![]() |
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan emëroi ish-Kryeministrin finlandez Harri Holkeri si përfaqësuesin e tij të posaçëm të ri dhe kreun e UNMIK-ut më 25 korrik 2003. Holkeri pason Mikael Shtajner të Gjermanisë, i cili shërbeu si kreu i 3-të i UNMIK-ut që prej fillimit të misionit më 1999. Parardhësit e Shtajnerit kanë qenë Hans Haekerup nga Danimarka dhe Bernard Kushner nga Franca.
Holkeri, lindur më 6 janar 1937 në Toijala, Finlandë, ka marrë doktoraturë në shkencat politike në Universitetin e Helsinkit. Ai ka gradën Major në forcat rezerviste finlandeze.
Holkeri filloi karrierën e tij politike më 1965 si sekretar i Partisë Konservatore (Aleanca Kombëtare). Më 1971, ai u zgjodh kryetar i partisë dhe shërbeu në këtë detyrë deri më 1979. Ka qenë gjithashtu anëtar i parlamentit nga viti 1970 deri më 1978.
Holkeri ishte dy herë kandidat presidencial -- më 1982 dhe 1988. Të dy herët kandidoi kundër Mauno Koivisto, mik i ngushtë i tij dhe koleg në Bankën e Finlandës. Holkeri ishte anëtar i Bordit të Guvernatorëve të bankës nga 1978 deri më 1997 dhe kryetar i këshillit të qytetit të Helsinkit nga 1981 deri më 1987.
Nga 1987 deri më 1991, Holkeri ishte Kryeministër i Finlandës, duke kryesuar një aleancë të partisë së tij me social-demokratët.
Ai është kryetar i bordit të Finnair, linjës ajrore kombëtare të Finlandës dhe anëtar i disa bordeve të industrive dhe organizatave të ndryshme finlandeze.
Holkeri ka qenë gjithashtu aktiv në skenën ndërkombëtare. Ai shërbeu si anëtar i delegacionit finlandez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga 1963 deri më 1965, si anëtar i Këshillit Nordik nga 1975 deri më 1978 dhe si Zëvendëspresident (1974-1975) e President (1976) i Parlamentarëve të Organizatës Europiane të Tregtisë së Lirë.
Holkeri ishte një prej tre kryetarëve të pavarur të bisedimeve shumë-palëshe të paqes të organizuara për t'i dhënë fund konfliktit në Irlandën Veriore. Nga 1995 deri më 1998 ai ishte anëtar i Organit Ndërkombëtar, një grup i krijuar nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës që kishte si qëllim dorëzimin e armëve të paligjshme në Irlandën Veriore. Në shtator 2000, Holkeri u zgjodh Kryetar i sesionit të 55-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Megjithëse nuk ka asnjë përvojë në Ballkan, Holkeri u zgjodh si kreu i UNMIK-ut prej rreth një duzinë kandidatësh. Politikani veteran me reputacionin e një ndërmjetësi të aftë dhe një krijuesi të konsensusit ishte i pranueshëm për të gjitha palët. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi atë si kreun e 4-tërt të UNMIK-ut më 28 korrik 2003.
Holkeri tha se funksioni i tij i ri ishte "ndoshta detyra më e vështirë" e jetës së tij, duke shtuar se "fakti se është e vështirë nuk mund të ishte arsye për refuzimin e saj".
"Gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e vështirë megjithëse është përmirësuar vazhdimisht gjatë pranisë së OKB-së atje," tha Holkeri, duke shprehur shpresë se bisedimet me Beogradin mund të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pas sezonit të pushimeve të verës.
Përparësia e Holkerit është përfundimi i transferimit të pushteteve tek institucionet vendase. "Misioni im është që unë të bëhem i panevojshëm sa më shpejt që të jetë e mundur. Po e arrita këtë, do të jem i suksesshëm."
Holkeri është i martuar dhe ka dy fëmijë.