![]() |
Parlamenti Europian zgjodhi Romano Prodin si president të Komisionit Europain në shtator 1999. Ai zëvendësoi Zhak Sante, ekipi i të cilit dha dorëheqjen kolektivisht për shkak të një skandali korrupsioni.
Prodi lindi më 9 gusht 1939 në Skandiano, Itali. Ai është diplomuar për drejtësi në Universitetin Katolik të Milanos dhe ka kryer studime pasuniversitare në Shkollën Ekonomike të Londrës.
Shumica e karrierës akademike të Prodit ishte me Universitetin e Bolonjës, ku ai shërbeu si Asistent në Ekonominë Politike nga viti 1963 deri më 1971 dhe më pas si Profesor i Organizimit dhe Politikës Industriale deri më 1999. Ndërkohë ai ishte gjithashtu një kërkues në Institutin e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore të Lombardisë (ILSES) nga viti 1963 deri më 1964 dhe në Institutin e Studimeve të Stanfordit më 1968. Gjatë viteve 1973-74 ai gjithashtu dha mësime të Ekonomisë dhe Politikës Industriale në Universitetin e lirë të Trentos dhe ishte një profesor vizitor në Universitetin e Harvardit më 1974.
Prodi hyri në politikë më 1978, kur u emërua Ministër i Industrisë, një detyrë nga e cila u largua gjashtë muaj më vonë më 1979. Ai shërbeu dy herë si Kryetar i Institutit për Rindërtimin Industrial (IRI) -- më 1982-89 dhe më 1993-94. Më 1995 ai u bë Kryetar i Ulivo ["Pema e Ullirit"], aleanca e qëndrës së majtë, dhe ndërmjet prillit 1996 dhe nëntorit 1998 udhëhoqi qeverinë e saj si kryeministër i Italisë. Ndërmjet viteve 1996 dhe 1999 ai ishte gjithashtu Anëtar i Parlamentit.
Si kryeministër Romano Prodi ndoqi një politikë të disiplinës fiskale dhe financiare, e cila ndihmoi në zvogëlimin e borxhit publik dhe pakësimin e defiçitit të vendit në nivelin tre përqind, të kërkuar për pranimin në monedhën e vetme Europiane. Ai gjithashtu paraqiti politikat e reformës në administratën publike, planifikimin fiskal dhe ligjet mbi rregullimin e korporatave. Qeveria e Prodit u bë administrata e dytë që shërbeu për kohën më të gjatë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Në mars 1999, Romano Prodi u propozua për presidencën e Komisionit Europian. Gjashtë muaj më vonë ai e mori këtë detyrë mes shpresave për reforma të gjëra. Duke e marrë detyrën ai tha: "Unë jam i vendosur t'a transformoj Komisionin në një administratë moderne dhe të efektshme, e cila ka nxjerrë mësime prej përvojës së kohëve të fundit dhe që vë rregull në shtëpinë e vet." Disa prej sfidave kryesore për presidentin e ri ishin zgjerimi i BE-së, vendosja e monedhës së vetme -- euro dhe rivendosja e besimit tek institucionet. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara imponuan një sfidë të re -- duke siguruar harmonizim më të madh dhe bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit.
Romano Prodi është i martuar me Flavian dhe ka dy djem.