![]() |
Jon Iliesku u zgjodh president i Rumanisë më 10 dhjetor 2000. Iliesku, presidenti i parë i Rumanisë pas komunizmit, nga viti 1990 deri më 1996, e rimori funksionin pas një fitoreje të pastër ndaj ultra-nacionalistit Korneliu Vadim Tudor. Ai pasoi Emil Konstantineskun të qendrës.
I lindur më 3 mars 1930, Iliesku është diplomuar në Institutin Politeknik në Bukuresht dhe Institutin për Energjinë në Moskë. Më 1948 ai bashkëthemeloi Bashkimin e Organizatave Studentore Rumune dhe më 1956, Bashkimin e Organizatave Studentore të Universiteteve Rumune. Më 1955, Iliesku u bashkua me Institutin për Inxhinierinë Energjitike në Bukuresht, si një inxhinier modelues. Ndërmjet viteve 1967 dhe 1971 ai shërbeu si Ministër i Rinisë.
Më 1971, Iliesku ishte sekretari i komitetit qëndror të Partisë Komuniste Rumune, por e humbi këtë funksion pas kritikës ndaj politikës së "Revolucionit Kulturor" të Nikolae Çausheskut. Ai këmbënguli në kritikën e tij si zëvendëskryetar i këshillit bashkiak të Timisit dhe kryetar i këshillit të qarkut të Jasit ndërmjet viteve 1974 dhe 1979 dhe gradualisht u nxorr jashtë politikës.
Ndërmjet viteve 1979 dhe 1984, Iliesku kryesoi Këshillin Kombëtar për Burimet Ujore dhe më vonë Shtëpine Botuese Teknike, deri në Revolucionin Rumun në dhjetor 1989, kur Iliesku u bë kryetar i Këshillit të Frontit për Shpëtimin Kombëtar.
Në shkurt 1990, ai kryesoi Këshillin e Përkohëshëm për Bashkimin Kombëtar. Iliesku u zgjodh president i Rumanisë në maj 1990 dhe fitoi zgjedhjet e para presidenciale pas miratimit të kushtetutës së re të Rumanisë në tetor 1992.
Pas mandatit të tij, ai u zgjodh senator i Partisë së Social-Demokracisë në zgjedhjet e nëntorit 1996 dhe më pas kryetar i partisë në janar 1997.
Pasi bëri betimin presidencial për herë të dytë, në dhjetor 2000, Iliesku premtoi se do të punojë për zvogëlimin e varfërisë dhe për t'a çuar Rumaninë drejt anëtarësimit në BE.