![]() |
Gjenerallejtnanti francez Iv de Kermabon mori komandën e KFOR-it më 1 shtator 2004, duke zëvendësuar Gjenerallejtnantin e ushtrisë gjermane Holger Kamerhof. Ai u bë komandanti i 9-të i KFOR-it që prej pozicionimit të saj në Kosovë në qershor 1999.
De Kermabon lindi më 4 nëntor 1948. Ai hyri në Akademinë Ushtarake Franceze të Shën-Sirit më 1970 dhe zgjodhi për të shërbyer në degën e mjeteve të blinduara dhe kalorësisë.
Gjatë karrierës së tij, de Kermabon ka patur detyra me përgjegjësi në rritje. Si një oficer i kalorësisë, ai shërbeu në nivele komande prej komandantit të togës në komandant të rregjimentit. Ai ka patur një numër detyrash drejtuese, përfshirë ndihmës i inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë (1984-87), zëvendës i seksionit të ushtrisë në kabinetin ushtarak të ministrisë së mbrojtjes (1989-91), shefi i shtabit të Divizionit të 6-të të Mjeteve të Blindurara të lehta (1994-97) dhe shefi i kabinetit të drejtorit të përgjithshëm të drejtorisë së personelit ushtarak (1997-98).
De Kermabon gjithashtu ka përfunduar detyra jashtë Francës, përfshirë në Afrikë në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980. Në fillim të viteve 1990 ai ishte komandant i batalionit francez në Autoritetin Tranzitor të OKB-së në Kamboxhia.
Ai u pozicionua për herë të parë në Ballkan në janar 1995, duke shërbyer për disa muaj si zëvendëskomandant i Sektorit të Sarajevës në UNPROFOR. Ai u kthye në Bosnje-Hercegovinë në dhjetor 1995 për një detyrë të dytë disa mujore si shef i shtabit të Divizionit Shumëkombësh Juglindor të IFOR-it.
Nga maji deri në shtator 2002, de Kermabon shërbeu në një detyrë në Kosovë, si komandant i përgjithshëm i brigadës shumëkombëshe të KFOR-it në Mitrovicë. Ai u rikthye në Kosovë në mars 2003 për një detyrë të re, gjashtë-mujore si zëvendëskomandant i KFOR-it.
Duke folur në ceremoninë që shënoi ndryshimin e komandës më 1 shtator 2004, de Kermabon premtoi të rrisë aftësitë e forcës paqeruajtëse. "Gjendja ka mbetur e brishtë, kështu që padyshim është e nevojshme të ndryshohet mënyra e veprimit e forcës, që të jemi më dinamikë, të reagojmë më mirë dhe të përmirësojmë informacionin që disponojmë," tha ai.
De Kermabon është i martuar dhe ka pesë fëmijë.