan asgjë më pak se pavarësia e plotë nga Serbia.

Bisedimet e para direkte midis zyrtarëve serb dhe shqiptarë të Kosovës u planifikuan për t’u hapur më 25 janar 2006. Por vdekja e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova më 21 janar i shtyu me afërsisht një muaj negociatat.

Fatmir Sejdiu, i cili u zgjodh për të zëvendësuar Rugovën, zëvendësoi presidentin e ndjerë gjithashtu edhe si kryetari i grupit të negociatorëve të Kosovës. Anëtarët të tjerë të rëndësishëm të ekipit përfshinin krymenistrin e Kosovës Bajram Kosumi, i cili më vonë dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga Agim Çeku, drejtuesit e opozitës Hashim Thaçi dhe Veton Surroi dhe kryetari i parlamentit të krahinës.

Grupi i negociatorëve serb përfshin presidentin Boris Tadiç, kryeministrin Vojisllav Koshtunica dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gjithashtu përfshin përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës.

Negociatat e para direkte te drejtuara nga OKB midis zyrtarëve serb dhe shqiptarë të Kosovës u hapën në Pallatin Daun-Kinssky në Vienë më 20 shkurt 2006. Të dyja palët morën pjesë me një delegacion prej tetë anëtarësh, të drejtuar përkatësisht nga zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe ministër i administratës së qeverisjes lokale Lutfi Haziri dhe këshilltari i presidentit serb Leon Kojen. Dy ditët e bisedimeve, duke u fokusuar mbi decentralizimin, u drejtuan nga Rohan. Ai deklaroi se megjithëse takimi nuk prodhoi asnjë “rezultat të rëndësishëm” ka qenë “gati i suksesshëm”.

Decentralizimi mbeti çështja kyçe e axhendës të shumë raundeve të bisedimeve, të cilat u morrën me të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike -- në veçanti atë të komunitetit serb të Kosovës, i cili numëron gati 100,000 njerëz.

Përveç aspekteve ekonomike, si përgjegjësitë dhe investimet, borxhet, privatizimet dhe zotërimi i ardhshëm i pasurive industriale të rëndësishme, bisedimet e Vienës nuk e prekën çështjen e statusit deri tek raundi i shtatë më 24 korrik, kur liderat serb dhe shqiptar të Kosovës zhvilluan takimin e tyre të parë ballë për ballë. Ai tregoi që pesë muajt e kaluar të bisedimeve kishin dështuar të afrimin e ndarjes së pozitave të Beogradit dhe Prishtinës.

“Është e dukshme që pozitat e palëve mbetën larg”, deklaroi Ahtihsari në një konferencë për shtyp mbas takimit. Beogradi mund të bjerë dakort për çdo gjë përveç pavarësisë, nga ana tjetër Prishtina mund të pranojë asgjë tjetër përveç pavarësisë së plotë.”

Decentralizimi dhe te drejtat e minoritetit ishin përsëri në axhendë në raundin e tetë të bisedimeve më 7-8 gusht, por e vetmja marreveshje e arritur lidhej me emërimin e komandantëve të stacioneve të policisë.

Një raund i ri dy-ditor u mbajt ne Vienë një muaj më vonë, me ekipet e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës duke bërë një progres të vogël substancial, pavarësisht se Rohan e përshkroi si një “diskutim të mirë dhe konstruktiv”.

“Ne kishim një, dy ose tre çështje ku ne mund të ecnim përpara, por në të vërtetë ne nuk mund të flasim për një arritje”, deklaroi zyrtari i OKB-së në këtë seancë, e cila përsëri u fokusua gjerësisht në decentralizim, trashëgiminë kulturore dhe të drejtat e komuniteteve etnike në Kosovë.

Në raportin e tij të radhës në Këshillin e Sigurimit mbi Kosovën , publikuar disa dite më vonë mbas raundit të nëntë të bisedimeve në Vienë, Anan shprehu zhgënjimin se serbët dhe shqiptarët e Kosovës kishin dështuar duke qëndruar në pozicionet e tyre.

Përveç konvergjencave në disa aspekte, bisedimet shfaqën që palët mbetën larg në shumicën e çështjeve,” thotë raporti i shefit të OKB-së, duke i bërë thirrje të dyja palëve të tregojnë “më shumë fleksibilitet” në mënyrë që të arrihet një kompromis.

Disa ditë më vonë, Rohan pranoi që mundësitë që kjo të ndodhte ishin të vogëla.

“Ne jemi duke ju afruar një momenti ku vetëm nga bisedimet ne nuk mund të arrijmë qëllimin,” deklaroi ai. “Ne mund të bisedojmë për 10 vite të tjera dhe nuk ndryshojmë asgjë.”

Në Shtator Grupi i Kontaktit i kërkoi Ahtisarit të “përgatisë një propozim të pranueshëm për zgjidhjen e statusit”. Në të njëjtin muaj, Serbia miratoi kushtetutën e re duke e përcaktuar Kosovën si pjesë e “patjetërsueshme” e territorit të saj. Shumica e votuesve serb e mbështetën kushtetutën e re në një referendum në fund të tetorit, duke i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare të përcaktuara më 21 janar 2007.

Përveç planit të tij fillestar për të çuar proçesin e statusit e Kosovës drejt zgjidhjes deri në fund të vitit 2006, komuniteti ndërkombëtar vendosi që Ahtisari duhet të paraqesi propozimin e tij për zgjidhjen mbas zgjedhjeve serbe.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading